Sfidojnë bardheblutë në kryeqytet, flet Vukiçeviç: Jam mësuar me presionin, Laçi ndaj Tiranës luan për tre pikë

Oct 3, 2021 | 9:10
SHPËRNDAJE

Laçi nën drejtimin e trajnerit Dejan Vukiçeviç ende nuk e ka shijuar fitoren e parë sezonale dhe të dielën e pret një duel i vështirë me Tiranën në transfertë, ku pa dyshim kurbinasit synojnë trepikëshin e parë. Laçi vjen i plotë për sfidën me bardheblutë dhe këtë gjë e pranon për “Panorama Sport” edhe trajneri Dejan Vukiçeviç, i cili pohoi se Laçi është përgatitur gjatë javës për të zhvilluar një lojë serioze ndaj një prej rivalëve më të fortë të Superiores.

Dejan Vukicevic

“Skuadra është e plotë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur. Nuk kemi asnjë problem apo dëmtim. Përgatitemi për të zhvilluar një lojë shumë serioze, me një nga rivalët më të fortë në kampionat”, u shpreh fillimisht trajneri malazez i Laçit.

PRITSHMËRITË – I pyetur se çfarë pret nga ndeshja me Tiranën, trajneri Vukiçeviç u shpreh: “Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e hapur, sepse si Laçi dhe Tirana kanë nevojë për pikë. Ekipi im do të dalë për të luajtur në stilin tonë, duke u përpjekur të kontrollojmë lojën, duke e ditur se shumë gjëra duhet të bëjmë në një nivel të mirë, nëse duam të jemi të lumtur pas ndeshjes”.

PRESIONI I REZULTATEVE – Laçi ende nuk e ka shijuar fitoren e parë, si në Kupë dhe kampionat. Në kushtet aktuale, parimisht ndihet presioni i rezultateve te kurbinasit. Por timonieri e quan situatë normale, pasi në futboll gjithnjë ka presion. I pyetur se a e ndien trajneri Vukiçeviç dhe lojtarët presionin e mungesës së rezultateve, trajneri malazez për gazetën u përgjigj: “Presioni ekziston gjithmonë, normalisht pozitiv dhe jo vetëm para kësaj ndeshjeje.

Është një përgjegjës që ndihet dhe unë e kuptoj si diçka normale në futbollin profesionist. Më motivon mua personalisht dhe jam gjithmonë i lumtur që kam një kundërshtar të mirë, siç është Tirana. Shpresoj që ekipi im të jetë i motivuar mirë, pa presion shqetësues, por me përgjegjësi, me krenari dhe personalitet.

Skuadra duhet të tregojë të gjitha mundësitë në këtë ndeshje, është shumë e rëndësishme të dalësh nga ky kalendar i fortë me një rezultat pozitiv, pastaj kemi dy javë për një punë me më shumë gëzim dhe të lumtur”.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura