Shansi i “artë” i Partizanit është kthesa në Kupë, për titullin të kuqtë u dorëzuan që në tetor

Feb 12, 2018 | 16:54
SHPËRNDAJE

Partizani i sezonit 2017- 2018 ka notuar në ujëra të turbullta që nga fillimi i sezonit dhe deri më sot, ndonëse janë klubi që ka bërë shpenzimet më të mëdha gjatë dy merkatove. Puna nisi me shpresën që do të thyhej pritja e gjatë për titullin, ku i fundit është fituar në 1993- shin. Falë keqmenaxhimit dhe punës së bërë në merkaton e verës, të kuqtë i “lanë duart” me titullin që në përfundim të fazës së parë të kampionatit, që përkon edhe me largimin e trajnerit Mark Iuliano.

partizani

Gjatë dy merkatove (verë-dimër), “demat” kanë vendosur rekord për sa i përket numrit të lojtarëve të afruar, 15 në gusht dhe 9 në janar. Vera u shoqërua me shpenzime “të frikshme” për një ekip shqiptar, pasi rrogat u rritën dukshëm, ndërsa rendimenti shkoi drejt zeros nga “yjet” e ardhur përtej Adriatikut. Me titullin e kthyer në një mision të pamundur, Kupa e Shqipërisë mbetet një shans “i artë” për Partizanin. Por, edhe në këtë veprimtari, të kuqtë nuk i kanë mirë punët. Të mërkurën, Partizani duhet të kthejnë disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë çerekfinale të luajtur në Vlorë, nëse duan që të vijojnë në Kupë.

Flamurtari i trajnerit Shpëtim Duro është kthyer në një makth për të kuqtë këtë sezon, pasi tre duelet e luajtura mes klubeve, 2 për kampionat dhe 1 për Kupë kanë pasur të njëjtin përfundim, 1-0 për vlonjatët. Më 14 shkurt, ditën e të dashuruarve, Partizani ka mundësinë për të thyer tersin “Flamurtari”, por edhe për fituar “dashurinë e përhershme”, përkrahjen e tifozëve.

telushi

Situata – Luhatjet e Partizanit u vërtetuan edhe pas ndeshjes me Laçin, ku skuadra nuk arriti të fitonte, sukses që do ta ngjiste në vendin e tretë dhe do t’u jepet më shumë moral lojtarëve për duelin me Flamurtarin. Për këtë takim, shpresohet të rikuperohet Kalari. Gjithashtu, pritet që braziliani Lukas ta ketë kaluar gjendjen gripale dhe të jetë gati për sfidën e Kupës. Dyshja sulmuese Bardhi-Progni, e pezulluar për ndeshjen e kampionatit me Kukësin, pritet të shfrytëzohet maksimalisht ndaj vlonjatëve, me shpresën që nga ata do të vijë edhe kualifikimi i “demave” për në turin gjysmëfinal të Kupës.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura