Shantazh të dashurës me video intime, dëshmia e djalit në gjyq

Oct 10, 2015 | 14:09
SHPËRNDAJE

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për  18- vjeçarin nga Durrësi Argjend Ajdini, pasi me anë të mashtrimit ka mundur t’i marrë të dashurës së tij 5670 euro dhe vijonte ta shantazhonte me anë të një videoje intime, e cila ishte xhiruar me telefonin e autorit.

Në sallën e gjyqit, adoleshenti pranoi se kishte 14 muaj që ishte i lidhur me vajzën dhe deklaroi se kishte pasur disa borxhe. 

Të dy kanë qenë maturantë në të njëjtin gjimnaz të qytetit ku edhe janë lidhur së bashku. “Unë kisha disa borxhe që duhet t’i shlyeja, prandaj i bëja presion për paratë”- mësohet të ketë thënë ai para trupës gjykuese. 

Ai ka deklaruar se nuk ishin ndarë, por vazhdonin lidhjen e dashurisë. Madje, sipas tij, një pjesë të parave që ajo ia mori vjedhurazi familjes, ata e kanë shpenzuar së bashku.  

Policia-durres

Ky i fundit akuzohet nga ish-e dashura dhe familja e saj për vjedhje të sendeve me vlerë në shtëpinë e tyre gjatë kohës që vizitonte vajzën. Pasi ndihej e kërcënuar vazhdimisht nga i dashuri, 18-vjeçarja me inicialet S.B. ka vendosur ta denoncojë në polici. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Durrësit sqaroi rrethanat në të cilat është arrestuar Argjend Ajdini.

MASHTRIMI
Burime nga Policia e Durrësit bënë me dije se Argjend Ajdini dhe vajza 18-vjeçare, nxënëse e një prej gjimnazeve të qytetit bregdetar, kishin një lidhje disamujore. Që nga muaji janar i këtij viti, Ajdini sajonte probleme dhe kishte nisur t’i kërkonte para të dashurës së tij. Nëpërmjet mashtrimit, 18-vjeçari, në harkun e pak muajve, i mori të dashurës 5670 euro.

Këto para vajza i vidhte në shtëpinë e saj. Prindërit e saj kishin pikasur mungesën e kursimeve të familjes dhe dyshuan te vajza. Kjo e fundit ishte e detyruar ta mbante gojën të mbyllur, pasi i dashuri i saj e kërcënonte vazhdimisht me publikimin e një videoje të xhiruar me telefonin e tij teksa kryenin marrëdhënie seksuale. Sipas vajzës, videoja është realizuar gjatë muajit janar të këtij viti.

“Në Policinë e Durrësit ka mbërritur vetë 18-vjeçarja, banore e lagjes numër 4 në Durrës, nxënëse në një prej gjimnazeve të qytetit, e cila para inspektorit të policisë ka denoncuar të dashurin për paratë e grabitura, prej muajit korrik nga i dashuri i saj, Argjend Ajdini, banor i lagjes 17, edhe ky gjimnazist në një tjetër shkollë”, sqaroi policia. Mësohet se djali ka pasur hyrje- dalje të shpeshta gjatë stinës së verës te shtëpia e të dashurës në lagjen numër 4 të qytetit bregdetar.

SHANTAZHI
Gjimnazistja me inicialet S.B. ka qenë nën presion të vazhdueshëm të një videoje që posedonte i dashuri i saj. Megjithatë, ajo ka marrë guximin dhe i është drejtuar Policisë së Durrësit për ta denoncuar ish-të dashurin. Para inspektorit të policisë, 18- vjeçarja ka bërë këtë deklaratë, e cila është mbështetur nga familjarët e saj.

“Kemi qenë të dashur dhe ai më ka shantazhuar me një video intime. Më kërkonte vazhdimisht para, të cilat ia jepja pjesë-pjesë, rreth 5670 euro gjithsej. Paratë unë ua merrja prindërve, pasi më bënte presion që do të publikonte në ‘Youtube’ videon që kishte xhiruar. Videon e ka bërë nga fillimi i vitit. Më thoshte do t’u tregoj të gjithëve që je e dashura ime. Më pas, në muajt e verës, kur mbaroi shkolla, vinte në shtëpinë time. Në shtëpi më ka vjedhur bizhutë dhe sendet me vlerë. Unë kisha frikë. Prindërve nuk u kam treguar se ku i çova paratë. E gjithë çështja është se pasi më grabiti bizhutë, nuk mund ta duroja dot më. Donte para prej meje, dhe kur unë s’kisha t’i jepja”, mësohet të ketë deponuar 18-vjeçarja.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura