Shantazhi me foto, ja 3 mesazhet që kërcënuan djalin e Ermelinda Meksit

May 26, 2015 | 10:44
SHPËRNDAJE

Zbardhen mesazhet kërcënuese përmes të cilave një 19-vjeçar shantazhoi për disa ditë djalin e mitur të ish-deputetes, Ermelinda Meksi. I akuzuari i dënuar me 2 vjet burg nga Gjykata për Krimet e Rënda për “gjobëvënien”, Ilirjan Nezaj, i ka shkruar të miturit në postën private të tij në Facebook.

Gjykata e Krimeve të Rënda

Ai i ka kërkuar shuma të ndryshme parash, nga 350 në 500 euro, duke i përcaktuar limite kohorë. Nëse nuk do merrte çfarë kërkonte, Nezaj i ka thënë 14- vjeçarit se do t’i dërgonte prindërve të tij disa fotografi ku ai pinte duhan.

Përveç fotografive, Nezaj i ka thënë të dëmtuarit se nëse nuk u bindej kërkesave të tij do ta merrte peng dhe do t’i kërkonte nënës së tij 5 mijë euro. Përmbajtja e mesazheve të shantazhit pasqyrohen në vendimin e zbardhur të Gjykatës për Krimet e Rënda që shpalli fajtor Nezajn për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie.

Referuar vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit zotërohet nga gazeta, mesazhi i parë ka mbërritur në postën private të Facebook- ut të minorenit J. Meksi, pasditen e 11 korrikut 2014. “Rrushi ke dhjetë ditë kohë me ba 350 euro, c’ka dmth, gjer dat 21. Po s’i bone dot 350 gjer 21, duhet me 500 e do kesh katër ditë kohë mbrapa gjer datë 25 korrik. Nqs s’bon dot as 350 me 21 e as 500 gjer me 25 qto fotot e printume me ngjyra do e kena gati do përfundojnë në durt e plakut tan, te pallati jeshil, përballë “T…”. Kur t’kesh bo lekt qo mesazh te ky profil ktu sa më shpejt për t’mirën tane. Menohu mire e rregulloj punt tane, ndryshe i ke keq punt se s’menoj se V. Meksit e Ermelindës ka me i ordh mirë se quni vet pin dahon”, thuhej në mesazhin e dërguar.

Disa orë më vonë ai i ka dërguar të tjera mesazhe me përmbajtje: “Kam ene nje foto tjetër. Ke dal bukur fare, ballore, tu e majt cigaren. E kam dhe nr e tat plake. E do sms apo whatsapp”. Në të njëjtën ditë, kur i dëmtuari e ka pyetur për emrin, ai i ka shkruar: “Ta thot plaka sot ndark, pasi ti kem çu mesazhin. Të thosh qe ke 10 ditë kohë, ene s’po t them 1000 euro fare, 350 jan, po mos mboj karagjozin o zog”.

Sipas vendimit të Gjykatës, nën presionin dhe kërcënimin e të pandehurit, i mituri ka marrë në banesën e tij një byzylyk dhe një varëse floriri, të cilat ia ka dhënë të pandehurit. Pasi i ka kërkuar shuma të tjera, i mituri e ka kallëzuar në Polici kërcënimin dhe në një nga takimet e radhës, i pandehuri Nezaj është arrestuar nga Policia. ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura