Shantazh me foton e djalit të mitur të Ermelinda Meksit, 2 vjet burg autorit

May 3, 2015 | 10:07
SHPËRNDAJE

Gjykata për Krimet e Rënda ka përfunduar gjykimin ndaj një 19-vjeçari nga Tropoja të akuzuar për “gjobëvënie” ndaj djalit të mitur të ish-deputetes, Ermelinda Meksi.

Gjykata e Krimeve të Rënda

I riu, Ilirjan Nezaj, dyshohej se ka shantazhuar minorenin 14-vjeçar, duke e kërcënuar me dërgimin te prindërit e tij të një fotoje që i kishte bërë atij, duke pirë një cigare. Në përfundim të tri seancave gjyqësore, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda ka vlerësuar të provuar akuzën e ngritur nga Prokuroria për 19-vjeçarin. Ai është shpallur fajtor për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ai është dënuar me 3 vjet heqje lirie, por për shkak se çështja është gjykuar me kohë të shpejtuar, ka përfituar uljen e një të tretës së dënimit.

“Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimin e të pandehurit Ilirjan Nezaj, me 2 vjet burgim”, thuhej në diapozitivin e vendimit të shpallur disa ditë më parë te Krimet e Rënda.

Gjykata përcakton si datë të nisjes së vuajtjes së dënimit datën e arrestimit të 19-vjeçarit më 1 shtator 2014, dënim që do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Në fazën e konkluzioneve përfundimtare Prokuroria ka kërkuar deklarimin e tij të fajshëm dhe dënimin me 4 vjet heqje lirie. Mbrojtësi i tij i ka kërkuar Gjykatës zbatimin e një dënimi më të butë dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg. Vetë 19- vjeçari Nezaj ka kërkuar mëshirë para trupit gjykues.

GJOBEVENIA

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, disa muaj para shtatorit, djali i mitur i ish-deputetes Ermelinda Meksi, aktualisht anëtare e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, ishte njohur me 19-vjeçarin Nezaj. Ata kanë qëndruar disa herë bashkë dhe me djem të tjerë të lagjes. Në një prej këtyre qëndrimeve, djali i Meksit është fotografuar duke pirë një cigare. Sipas Prokurorisë, përmes kësaj fotoje, i pandehuri Elezi i ka kërkuar më pas para 14-vjeçarit, duke e kërcënuar se në të kundërt, do t’ia dërgonte foton prindërve të tij.

Sipas organit të akuzës, i ndodhur nën kërcënim, minoreni ka marrë disa bizhuteri të nënës së tij dhe me paratë e përfituara prej tyre, gati 500 mijë lekë, ia ka dorëzuar të pandehurit. Pas konstatimit të mungesës së sendeve me vlerë në banesë nga nëna e tij, i mituri ka rrëfyer gjithë presionin që po i ushtrohej nga i njohuri i tij nga Tropoja. Pas këtij momenti, ata i janë drejtuar Policisë, ku kanë bërë kallëzim për ngjarjen.

Pas arrestimit të Elezit, Policia njoftoi zyrtarisht se më 1 shtator 2014, ai kishte ushtruar presion e dhunë psikologjike, duke përfituar shuma të ndryshme në lekë e sende me vlerë nga shtetasi J. M., 14 vjeç.

Armand Bajrami 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura