Shanset për sukses të protestës së të shtunës

Jan 24, 2018 | 18:55
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike, LSI-ja dhe forcat e tjera opozitare do të zbresin të shtunën në protestën e paralajmëruar javë më parë, me një kërkesë politike shumë konkrete: largimin e qeverisë “Rama dy”, krijimin me negociata gjithëpërfshirëse të një qeverie të përkohshme me bazë të gjerë, që do të fokusohet te çështjet e krimit dhe zgjedhjeve të reja- “qeveri antimafia e zgjedhjeve” e ka emërtuar kreu demokrat, Lulzim Basha.

zogaj

Në pamje të parë, kjo kërkesë riciklon një traditë mbi njëzetvjeçare të protestave që kanë zhvilluar opozitat shqiptare përballë apo rreth e rrotull pallatit të qeverive. Opozitat kanë kërkuar gjithmonë dorëheqjen e qeverive. Ia kanë dalë në një rast: në vitin 1997, kur opozita socialiste e asaj kohe kalëroi politikisht protestat e kreditorëve që kishin humbur paratë në skemat piramidale, duke çuar në dorëheqjen e qeverisë së PD-së dhe krijimin e qeverisë së përkohshme të pajtimit kombëtar.

Konteksti ka qenë shumë specifik, nga ato që i prodhojnë aksidentet apo skemat e jashtëzakonshme. Herë të tjera, qeveritë u kanë rezistuar protestave duke përmbyllur ciklin faktik tetëvjeçar në pushtet, pavarësisht skandaleve dhe tronditjeve që i kanë shoqëruar. Kërkesa e opozitës kësaj radhe realisht nuk është si herë të tjera. Ajo është e përligjur nga panorama e zhvillimeve dhe postzhvillimeve zgjedhore që provojnë qartë ndë- rhyrjen brutale, si kurrë ndonjëherë, të grupeve të narkotrafikut dhe parave të drogës në zgjedhjet e 25 qershorit.

Përveç indiceve shumë domethënëse të raportit të ODHIRit, që ka arritur të kapë dhe evidentojë votimin fiktiv të pesë për qind të listës së votuesve, përveç zhvlerësimit me rreth tre lekë të euros gjatë katër javëve të fushatës së zgjedhjeve, fakt kokëfortë i tregut, që tregon se në zgjedhje janë shpenzuar me shumë euro se në një sezon super të suksesshëm turistik, analizën e zgjedhjeve të 25 qershorit e ka bërë më mirë se asgjë shpërthimi nga partnerët italianë i aferave skandaloze me lidhje politike të drogës, shpallja në kërkim e një numri të madh oficerësh e drejtuesish të lartë të Policisë së Shtetit, marrja në hetim e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i njohur si krahu i djathtë i Kryeministrit Rama.

Këto janë faktet. Qeveria në fuqi nuk i ka fituar, por i ka blerë mandatet për të bërë shumicën që i duhet. Ndaj është ilegjitime. Opozita po zbret në protesta për të ndaluar paligjshmërinë e saj. Kjo është detyra e opozitës demokratike dhe e qytetarëve të lirë. Por, sa shanse ka protesta e 27 janarit dhe të tjerat, që mund të vijojnë pas saj, të arrijnë objektivin e shpallur? Shanset për sukses varen nga faktorë e rrethana sa të zakonshme, aq edhe të veçanta. Pra, janë të hapura. Faktor madhor i zakonshëm është pjesë- marrja masive e qytetarëve.

Momenti i zgjedhur, cilësia dhe besueshmëria e vetë opozitës, organizimi perfekt, mesazhet e qarta, kultivimi i vetëdijes dhe ngulitja në popull e bindjes se blerja e pushtetit është burimi i gjithë të këqijave dhe se e keqja mund të eliminohet vetëm duke larguar produktin e votave të blera- të gjitha këto kanë një rol të dorës së parë, për të motivuar qytetarët të marrin pjesë në protestë. Në qoftë se shqiptarët vërshojnë në një numër shumë të madh, që i tejkalon blloqet e zakonshme partiake të partive opozitare, qeveria e paligjshme nuk mund të vazhdojë.

Bie pa e shtyrë fare. E rrëzon ajri vibrues i njëqindmijë apo më shumë se njëqindmijë njerëzve. Të gjithë dinë të shohin e të numërojnë. Edhe qeveria. Edhe ndërkombëtarët. Numrat janë vetë verdikti, në protesta të tilla me kërkesa politike. Rrethanë e veçantë është përkimi në kohë i prioritetit të opozitës për të larguar qeverinë e paligjshme me zbatimin e Reformës në Drejtësi, që është një prioritet i partnerëve ndërkombëtarë pikësëpari, i SHBA dhe BE.

Shtrohet pyetja: Kush do ta shënojë vitin dhe kohën? Protestat apo Reforma në Drejtësi? Pse jo të dyja. Nuk ka asnjë pengesë ta shënojnë të dyja. Pajtimi në një i këtyre prioriteteve aspak kundërthënëse, në thelb, do ta ndihmonte shumë opozitën për të rritur mbështetjen popullore të kauzës së saj. Në popull ndihet qartë se ka dy pritshmëri të mëdha për vitin 2018. Në një anë është pritshmëria për largimin e qeverisë në fuqi dhe krijimin e një qeverie të re me bazë të gjerë, që mund të kryesohet përsëri nga një socialist, por jo nga Edi Rama.

Këtë pritshmëri e kanë kryesisht opozitarët. Në anën tjetër është pritshmëria e rezultateve të para të Reformës në Drejtësi, që premton të shënojë një fillim vërtet të ri të demokracisë shqiptare me vendosjen e ndëshkueshmërisë ligjore në sferat e larta. Këtë pritshmëri historike, të cilën e ushqen pjesëmarrja aktive e SHBA dhe BEsë në organet e reja të Reformës në Drejtësi, e ka shumica dërmuese e shqiptarëve, të majtë, të djathtë, pa parti. Për të qenë popullore, opozita, sikurse qeveria, duhet t’i bëjnë llogaritë me një pritshmëri të tillë në të gjitha nismat e tyre.

Përvoja e protestave në çadër, kur kërkohej largimi i Ramës si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme (kusht që mjerisht u provua se kishte qenë i drejtë me çmimin e prishjes së zgjedhjeve me Kryeministër Edi Ramën), por u zvarrit, ndërkohë pa arsye, votimi i komisioneve të vetingut, duhet të shërbejë për të reflektuar. Ekuivokët në këtë pikë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse ushqejnë retorikën me jehonë në publik të Edi Ramës sikur opozita ka frikë nga Reforma në Drejtësi.

Opozita duhet t’ia heqë këtë armë të fundit Kryeministrit të votave të blera. Si e qysh, duhet ta mendojë vetë. Një gjë është e qartë. Politika është edhe mirazh, edhe perceptim. Opozita nuk mund të shkojë drejt një suksesi duke tërhequr perceptimin se ka diçka me Reformën në Drejtësi. Në fakt, për definicion, askush më shumë se opozita nuk mund të jetë e interesuar për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Aq më shumë në Shqipërinë e sotme, që qeveriset nga një grusht oligarkësh, që vetëm kanë rritur varfërinë e pabarazinë, siç vinte në dukje pardje një raport i Forumit Ekonomik Botëror.

Në këto kushte, opozitës i shkon të jetë protagoniste në të dy frontet e pritshmërive qytetare. Edhe në aksionin për të larguar me protesta qeverinë e paligjshme, edhe në angazhimin aktiv për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në këtë rol, opozita do të mund të siguronte mbështetjen vendimtare të partnerëve amerikanë e europianë duke parashtruar e argumentuar se qeveria e antikrimit, që ajo kërkon, do të jetë një qeveri e Reformës në Drejtësi. Kjo është e drejtë dhe do t’u shkonte për shtat sa publikut të gjerë, aq edhe partnerëve.

Sepse me skandalet e drogës, me koncesionet korruptive dhe grabitjen e taksave përmes favorizimeve antiligjore të klientëve të saj, qeveria e Ramës është në konflikt të hapur interesi me Reformën në Drejtësi. Një qeveri jashtë këtij konflikti, e baraslarguar nga ndikimi dhe veprimi i organeve të reja të drejtësisë, do të ishte një garanci për zbatimin me efikasitet të kësaj reforme.

Rama do të rezistojë, pikërisht për të mbajtur në dorë ndonjë fije të drejtësisë së re. Basha do të fuqizohet, pikërisht duke e njësuar aksionin politik të opozitës me zbatimin e reformës. Fatin e përballjes do ta vendosin qytetarët. Ata do të bashkohen masivisht me opozitën në një skenar të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura