Shatërvanë propagande dhe gropa realiteti

Apr 15, 2015 | 12:32
SHPËRNDAJE

REXHEP MEIDANI

   Një nga këto ditë kalova një “pasdite pune” me një mik të ardhur nga jashtë. Pas bisedave të para, gjuha shkoi atje ku dhemb dhëmbi, te zhvillimet politike. Pavarësisht “mbrojtjes” sime të vagët, ai, haptazi, shfaqi disa observacione dhe pakënaqësi të veta. Këtu poshtë thjesht po radhitet një pjesë prej tyre…
Shatërvanë dhe gropa
Ngjarjet e fundit në Marinëz (Patos), me shatërvanë nafte, uji dhe balte, me gaz mbytës në një hapësirë të populluar, shoqëruar me krijim gropash dhe zhytje toke, pavarësisht sinjaleve të mëparshme, të shpallura ose konsideruara si “tërmete natyrore”, flasin për jo seriozitet, për nënshtrim, servilizëm, deri blerje heshtjeje prej specialistëve e administratorëve shqiptarë nga njëra anë, por edhe për naivitet e mbyllje sysh, deri kompleks inferioriteti të politikës qeverisëse e opozitare para çdo kompanie të huaj, nga ana tjetër. Dhe kjo, kur krejt e ndryshme është sjellja, deri arrogante, ndaj bizneseve shqiptare. Deklaratat fillestare të administratës lokale, të kompanisë kanadeze (që ka pretenduar vetëm humbje për një kohë gjatë!) dhe të ndonjë ministri (para ndërhyrjes së drejtë dhe korrigjimit kryeministror, pse jo dhe anulimit të kontratës, po të rezultojë e domosdoshme) apo pohime të shkujdesura të mjekëve të zonës, janë një dëshmi që diçka nuk ecën. Pra, duhet të dimensionohet kjo sjellje, në mënyrë të veçantë në trajtimin korrekt e ligjor ndaj çdo investimi të huaj, që nuk është për bamirësi, por në funksion të interesave të vet, që duhet të jenë dhe të mbeten në konvergjencë me interesat tanë, me nevojat e ekonomisë shqiptare, të zhvillimit ekonomik të vetë vendit, punësimit të qytetarit… Por, për këtë dhe politika duhet të ngrejë kokën dhe të drejtojë kurrizin; ajo duhet të sillet në mënyrë të ndershme dhe dinjitoze, aspak e nënshtruar, por e drejtë dhe serioze, në respekt të ligjit, të mbrojtjes së të drejtave të qytetarit, përkujdesjes shëndetësore e mjedisore, trashëgimisë kulturore – historike. Prandaj, trajtimi konkret i këtij rasti, përshirë dhe penalizmin përkatës, do të lërë gjurmën e tij, madje do të jetë me konsekuenca e domethënie të mëtejshme.
Më mirë një ndërveprim i heshtur sesa deklarime të bujshme
Ditët e fundit, një reagim i gjithanshëm u gjenerua nga një intervistë e z.Rama. Kjo edhe pse gjërat po ecin pikërisht në atë drejtim. Integrimi europian i shqiptarëve do të jetë në vetvete dhe një proces vetintegrimi. Parë me këtë sy, a ishte ajo deklaratë e nevojshme? Nisur nga thënia e popullit “më mirë e bëra sesa e thëna”, në planin kohor ndoshta jo, madje, përkundrazi…!
Në të vërtetë, në vend të ngritjes së zërit, këtij objektivi kombëtar i shërben, mbi të gjitha, bashkëveprimi tërësor dhe ndërthurja e gjithanshme Kosovë-Shqipëri, bazuar në mundësitë konkrete, por edhe mbi një koncept të mirëstudiuar – parimin ekonomik të plotësisë (komplementaritetit). Pra, duhet ecur shumë më shpejt dhe me mjaft mençuri në ndërtimin e gjithanshëm të hapësirës së përbashkët ekonomike-kulturore, edhe pse shumë zëra të saj janë përpunuar jo pak edhe paraprakisht. Pikërisht për të nuk ka nevojë për zhurmë, për sforco, për nxitje e krijim pakënaqësish. Mbi të gjitha, të jetë me bereqet çdo ide, veprim e hap konkret. Jo thjesht pse ky proces është i pakthyeshëm, por edhe pse ai ka nevojë të ushqehet, sidomos të shoqërohet me tretjen e nevojshme, me dixhestionin e tij kohor në nivel rajonal e global. Kjo vlen të kihet parasysh, madje ajo e nxit dhe përshpejton rezultatin…   
Më mirë vlerësim modest sesa pompim suksesi
Po të analizohet qeverisja e gati 20 muajve të fundit, nuk mohohet, por edhe lexohen qartë vështirësitë e shumta të kësaj periudhe kritike ekonomike-financiare në nivel rajonal e europian. Madje, kjo nuk ka pse të mbulohet, por duhet thënë hapur dhe thjesht. Dhe vetë qytetari e parapëlqen dhe e mirëpret transparencën, sinqeritetin, ndershmërinë! Vetëm ashtu ai beson se respektohet nga politika, pra edhe mund ta respektojë atë, ligjin e shtetin, rregullat e tij. Por, realiteti nuk duket i tillë. Jo rrallë, në analiza dhe vlerësime mungon transparenca e sinqeriteti. Madje, shpesh dominon krekosja, pompa e suksesit, pretendimi për rilindje, shpalosja e një vizioni të ri që trondit botën, realizimi i diçkaje për herë të parë, kryerja e një reforme, të pakonceptuar apo të arrirë gjatë viteve të tranzicionit, një ringjallje e vërtetë etj…! Dhe, paralelisht me to, montohet tepër skenim e teatër! Dhe e gjithë kjo, kur për shumicën e qytetarëve nuk ka fare nevojë për teatër! Ndërkohë, paaftësia e zvarritja, në disa drejtime, janë evidente. Po ashtu, po shtohen dhe rastet, që mbajnë erë abuzimi apo ku pretendohet për diçka të tillë. Disa prej tyre janë ekspozuar në median tradicionale dhe atë sociale. Megjithatë, në nivele të larta drejtimi dhe administrimi as një gjemb nuk u ka hyrë në këmbë drejtuesve të tillë. Aq më keq që disa prej tyre po vazhdojnë të vegjetojnë. Atëherë pse nuk veprohet? Pse shtyhen korrigjimet apo ndryshimet në qeverisje, në drejtim e administratë? Apo priten ose simulohen dorëheqjet, siç u bë ndryshimi me dorëheqje për mosrealizim në doganë?! Kjo duket e pakuptimtë, aq më pak ndonjë hezitim e frikë për çarje, grindje e shthurje. Nuk justifikohet as argumenti i “lojalitetit” pikërisht në një moment tepër të çmuar, para zgjedhjeve vendore; mbi të gjitha, për të kapur, sa të jetë e mundur, kohën e humbur…!
Zvarritja në kohë është paaftësi e dobësi
Për ta ilustruar idenë, vlen të lexohen drejt shembuj të shumtë. P.sh., një rast trivial është ai 2-3 kilometrave në dalje të Rrugës së Elbasanit, me një zvarritje punimesh mbi njëvjeçare nga premtimi i fundit publik, madje dhe sot, atje vazhdohet me punime “rafinimi”. Nuk mohohet që aty janë përmirësuar disa elemente estetike, por ama, në fund të fundit, flitet vetëm për 2-3 km rrugë…!
Kur analizohen raste të tjera, situatat e tyre shfaqet me nota akoma më dramatike. Le të marrim, p.sh., rastin e segmentit Lin – Pogradec me gjatësi 21km. Nisur nga vështirësitë për të kaluar në atë rrugë, harxhimi i nervave për të vozitur aty, shkundjet individuale apo nxjerrjet jashtë përdorimit të makinave, gropat e pluhuri i madh pudrues etj.; nëse nuk gaboj në muaj, një rrugë e tillë ka filluar gati 4 vjet më parë. Por, edhe pse janë shfaqur aty, me radhë, ministra e kryeministra, me deklarata premtuese ose justifikuese, ajo nuk duket se do të mbyllet plotësisht as për në sezonin e ardhshëm turistik. Pra, e gjitha kjo për vetëm 21 km dhe një zgjatje kohore 4-5 vjeçare! A nuk është ky fakt kuptimplotë, një mungesë kapaciteti e shfaqje dobësie? A nuk mund të thuhet që një gjë e tillë, praktikisht, është një turp përpara qytetarëve, aq më keq turistëve të huaj? Mbi të gjitha, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për ndonjë rrugë të mbyllur, por për një pjesë të trajektores drejt Korçës dhe pikës kufitare me Greqinë, madje që ka nga të dy krahët pikat kufitare me Maqedoninë (Shën Naum dhe Strugë)! Atëherë, si shpjegohet një vonesë e tillë?! Dhe, çudia më e madhe është se vetë traseja është e thjeshtë, me minimumin e veprave të artit! Atëherë, ka pasur probleme projektimi e tenderimi apo ndryshim projekti? Ka munguar kërkesa e llogarisë nga drejtoria përkatëse, në përputhje me afatet në projekt? Apo, është dhe punë parash; nuk ka pasur dhe nuk ka para për të paguar kompaninë e kontraktuar, pavarësisht deklarimeve dhe zhurmës në mbledhje të ardhurash!? Sido që të jenë përgjigjet, qofshin ato justifikime ose arsye (pseudo-arsye) të tjera, një stërzgjatje e tillë është tejet zhgënjyese për qytetarin, për ndërtimin e besimit dhe ushqimin e shpresës së tij, sidomos pas 25 vjetësh tranzicion dhe premtimesh të bujshme. A nuk flet diçka e tillë në mënyrë më se konkrete, më shumë se çdo pompë propagandistike dhe retorikë politike…?         
A nuk është koha flori?
Një problem në vete është shfrytëzimi i kohës, efektiviteti e rentabiliteti, administrimi e qeverisja e saj. Kjo vlen për këdo, por mbi të gjitha ajo duhet të konsiderohet seriozisht nga politika, nga të dy krahët e saj. A nuk janë seancat parlamentare të së enjtes një dëshmi e gjallë për të kundërtën?! Aq më keq që gjuha e përdorur, replikat plot vrer dhe fare pa vlerë, apo tensioni që krijohet aty, janë larg halleve të qytetarëve. Dhe e gjitha kjo është rrezatuar dhe rrezatohet negativisht në gjirin e shoqërisë, duke gjeneruar depresion social, nga njëra anë, por edhe humbje kohe të çmuar, nga ana tjetër.
Jo të vogla janë dhe humbjet e tjera të kohës, sidomos për drejtues të ndryshëm të administratës dhe degës ekzekutive, në lidhje me shfrytëzimin ose trajtimin e kohës. Në këtë kuptim, a mund të justifikohet, p.sh., prania e Kryeministrit në çdo dhënie dokumenti, dëshmie legalizimi apo të çdo lloji tjetër? Natyrisht, mund të merret pjesë në një ceremoni të parë të nisjes së një procesi të rëndësishëm, por jo në çdo rast, në çdo vend e komunitet! Aq më shumë që ka nevojë për harxhim energjish, mendje dhe zemre në shumë drejtime të tjera. Madje, për disa, një gjë e tillë krijon një përshtypje negative, deri zhvlerësim për vetë kohën e detyrën, në një Shqipëri me mjaft probleme e halle dite…!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura