Sfidat në sektorin Ujësjellës-Kanalizime, marrëveshje mes rregullatorëve në Ballkan

May 19, 2022 | 13:56
SHPËRNDAJE

Katër rregullatorë ekonomikë të sektorit të ujërave në Ballkanin Perëndimor nënshkruan sot memorandumin e parë të bashkëpunimit, përmes të cilit adresohen sfidat e përbashkëta në fushën e Ujësjellës-Kanalizimeve, avancimin e implementimit të legjislacionit të BE-së për ujërat dhe vendosjen e themeleve për një program bashkëpunimi rajonal.

Linje-e-re-ujesjellesi-Durres2

Në një ceremoni të organizuar nga Enti Rregullator i Ujit, krerët e autoriteteve rregullatore në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit, në prani të zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Enkelejda Muçaj dhe Presidentit të Shoqatës Europiane të Rregullatorëve të Ujit, z. Andrea Guerrini.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i ERRU, Z. Ndriçim Shani, deklaroi se kjo është dita kur katër rregullatorët ballkanikë mblidhen në një tryezë, por bashkëpunimi midis tyre daton më herët përmes marrëveshjeve dypalëshe, që me kalimin e kohës lindi nevoja për ta çuar në një shkallë më lart këtë marrëdhënie midis shteteve, të cilat krahas elementeve të përbashkëta, kanë edhe diferenca në sektorin e ujit.

“Në rajonin tonë ekzistojnë ngjashmëri dhe faktorë të përbashkët që i karakterizojnë rregullatorët kufitarë me njëri-tjetrin, si: mentaliteti, shkalla e zhvillimit, modeli i qeverisjes së sektorit të ujit, dimensionet e zonave të shërbimit dhe popullsisë të mbuluara me shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Por të gjitha kanë një mision të përbashkët: përmirësimi i performancës e qëndrueshmërisë financiare të sektorit, si dhe garancia që shoqëritë UK në një ambient monopol t’u ofrojnë konsumatorëve shërbime me cilësi të lartë dhe larg abuzimeve me tarifa të pajustifikuara”.

Në emër të WAREG, Shoqatës Europiane të Rregullatorëve të Ujit, ku janë të anëtarësuar katër rregullatorët, presidenti z. Andrea Guerrini garantoi ofrimin e ekspertizës teknike dhe mbështetjen institucionale në favor të bashkëpunimit rajonal të rregullatorëve në sfidat vendimtare që janë identifikuar dhe në përfarimin me standardet e BE-së.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Enkelejda Muçaj, përgëzoi iniciativën e ndërmarrë nga ERRU, e cila do t’i shërbejë Shqipërisë veçanërisht në një moment delikat që po kalon tani, agregimi i shoqërive UK. Pasi falënderuan vendin mikpritës të takimit, Rregullatorët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë nënvizuan se ky dokument shënon një moment historik dhe është i një rëndësie të veçantë për forcimin e bashkëpunimit me përfitime ekonomike dhe mjedisore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura