Shabani: Një sallë për të “shfryrë” presionin e artistëve

May 28, 2015 | 10:12
SHPËRNDAJE

Kush ka kaluar para Galerisë Kombëtare të Arteve kohët e fundit, i ka tërhequr patjetër vëmendjen fotografia e një femre nudo që formonte me duar simbolin e shqiponjës (Tani është zëvendësuar nga një pikturë e Sali Shijakut). Dikush e quajti “kitsch”, të tjerë
“seksizëm” e të pavend hapjen e një ekspozite me foto femrash nudo në GKA.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani

Por më shumë se niveli i rëndomtë, që nuk i shton pikë Galerisë Kombëtare, por vetëm autorëve të tyre, që do pasurojnë CV-në, ajo që ra më shumë në sy, ishte fakti se ajo është hapur aty, ku deri para do muajsh gjendej pavijoni “Fillesat e pikturës në qytetet Shqiptare (1883 – 1930)”, pjesë e linjës muzeale. Është mbyllur një pavijon (në një kohë që katin e tretë e ka mbyllur Prokuroria), duke e rrudhur edhe më linjën muzeale, për të cilën prej kohësh thuhet se do të zëvendësohet. 

Por një linjë e re kërkon ide edhe para. Të parat, drejtori i GKAsë Artan Shabani thotë se nuk mungojnë. Shndërrimin e pavijonit, vetëm për një vit, në sallë ekspozitash të shpejta, 10-15 ditore, Shabani e argumenton me “presionin” e vazhdueshëm të artistëve për të ekspozuar në GKA. Një “presion” që nuk ka munguar asnjëherë në këtë institucion, më të rëndë- sishmin në vend për artet pamore.

Mes drejtorëve paraardhës ka pasur nga ata që nuk e mbanin dot presionin dhe ekspozonin edhe në korridore, madje disa ekspozita brenda ditës, siç kishte edhe nga ata që nuk e hanin fare “presionin” e akuzoheshin për “mbyllje” të GKA-së. Shabani e ka gjetur një të mesme. Në një intervistë për “Panoramën”, drejtori Artan Shabani tregon për sallën e ekspozitave, aktivitetet e këtij viti, përbërjen e bordit, arsyet pse nuk ka në të artistë të arteve pamore, përzgjedhjen me konkurs të kuratorit të “Onufrit”, anashkalimin e GKA-së në procesin e ngritjes së pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias etj.

Tashmë “Onufri” ka një kurator (grup kuratorësh), si u bë selektimi?
Tashmë Galeria e Arteve ka shpallur dhe publikuar në web sitin e vet, fituesin e projektit Venera Stenke, Gjermani dhe Andrea Pagnes, Itali, që jetojnë dhe punojnë në Berlin. Janë kuratorë me një CV shumë të pasur, me pjesëmarrje të gjerë në aktivitete ndërkombëtare, me të cilën është e thjeshtë të konsultohesh në internet. Ata kanë performuar më parë në GKA, por kanë marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera të mëparshme në Shqipëri, çka do të thotë se e njohin shumë mirë kontekstin artistik shqiptar. Ne menduam mënyrën më të mirë të mundshme, për të qenë sa më të hapur e të qartë. Ndryshe nga herët e tjera, u ngrit një këshill organizativ, ku kam përfshirë eksponentë të skenës së pavarur artistike, siç është galeria “Zeta” me drejtoreshë Valentina Koçin, Andi Tepelenën nga Fondacioni Art Kontakt, shumë aktiv në aktivitetet e 10 viteve të fundit, Ermir Hoxhën, nga Galeria FAB. Na u duk një mentalitet i freskët, një oksigjen ndryshe dhe një këndvështrim ndryshe. Plotësuar edhe nga stafi i Galerisë, Genti Gjikola dhe Suzana Varvarica, me koordinatore Iliada Korçarin. Ky këshill u mblodh dhe vendosi projektin më të mirë për edicionin XXI. Kishte edhe dy aplikantë të tjerë, të cilët u morën në konsideratë, por si në çdo festival apo konkurs, do të zgjidhej një fitues.
Përse ishte i nevojshëm një konkurs, nuk mund t’i besohej GKA-së përzgjedhja dhe ftesa e një kuratori?
Personalisht do isha me versionin e dytë, pasi kur zgjidhet një drejtues institucioni, sigurisht që i jepet besimi për orientimin dhe njohjet që ka në skenën e artit kombëtar apo ndërkombëtar. Përmes konkursit ne testuam edhe interesin që ka për një aktivitet si “Onufri”. Kostot janë ato që janë dhe kuratorët dhe drejtuesit e muzeumeve të huaja kanë të tjera pretendime dhe ne veprojmë sipas mundë- sive që kemi për të organizuar diçka serioze. Vendosëm me konkurs, për të eliminuar edhe keqinterpretimet, që në vendin tonë shpesh ndodhin me ose pa dashje. M’u duk më demokratike, më e hapur, ndoshta më e ndërlikuar, por më demokratike, ashtu si vepruam në edicionin XX, që gjithçka është publikuar on line.
Ky muaj shënoi edhe hapjen e Bienales së Venecias, ku ishte e pranishme edhe Shqipëria. Vumë re se GKA ishte mënjanuar nga organizimi, përse?
GKA nuk ka qenë pjesë e Bienales së Venecias. Në vitet e mëparshme unë nuk kam jetuar në Shqipëri dhe nuk e di si është strukturuar selektimi i artistit apo grupit të artistëve, që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete kaq të rëndësishme. GKA është një institucion nën varësinë e Ministrisë së Kulturës dhe në këtë Bienale gjithçka është organizuar prej MK. Ka funksionuar me konkurs, nga u zgjodh koncepti kuratorial dhe artisti. Por për sa i përket pavijonit shqiptar, më shumë i kemi lexuar në gjuhë të huaja, nuk e di pse në mediat tona nuk kemi pasur ndonjë informacion më tepër nga artisti.
Mos ndoshta Galeria Kombëtare e Arteve, si institucioni kryesor i arteve pamore, duhet të ishte më e pranishme në këtë proces?
Jam dakord me ju. Ndoshta të gjithë do të ishin me këtë mendim, por në këtë rast ishte vetë MK që u mor me organizimin e përfaqë- simit tonë në Bienale, ashtu si edhe në atë të arkitekturës. E rëndësishme është të ketë një përfaqësim dinjitoz. Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, shkoi enkas në Venecia dhe është një gjest serioz nga ana e saj, kundrejt vendit dhe pavijonit shqiptar. Dhe është një gjest për t’u falënderuar. Do të shpresoja që GKA, institucioni më i rëndësishëm për artet pamore, të kishte një mundësi të ishte pjesë e tryezës në procesin e organizimit. Më duket shumë normale kjo gjë. Por ne nuk kemi qejfmbetje, e rëndësishme është të paraqitemi me dinjitet.
Në katin e parë të Galerisë, në vend të pavijonit të linjës muzeale, ju keni hapur një sallë ekspozitash, përse ky transformim?
GKA nuk e fsheh që ka gjithnjë një presion, që vjen nga dëshira e artistëve për të qenë të prezantuar në një institucion kombëtar. Kushdo, me një prepotencë të pavetëdijshme dhe me insistim, e kërkon këtë gjë. Unë nuk kam njohur ende një artist shqiptar ose jo të refuzojë të ekspozojë në Galerinë Kombëtare. Një institucion ku punohet mirë, e duan të gjithë, pasi u ngre reputacionin artistik. Salla e katit të parë nuk do të jetë definitive për të bërë ekspozita. Është një moment i përkohshëm. Do të funksionojë vetëm për një vit, si një valvul shkarkimi, sepse nuk duam që në sallën e madhe të bëjmë ekspozita 10 apo 15 ditë. Ekspozitat serioze duhet të jenë të hapura nga 3- 6 muaj. Ky është një luks për artistin dhe institucionin. Në 2016, GKA do të punojë për ekspozitat e përkohshme vetëm në sallën e madhe. Salla e vogël është pjesë e linjës muzeale dhe do të jetë sërish pjesë e saj. Është thjesht një kamerdare shpëtimi ndaj këtij presioni, por edhe për t’i dhënë publikut gjëra që nuk kanë nevojë për kaq shumë kohë.
Ç’ekspozita pritet të hapen në GKA?
Në sallën e madhe të ekspozitave kemi pasur “100 vjet vizatim shqiptar”, themeluesin e realizmit kapitalist Sigmar Polke, “Punëtorët dalin nga studio duke mos parë më realizëm socialist”, do të kemi ekspozitën e Sali Shijakut, një nga artistët më të njohur në skenën e artit shqiptar gjatë periudhës së realizimit socialist, por edhe pas saj. Do të kemi “Onufrin”, presim një konfirmim për Damien Hirst në sezonin e vjeshtës, një projekt që vjen nga Sllovakia dhe ngjarje të tjera. Në sallën e vogël do të ekspozojmë Remijon Pronjën, Lek Tasin, artistin Bujar Luca, që jeton dhe punon në Paris.
A janë miratuar këto aktivitete nga bordi artistik i GKA?
Çdo aktivitet që zhvillohet në GKA kalon në bord. Ato u nënshtrohen disa kritereve të vendosura më parë.
Nuk keni artistë në përbërje të bordit, pse e keni menduar kështu?
Në bord kemi njohës shumë të mirë të diplomacisë, historianin Pëllumb Xhufi, presidentin e Fondacionit EDS, Renis Tërshana, botuesen Arlinda Dudaj, galeristin Krenar Zejno, gazetarin Ismail Ademi, si dhe një përfaqësues të Ministrisë së Kulturës. E kemi menduar kështu se artistët i kemi vazhdimisht në Galeri dhe konsultohemi me mendimet e tyre. Galeria e Arteve duhet të jetë shtëpia e çdo artisti dhe e çdo shqiptari, dashamirës të artit. E pa dyshim edhe për gjithë fëmijët, për të cilët në 1 Qershor, Galeria Kombëtare e Arteve, me ndihmesën e Fondacionit FAVA dhe insistimin e Ministrisë së Kulturës, do të inaugurojë Atelienë e edukimit përmes artit dhe kulturës. Jemi në fazën e mbylljes së punimeve, falë punës së arkitektes së re Olesia Lami, e cila do të lërë gjurmën e vet në këtë institucion.
Përmendët linjën muzeale, tashmë ajo është cunguar, pasi pavijoni i katit të parë është kthyer në sallë ekspozitash, ndërsa kati i tretë mbahet peng nga prokuroria, cila është e ardhmja e saj?
Prokurorisë shqiptare i jemi drejtuar disa herë në rrugë institucionale për çlirimin e saj. Si nevojtarë të kulturës, e dimë shumë mirë rëndësinë e një pavijoni. Për momentin pavijoni i artit bashkëkohor është zënë nga disa objekte kishtare dhe ne kemi këmbëngulur që ai të na “rikthehet”, të dezinfektohet e të lyhet, për t’u vënë në shërbim të linjës së re muzeale.
Cili është koncepti juaj mbi linjën e re?
Tashmë kemi gati konceptin e një linje të re muzeale. Më duket politikisht korrekt, inteligjente dhe profesionale të ftoj në një tryezë të përbashkët ish-drejtues të GKA-së, studiues arti, kuratorë e drejtues muzeumesh të rëndë- sishme europiane, për të diskutuar mbi linjën. Nuk më duket normale që një linjë të rrijë 10 vjet në Galeri. Personalisht do të doja që çdo një vit e gjysmë apo dy vjet, linja të ndryshojë. Në këtë mënyrë i jep mundësi vizitorit të njihet me gjithë fondin kombëtar dhe këtij të fundit i jepet mundësi të ekspozohet. Do të propozoj që linja e re të ketë edhe pllakatin, edhe grafikën, vizatimin, bocetin, pikturën në kinematografinë dhe teatrin shqiptar. Pra, copëza për të kuptuar më mirë një periudhë të caktuar. Gjithashtu kemi vitet ’90 që duhet të jenë objekt studimi, për të parë se si një artist ndryshon totalisht dhe kërkon referenca që i ka pasur brenda vetes. Kemi gati 90% të punës. Por linja ka nevojë për një katalog, për kornizim, restaurim. Por unë jam entuziast, pasi Ministria e Kulturës e ka mbështetur fuqimisht dhe do të kemi një linjë muzeale.
Kur?
Puna ka nisur që në janar, do të bëjmë seleksionimin e veprave, por nuk mund të vendosim asnjë, nëse Galeria nuk dezinfektohet apo nuk lyhet, gjë që nuk ndodh prej 6-7 vjetësh. Do të donim që Galeria të bëhej e prekshme për të gjithë, për të verbrit, për ata me aftësi të kufizuara; në holl të mund të shfaqnim në ekrane të gjitha veprat e fondit; gjithashtu linjën aktuale, e cila ka rezultuar e suksesshme e për të cilën është punuar me seriozitet, ta xhirojmë dhe fotografojmë, në mënyrë që ajo të mbetet. Një njeri me mendje të hapur nuk e fshin kurrë memorien e një institucioni.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura