Shans i artë për menaxhimin e problemeve të mëdha në BE

| 9:48
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI xhezair-zaganjori

Dy ditë më parë, më 1 Kor rik 2020, Republika Federale Gjermane mori presidencën 6-mujore në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian, që do të thotë se këtë detyrë ajo do ta ketë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Shpresa dhe pritshmëritë e kësaj presidence janë shumë të mëdha, pasi flitet për Gjermaninë, e cila në fakt konsiderohet lokomotiva apo motori kryesor i kësaj organizate ndërkombëtare, e cila për 70 vjet me radhë ka qenë dhe mbetet garancia më e madhe për paqen, bashkëpunimin dhe zhvillimin e gjithanshëm në Europë. Megjithatë, aktualisht ajo po përjeton një nga momentet më të vështira që nga krijimi i saj. Kriza shëndetësore, ekonomike e financiare imponuar nga pandemia Covid–19;, dobësimi i solidaritetit të brendshëm dhe pamundësia e menaxhimit të përbashkët të kësaj krize të rëndë; rritja e papunësisë dhe problemet e shumta sociale të krijuara në të gjitha shtetet anëtare nga kjo situatë; çështjet e ndryshimit të klimës dhe mbrojtjes së ambientit; rënia e besimit të qytetarëve evropianë ndaj saj; problemet me dimensionin e vlerave në disa prej shteteve anëtare, veçanërisht lidhur me funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e gjykatave dhe respektimin e të drejtave të njeriut; mungesa e konsensusit të gjerë për çështjet e azilit dhe të migracionit; mungesa e qëndrimeve unike për prioritetet me aleatët strategjike, veçanërisht me SHBA-në dhe me Britaninë; e të tjerë, janë aktualisht disa nga problemet kryesore të saj. Pikërisht për këto arsye, mendohet me të drejtë se një vend me energji të pashtershme si Gjermania, e cila së bashku me Francën i kanë dhënë gjithnjë vrullin e madh për zhvillim Bashkimit Europian, do të dijë të përcaktojë edhe tani prioritetet kryesore për kapërcimin e kësaj situate të padëshirueshme, duke hedhur themelet për ndryshime të mëdha e të qenësishme me afat të mesëm apo afat të gjatë, brenda familjes së përbashkët europiane. Pa dyshim që kjo kërkon punë të madhe përgatitore dhe mobilizim të burimeve të mëdha financiare e njerëzore. Për këtë qëllim flitet tashmë që ndër të tjera, është e gatshme të angazhohet një administratë gjermane jashtëzakonisht e madhe, e përgatitur dhe e përkushtuar për zbatimin konkret të masave në kuadër të prioriteteve të përcaktuara që më parë.

Në fakt, sipas traktateve, Këshilli i Ministrave është pa dyshim një nga shtatë institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Por në dallim nga dy institucionet e tjera, që së bashku përbëjnë boshtin apo trekëndëshin institucional, Parlamentin Europian që përfaqëson interesat e qytetarëve evropianë dhe Komisionit që është mekanizmi kryesor i kontrollit të zbatimit të acqui-së së BE dhe mbrojtës i interesave të Bashkimit, Këshilli i Ministrave përfaqëson interesat e shteteve anëtare, duke pasur sigurisht parasysh axhendën e tyre europiane. Si i tillë, Këshilli i Ministrave paraqitet si organi kryesor ligjvënës i BE-së dhe si realizues permanent i objektivave kryesorë të tij. Në kuadër të zvogëlimit të të ashtuquajturit deficit demokratik dhe forcim të parimit të legjitimitetit institucional, në këto procese është rritur dukshëm vitet e fundit vendi dhe roli i Parlamentit Europian, veçanërisht pas Traktatit të Lisbonës. Në varësi të ministrave që mblidhen në zbatim të kompetencave që ka ky mekanizëm, Këshilli i Ministrave ushtron aktivitetin e tij në 10 formacione të ndryshme, të cilat drejtohen nga ministrat respektivë të shtetit që ka presidencën 6-mujore, me përjashtim të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme, të cilin e drejton ex officio Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, që aktualisht është z.Josef Borell, pasues i znj. Mogerini.

Presidenca në Këshillin e Ministrave ka për funksion të garantojë kryesimin e takimeve jo vetëm të formacioneve të tij kryesore, pra të ministrave respektivë të vendeve anëtare, por edhe të mekanizmave të shumta në ndihmë të tyre, siç janë takimet e rregullta të ekspertëve dhe diplomatëve në të ashtuquajturat Coreper 1 dhe Coreper 2; te rreth 200 komiteteve apo grupeve të tjera të punës në ndihmë të tyre, si dhe takimet e shumta formale dhe joformale në kuadër të tryezave të përbashkëta të punës apo konferencave për çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me angazhimet dhe detyrat e këtij institucioni shumë të rëndësishëm të BE-së.

Për të garantuar një vazhdimësi e qëndrueshmëri më të madhe në trajtimin e prioriteteve të Bashkimit Europian, rreth 10 vjet më parë, në kuadër të rregullimeve të Traktatit të Lisbonës, është përcaktuar nevoja e konsultimeve të përbashkëta për këtë qëllim mes tri shteteve që kanë me radhë njëri pas tjetrit presidencën në Këshillin e Ministrave, i ashtuquajturi “grupi i të treve”, i cili duhet të përgatisë një axhendë të përbashkët të Bashkimit për të gjithë periudhën prej 18 muajsh, bazuar në programin legjislativ të Komisionit, si dhe problemet kryesore të saj në nivel europian dhe ndërkombëtar. Megjithatë, në kudër të këtij plani strategjik afatmesëm, presidenca respektive 6-mujore ka të drejtë dhe detyrë të specifikojë e detajojë në hollësi prioritetet e saj gjatë kësaj periudhe. Aktualisht, “grupi tresh” përbëhet nga Gjermania që sapo mori presidencën, Portugalia që e merr në gjysmën e parë të vitit që vjen (2021) dhe Sllovenia që e merr në gjysmën e dytë të po këtij viti. Të tria këto shtete bashkërisht, nën moton “Për një Europe më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme”, kanë përcaktuar muaj më parë prioritetet e periudhës 18-mujore. Por, zhvillimet më të fundit të përmendura më sipër e në mënyrë të veçantë pandemia e Covid– 19, i kanë imponuar një sërë ndryshimesh substanciale të këtij programi dhe posaçërisht të presidencës së tanishme gjermane. Në këto kushte, motoja e saj për këtë presidencë 6-mujore do të jetë: “Së bashku për rimëkëmbjen e Europës”. Pa dyshim që kjo presidencë po elaboron këto ditë më qartësisht prioritetet e BE-së për gjysmën e dytë të këtij viti. Pas pak ditësh, më 8 korrik 2020, mbi këtë temë do të flasë në Parlamentin Europian vetë Kancelarja Merkel, fjala e së cilës që tani pritet me interes të jashtëzakonshëm. Po kështu, me interes shumë të madh në këtë drejtim pritet edhe takimi i radhës së Këshillit Europian (kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të shteteve anëtare në BE), i cili do të mbahet në datat 17–18 korrik 2020 në Bruksel. Po kështu, edhe punimet e Konferencës mbi të Ardhmen e Europës, e cila do të fillojë gjatë vjeshtës së këtij viti dhe do t’i përfundojë në qershor të vitit 2022, në fund të presidencës franceze në Këshillin e Ministrave, janë një shans i mirë për adresimin e këtyre shqetësimeve. Megjithatë, për sa është prezantuar deri tani nga autoritetet shtetërore gjermane, mund të thuhet se prioritetet kryesore të presidencës së saj do të jenë:

1) Kapërcimi i pasojave të krizës së pandemisë Covid–19 dhe rimëkëmbja ekonomike dhe sociale e hapësirës europiane. Në këtë drejtim, vëmendja do të përqendrohet te lufta kundër përhapjes së virusit; forcimi i masave parandaluese; trajtimi i të sëmurëve; mbështetja e gjithanshme e procesit të gjetjes së vaksinës dhe administrimi i procesit të vaksinimit; ndihma e përshtatshme ekonomike për rimëkëmbjen e të gjitha kategorive të biznesit; lufta kundër papunësisë dhe forcimi i kohezionit social në Europë; rregullimi sa më i mirë i lirisë së lëvizjes në BE e të tjerë. Në këtë drejtim, vëmendja do të përqendrohet fillimisht te puna përgatitore për hartimin e buxhetit 6- vjeçar të BE-së për vitet 2021–2027, si dhe zbatimi hap pas hapi i nismës franko–gjermane mbi rindërtimin dhe ringjalljen ekonomike të shpallur më 18 maj të këtij viti, përmes të cilit do të grumbullohen, shpërndahen e administrohen rreth 750 miliardë euro për të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

2) Garantimi i një Europe më të fortë dhe më inovative, gjë që do të thotë përgatitja e një Bashkimi më të aftë për të qenë në gjendje të përballojë në të ardhmen situata edhe më të ndërlikuara e më të vështira se ajo që u krijua nga Covid–19. Po në këtë kuadër, synohet që të investohet më shumë në fushën e kërkimit shkencor dhe të teknologjisë së përparuar, në mënyrë që në hapësirën europiane të zhvillohet një ekonomi sa më moderne, që të jetë në gjendje t’i përgjigjet kohës dhe pritshmërive të qytetarëve evropianë. Po kështu, do të synohet edhe thellimi i procesit të dixhitalizimit e përmirësimit të infrastrukturës, në funksion të krijimit të kushteve për një ekonomi sa më solide e të integruar mes shteteve anëtare.

3) Krijimin e një Europe sa më të drejtë e me koherencë të brendshme sa më të qëndrueshme. Ky objektiv, në fakt vjen njëkohësisht edhe si reagim ndaj dobësive e problemeve të shumta që u shfaqen për shkak të mungesës së theksuar të solidaritetit mes shteteve anëtare, veçanërisht gjatë fazës së parë të pandemisë. Për shumë kohë, Italia mori më shumë vëmendje e mbështetje konkrete nga vende jashtë BE-së, sesa nga vetë shtetet anëtare të kësaj organizate. Vetëm Gjermania do të ishte më pas vendi që do të merrte përsipër kurimin brenda territorit të saj të mjaft të sëmurëve rëndë nga Italia apo Franca. Megjithatë, me të drejtë u theksua se reflekset apo interesat nacionaliste të çastit mund ta kthejnë shumë prapa Europën, nëse në të ardhmen do të mungojë sërish vullneti për të reaguar bashkërisht e në mënyrë të koordinuar dhe efektive.

4) Trajtimi me prioritet i problemeve që lidhen me ndryshimet e klimës dhe mbrojtjen e ambientit. Për këtë qëllim, Gjermania ka deklaruar qartësisht se mbi të gjitha nevojiten masa konkrete në të gjithë hapësirën europiane për reduktimin e dukshëm të gazit karbonik. Pikërisht kjo duhet të jetë pika kryesore e referencës së çdo aktiviteti ekonomik në të ardhmen. Nga ana tjetër, theksohet se bazë për trajtimin e çështjeve të ambientit duhet të jetë Traktati i Parisit mbi Ndryshimet e Klimës i vitit 2016, si dhe Akordi i Gjelbër Europian (European Green Deal), i shpallur si objektiv i Komisionit Europian në fushën e mbrojtjes së ambientit më 1 dhjetor të vitit 2019.

5) Krijimi i një Europe që garanton realisht vlerat e përbashkëta e në mënyrë të veçantë parimet e demokracisë, të shtetit të së drejtës si dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut. Në këtë drejtim kërkohet angazhim më i madh dhe i përbashkët i BE-së për mbrojtjen e parimeve të demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe të lirive të tjera individuale. Po kështu, synohet që vëmendja të përqendrohet edhe në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor në disa nga shtetet anëtare, që kanë pasur probleme të dukshme në këtë fushë, veçanërisht në ish-vendet socialiste të Europës Qendrore e Lindore, që tashmë janë anëtare me të drejta të plota në familjen europiane. Po në këtë kuadër kërkohet të trajtohen më qartë e më mirë çështjet që kanë të bëjnë me Hapësirën Europiane të Lirisë dhe të Sigurisë e në mënyrë të veçantë me unifikimin e praktikave të azilit dhe të migracionit mes shteteve anëtare, duke bërë ndryshime të rëndësishme në Rregulloret e Dublinit, si dhe në përcaktimet më të qarta të lëvizjes së lirë në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Shengenit.

6) Politika e jashtme është e fundit për nga radha, por sigurisht që jo për nga rëndësia, mes prioriteteve të presidencës gjermane në Këshillin e Ministrave. Në këtë fushë, sigurisht që kërkohet e synohet një Europë më e fortë dhe me një zë më të fuqishëm në planin ndërkombëtar, në partneritet strategjik me SHBA. Në planin më konkret, objektivi primar është përfundimi deri në fund të këtij viti i një traktati me Britaninë, në kuadër të Brexit. Mungesa e vullnetit për përfundimin e një traktati të tillë nga ana britanike vlerësohet se do të ishte mjaft e rrezikshme dhe shumë problematike për të dy palët, Britaninë dhe Europën. Sigurisht që për BE-në janë me shumë rëndësi edhe qartësimi më i mirë në të ardhmen i marrëdhënieve me Kinën, si dhe çështja e fatit të marrëveshjes bërthamore me Iranin. Po në fushën e politikës së jashtme është planifikuar edhe një paketë shumë e rëndësishme ndihme për vendet e Afrikës. Për këtë qëllim, BE planifikon të organizojë edhe një konferencë të veçantë në tetor të këtij viti.

Siç shihet, presidenca aktuale gjermane në Këshillin e Ministrave është tepër e ngarkuar. Sepse të tilla janë ngjarjet, zhvillimet e problemet me të cilat ballafaqohet sot jo vetëm Bashkimi Europian, por edhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi. Vetëm një program i tillë ambicioz mund të bëjë të mundur kapërcimin e vështirësive të tanishme. Megjithatë, përpikëria, përkushtimi dhe serioziteti gjerman janë një garanci më shumë për realizimin sa më mirë të këtyre objektivave dhe për vetë suksesin e kësaj presidence mjaft të vështirë. Ky është një shans edhe për vetë Gjermaninë, për të kontribuar edhe më shumë në këto momente delikate për të ardhmen e Europës, si një projekt madhor e vendimtar për të gjithë qytetarët europianë, pavarësisht se nisma dhe ecuria e tij janë përcaktuar gjithnjë nga raportet franko–gjermane. Por edhe në këtë rast shpresohet me të drejtë se promotorë të këtij procesi do të jenë sërish Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron, një dyshe që ushqen me ide e energji të pashtershme këtë organizatë të magjishme ndërkombëtare. Kjo aleancë dhe ky bashkëpunim i ngushtë dhe i sinqertë të kujton edhe historikisht mirëkuptimin e bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Aristid Briand dhe Gustav Stressemanit në vitet 20’ të shekullit të kaluar dhe më vonë edhe ndërmjet Adenauerit dhe Shumanit e më pas edhe të Adenauerit me De Golin, mes Vili Brandit dhe Pompidus, mes Helmut Schmidit dhe Valery Zhiskar d’Estain, e sidomos atë të viteve 80’ e 90’ ndërmjet Helmut Kohlit e Fransua Miteranit. Megjithatë, tashmë duket qartë se përveç këtij angazhimi, kërkohet bashkëpunimi, kontributi e pjesëmarrja aktive edhe e anëtarëve të tjerë, pa përjashtim, të mëdhenj e të vegjël. Vetëm kështu mund të garantohet suksesi i plotë dhe rrugëtimi i pandërprerë i Bashkimit Europian.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.