Shaqir Rexhvelaj, artisti që na përfaqësoi në festivalet botërore

May 14, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA

halil rama

Një diplomë e datës 26 dhjetor 1962, firmosur nga ish-drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, Thanas Nano, me motivacionin “Për pjesëmarrje dhe kontribut të vlefshëm në Festivalin e Parë të Këngës në Radio”, është treguesi më sinjifikativ i evidentimit para gjysmë shekulli të një zëri të spikatur të kulturës sonë kombëtare… Ky vlerësim për Shaqir Rexhvelajn vinte pesë vite pas pjesëmarrjes së tij aktive në veprimtaritë e Festivalit Folklorik të Qarkut të Shkodrës…

Shtypi i asaj kohe (30 qershor 1957), krahas kronikës së zhvillimit të Festivalit Folklorik të Qarkut Shkodër, botonte edhe disa foto, midis të tjerave edhe atë të një djaloshi, vetëm 17 vjeç. Ishte Shaqir Saiti (Rexhvelaj), me zymare, nga Grizha Nr.2, rrethi i Koplikut, Malësi e Madhe. Jeta e një djaloshi të ri vetëm 17 vjeç, plot ëndrra e pasion për të ardhmen, ishte e natyrshme që të ndryshonte tërësisht.

Në këtë festival me pjesë të zgjedhura që u dhanë në sallën e teatrit të vjetër “Migjeni”, në Shkodër, Shaqiri njeh për herë të parë Prof. Ramadan Sokolin, i cili ishte anëtar i jurisë, i caktuar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Ata kishin ardhur për të përcaktuar numra të zgjedhur, që do të merrnin pjesë në Festivalin e Gjashtë Botëror të Rinisë e Studentëve, që do të zhvillohej në Moskë në muajt korrik–gusht 1957, ku spikati edhe 17- vjeçari Rexhvelaj.

Nga Qarku i Shkodrës, juria kishte përzgjedhur katër veta si instrumentistë dhe rapsodë popullorë: Shaqir Saiti (Rexhvelaj), me zymare, nga Grizha Nr.2, rrethi i Koplikut, Malësi e Madhe; Tom Nikolla, këngëtar, rapsod i mrekullueshëm me një za të rrallë, me çifteli nga rrethi i Pukës; Gjin Shkoza, nga fshati Gomsiqe, rrethi Shkodër, mjeshtër i papërsëritshëm në interpretimin e melodive në çifteli (ai u jepte magji tingujve të çiftelisë së tij) dhe Gjergj Gega, fyelltar shumë i mirë nga fshati Kallmet, rrethi Lezhë.

RRËFIME BRILANTE PËR NJË KOHË TË LARGËT

Gjatë tri viteve, nga viti 1954 deri 1957, në mënyrë krejt intuitive, Rexhvelaj zhvilloi disa prirje artistike që kishte. Zoti i kishte falë një zë brilant dhe këndonte shumë bukur një këngë karakteristike që quhet “Kangë maje krahit”.

Kjo kangë këndohej shumë ndër dasma dhe ditë festash. Ai rrëfen me nostalgji se si “Në odën e madhe të miqve, në dy anët e oxhakut, në njërën anë varej çiftja dhe në anën tjetër varej lahuta. Baba, Sait Bishja, qe një lahutar i shkëlqyer, por edhe një gjuetar shumë i mirë. Në odën e madhe të miqve, kur nuk ishte askush në shtëpi, unë merrja lahutën, i bija melodive që kisha ndigjue nga baba dhe këndoja me gjithë fuqinë e zanit, sidomos një kangë që më pëlqente shumë, por edhe dukej sikur më përkiste vetëm mua.

Zana dhe Shaqir Rexhvelaj
Zana dhe Shaqir Rexhvelaj

Ajo ishte “Kanga e Shaqir Grizhës”, nji ngjarje e vërtetë që i kushtohej këtij trimi, që e kishin rrethue “suharitë”, por edhe pse i vetëm e i kapun në befasi, kishte luftue pa ja ba syri ‘terr’ tue ça rrethimin. Në netët e gjata të dimrit, baba pothuaj çdo natë, mbas darke, pranë oxhakut në odën e miqve, për rreth një orë e më shumë këndonte rregullisht rapsodi nga cikli i ‘Mujit e Halilit’ dhe kangë të tjera trimnie, si kangë për Gjergj Elez Alinë, për Oso Kukën e për gjithë trimnitë e ‘Lahutës së Malësis’ të poetit tonë kombëtar Gjergj Fishta, por edhe rapsodi të tjera. Baba do ta niste kangën në lahutë gjithmonë me vargjet: “Merre i herë Kaçel Lahutën/ e na e thuej nji kangë shqiptare/ S’mbajm na Zi, pa na qitë faret……”.

NGA LLOGARITAR I KOOPERATIVËS “KIM IR SEN”, NË MOSKË SI ARTIST

Në fund të muajit mars 1957, Kooperativës Bujqësore Grizhë iu vu një emër shumë i çuditshëm, “Kim Ir Sen”. Ky ishte emri i kryetarit të Partisë Komuniste të Koresë së Veriut. Atëherë ishte bërë si modë që të vendoseshin për emërtesa të institucioneve të reja emrat e kryetarëve të shteteve komuniste të kampit socialist. Asambleja zgjodhi kryesinë e kooperativës si dhe përgjegjësit e sektorëve. Kryetar i kooperativës u emërua nga Komiteti Ekzekutiv i KP të Qarkut Shkodër një ekonomist që quhej Met Metani. Llogaritar të kooperativës (përkohësisht) caktuan Shaqir Sait Rexhvelajn, që në atë kohë ishte më i shkolluari i fshatit. Në një nga ditët e majit 1957, nga drejtori i shkollës së Grizhës, Muhamet Heqimi, i erdhi një letër. Drejtori i lutej që të merrte pjesë në Festivalin Folklorik të rrethit në Koplik, me grupin folklorik të fshatit, si instrumentist popullor me zymare. Kjo qe ndoshta shkëndija e parë, e cila do të shërbente që Shaqir Rexhvelaj të përzgjidhej në rang kombëtar për të përfaqësuar vendin në veprimtari kaq të mëdha, siç ishte Festivali VI Botëror i Rinisë dhe Studentëve.

Në një reportazh të shtypit të asaj kohe shkruhej: “Dielli mëngjesor lëshoi mbi Tiranë rrezet e tij të kuqremta. Ajri i freskët përkëdhelte lehtas fytyrat e qeshura të njerëzve. Kolona të rinjësh e të rejash, burra e gra, pleq e fëmijë, kishin marrë rrugën për në stacionin e trenit…… Ata kanë ardhur për të përcjellë delegatët e rinisë sonë për në Festivalin e Moskës…

Midis turmës ndodhen 183 delegatët e rinisë sonë që shkojnë në Festivalin e Moskës… Fytyrat e tyre shkëlqejnë nga gëzimi dhe krenaria për nderin e madh që u është bërë, duke i zgjedhur përfaqsonjës të rinisë sonë në këte takim të madh të paqës e miqësisë”. Moska, nuk i kishte shkuar kurrë në mendje, por ja që talenti i lindur e bëri evident artistin dhe muzikologun e mëvonshëm, Shaqir Rexhvelaj, i cili në më shumë se pesë dekada ka hyrë me dinjitet në kanalet e historisë së artit e kulturës sonë kombëtare.

Nga ai Festival e kanë pikënisjen dhe fillesat e gjithë jeta e tij artistike në rrugën e gjatë e të vështirë, por shumë të bukur të artit muzikor dhe të shkollimit artistik. Në fillim, në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1958-1962 ku hyn edhe Ansambli Artistik i Ushtrisë), si dhe studimet e larta në Konservatorin Shtetëror të Tiranës (1962-1967). Ia vlen të shënojmë me këtë rast se kur ishin në vitin e tretë të studimeve, të gjitha degët e artit u bashkuan (muzika, piktura, drama) dhe shkolla e lartë e artit në vendin tonë mori emrin “Instituti i Lartë i Arteve”. Në diplomën e tij është e shënuar: “Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve–Dega e Muzikës, specialiteti–Flautist”.

KARRIERË E PASUR ARTISTIKE E SHKENCORE

Rexhvelaj, që e mbylli karrierën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në MTKRS para dhjetë vitesh, krahas Konservatorit Shtetëror të Tiranë (sot Akademia e Arteve), është diplomuar edhe për Gazetari në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike. Ai ka një përvojë të gjatë profesionale si flautist në Orkestrën Simfonike të Radios dhe Kinematografisë dhe në Televizionin Shqiptar si redaktor përgjegjës në Redaksinë e Muzikës.

Në vitet 1977–1989, si Përgjegjës i Redaksisë së Programeve Artistike në RTSH dhe Udhëheqës Artistik, është ideues dhe bashkërealizues i shumë emisioneve, programeve dhe spektakleve televizive. Po ashtu, si drejtor i Krijimtarisë Muzikore në RadiotelevizionShqiptar dhe Udhëheqës Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH ka realizuar: Festivalin e 28–të të Këngës në RTSH (1989) si Udhëheqës Artistik i Festivalit; Koncertet e Pranverës në RTV (1989 dhe 1990) dhe Festivalin e Parë të Interpretuesve të Këngës Popullore (1989) po si udhëheqës artistik.

Në harkun kohor të 10 viteve (1990-2000) Shaqir Rexhvelaj kryen me kompetencë e profesionalizëm funksionet: Shef i Seksionit të Kulturës në ish-Komitetin Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tiranës dhe Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit të Tiranës; Shef i Arteve dhe Drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve në Bashkinë e Tiranës. Karriera e tij artistike pasurohet me aktivitet intensiv si Laureat i Festivalit të Parë Folklorik Kombëtar, organizuar në Tiranë, si instrumentist popullor, pjesëmarrës interpretues në Festivalin e 6-të Botëror të Rinisë e Studenteve në Moskë; pjesëmarrës interpretues në Festivalin Folklorik të Vendeve të Ballkanit dhe Zonës së Adriatikut, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Bukuresht, Rumani dhe si pjesëmarrës interpretues në Festivalin Folklorik Botëror, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në Kajro, Egjipt. Veprimtaria krijuese e Shaqir Rexhvelajt u përket kryesisht gjinive televizive dhe gjendet e regjistruar pranë Arkivit të Radiotelevizionit Shqiptar, bashkë me fillimet e tij si televizion profesional me programe të rregullta në vitin 1971. Ka realizuar kryesisht emisione muzikore artistike, programe, spektakle si “Bashke me Ju”, “Fituesja e Fitueseve”, “Këndon për Ju”, “Portrete Artistësh”, “Koncerte Variete” e filma muzikorë etj. Herë pas here ka shkruar edhe në shtypin periodik të kohës për veprimtari kulturore artistike dhe probleme te artit, kulturës, folklorit etj. Pas viteve ‘90 ka marrë pjesë në seminare të organizuara nga organizma ndërkombëtare si brenda dhe jashtë vendit në fushën e kulturës, si nga BE, CEI, UNESCO etj., në Francë, Bullgari, Itali, Maqedoni, Serbi etj.

Në 2010, me propozim të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Shaqir Rexhvelaj është një emër i spikatur edhe në politikën shqiptare të këtyre 20 viteve të fundit, si sekretar i Përgjithshëm dhe nënkryetar i Bashkimit Socialdemokrat dhe Bashkimit Liberal Shqiptar. Më 13 maj 2020, Shaqir Rexhvelaj feston 80-vjetorin e lindjes. Përzemërsisht i uroj mikut tim të ngushtë, bashkudhëtarë të pandarë këto 25 vitet e fundit: Arritsh dhe kapërcefsh një shekull jetë, me këtë vitalitet e shpirt krijues që ke aktualisht, me shëndet të plotë e mendje të kthjellët!

AUTOR I DY VEPRAVE DINJITOZE

Shaqir Rexhvelaj ka botuar dhe promovuar në sallën e Akademisë së Shkencave në Tiranë dy vepra dinjitoze: “Kur binte një zymare në festivalet botërore” dhe “Arti i tingujve”. U prezantuan ato mes njerëzve të artit dhe kulturës, politikës, miqve e familjarëve, dashamirësve e kolegëve të autorit, ku secili ndau emocionet, kujtimet. Ata shprehën vlerësime për këto vepra, që vijnë si befasi dhe risi letrare.

Në to rrëfehet thjesht me fjalë zemre, përjetime të një jete që nisin nga fshati Grizhë dhe vazhdojnë drejt Tiranës, ku autori nis jetën e re e nga ku prek të gjitha skenat e botës. Një jetë plot me vështirësi, siç ishte edhe koha, por dashuria për artin e bëri Shaqirin një luftëtar guximtar, që triumfon duke e shkruar emrin e tij në majën e panteonit të vlerave, të njerëzve që ëndrrat e tyre i kanë realizuar me punë, përkushtim, sakrifica.

Ai është koshient se nga vjen dhe ku po shkon. Sh. Rexhvelaj mbart me vetë dashurinë e madhe për familjen, për njerëzit e tij. Veçanërisht në librin “Kur binte një zymare në festivalet botërore”, dalin e skaliten tiparet e tyre, duke e bërë rrëfimin emocionalisht shumë pranë lexuesit, miqve, që shpesh e gjejnë veten mes personazheve.

Ngjarjet janë reale, janë pjesë nga ditari i tij, ku ai rrëfen përjetimet a limitet e tij në art, ku gjithçka nisi me një zymare dhe me dashuri e talent arriti të pushtojë skenat më në zë të botës. Ky është Shaqir Rexhvelaj, një figurë shumëdimensionale, artist, muzikant, gazetar, redaktor, publicist, drejtues e politikan, njeri me një CV, që do t’ia kishte lakmi gjithkush. Gjatë promovimit, fjalën e mori maestro Zhani Ciko, i cili bëri një analizë të detajuar të dy veprave, por foli edhe miku i autorit ku shumë nga përjetimet në libër i kishin ndarë bashkë.

Drejtori i gazetës “Nacional”, Mujo Bucpapaj, gjatë fjalës së tij, theksoi vlerat letraro-artistike dhe emocionet që kishte përjetuar gjatë leximit. Por theksoi se dyert e gazetës së tij do jenë të hapura gjithmonë për artin e bukur të fjalës dhe njerëzit e talentuar, që na bëjnë krenarë me punën e tyre. Fjalë të ngrohta dhe miqësore u thanë nga miqtë e autorit, si: kritiku Behar Gjoka, prozatori Andon Andoni, poeti Hajri Mandri, studiuesi dr. Fejzulla Gjabri, shkrimtari e publicisti Halil Rama, etj.

Emocione në sallë përcolli miku prej një jete politikani, politologu, diplomati dr. Arian Starova. Përshëndetjet nuk munguan as nga Malësia matanë kufirit. I sapoardhur nga Amerika, prof. Lulash Palushaj përshëndeti në emrin e malësorëve të Tuzit. Diskutantët pasuan njeri-tjetrin, duke e bërë ditën si koncert madhështor të fjalës së shkruar. Mimoza Rexhvelaj, që pati rolin e moderatores në promovimin e dy librave të z.Rexhvelaj, në fund u shpreh: “Axh Shaqir, na e ke mbush zemrën me krenari!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura