Sfidat e sigurisë në Europë

Feb 27, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

FATMIR MEDIU

    Sfidat e sigurisë në Europë nuk janë të ndara nga sfidat e sigurisë globale.
Ajo çka ndryshon sot, është një zhvillim i shpejtë i kërcënimeve në mënyrën më brutale dhe shoqëruar me pasiguri kudo.
1-Së pari duhet të përcaktojmë se:
A janë sfidat siç konsideroheshin rreth 2 vjet më parë?
Pa dyshim ato sot janë një kombinim i shumëfishtë mjetesh konvencionale dhe jo konvencionale lufte, që përfshin luftën ekonomike, sulmet kibernetike, diplomacinë, luftën e informacionit dhe propagandës, mbështetjen e konflikteve lokale, përfshirjen e forcave jo të rregullta ushtarake, forcave speciale dhe forcave të rregullta ushtarake.
Komandanti Suprem i Aleancës, Gjeneral Breedlove, e karakterizon konfliktin në Ukrainë si një luftë hibride duke përdorur të gjitha mjetet që ata kanë për të krijuar destabilitet në Ukrainë, përdorimin e mjeteve financiare, të propagandës dhe informacionit për të justifikuar luftën në emër të Rusisë, krijimin e problemeve, dërgimin e forcave të rregullta dhe të parregullta ushtarake, për të nxitur përplasje dhe probleme.
2- Së dyti: Lufta kundër terrorizmit; si po përballohet ajo??
Për herë të parë idenë e krijimit të Shtetit Islamik e kam dëgjuar gjatë një vizite në CENTCOM, në Florida në 2006, si dhe më vonë në Komandën për Transformim të NATO-s në Norfolk, në shpjegimet që u dhanë rreth veprimeve të Al Qaedes dhe grupeve terroriste në Irak.
Presidenti Bush pas sulmeve të 11 shtatorit, ka theksuar se: “War on terror begins with Al Qaeda, but it does not end there… It will not end until every terrorist group of global reach has been stopped and defatted.”
ISIL është tashmë një rrezik më i madh se Al Qaeda. ISIL është tashmë një organizatë terroriste me potencial dhe mjete ushtarake, me asete rreth 2 miliardë dollarë dhe një numër luftëtarësh sipas CIA mbi 30 mijë veta. Ndërsa burimet kurde flasin për shumë më tepër. Harta e shtrirjes së luftëtarëve të huaj është e shpërndarë në gjithë globin. Në vende të zhvilluara dhe jo të zhvilluara, si dhe në Ballkan.
3- Së treti: Kriza e refugjatëve; si po përballohet ajo?
Rreth 207 000 refugjatë kanë tentuar të kalojnë Detin Mesdhe në 2014, ndërsa 3,400 prej tyre kanë humbur jetën. Situata është tepër kritike, sidomos për Italinë dhe pa dyshim për Europën, e cila është pa një plan veprimi për t‘u përballur dhe kontrolluar këtë fluks të madh emigrantësh. Pope Francis – Është e nevojshme të ketë një përgjigje të përbashkët për çështjen e migracionit. Ne nuk mund të lejojmë që Mesdheu të kthehet në një varrezë masive.
Kjo rrugë emigracioni mund të përdoret siç është pretenduar nga drejtues të ISIS për të trafikuar terroristë në Europë dhe si një mundësi bashkëpunimi e terroristëve me grupet mafioze kriminale të trafikut të drogës dhe armëve.
4-Së katërti: Siguria energjetike
Cila do jetë natyra e lojës së re globale për gazin- si do e sigurojnë shtetet atë, nëpërmjet tregtimit apo ndërvarësisë?
Cila është rruga e drejtë e Europës për të garantuar sigurinë e vet energjetike – pavarësia apo ndërvarësia? Tashmë është evidente se shumë vendime janë të ndërvarura nga kjo marrëdhënie.
Marrëveshja e Kinës me Rusinë pa dyshim merr një përmasë globale në konceptin e sigurisë.
Europa ende nuk ka një strategji koherente për të siguruar furnizimin me Shale Gas, që ka krijuar avantazhe sinjifikative për SHBA.
5- Forca dhe teknologjitë e mbrojtjes
Rënia e buxheteve të mbrojtjes ka krijuar një problem të madh për sigurinë kolektive dhe industritë ushtarake, si dhe në nivelet operacionale, sidomos në Europë.
NATO është koalicioni politiko-ushtarak më i fuqishëm në glob dhe roli i NATO-s në garantimin e sigurisë jo thjesht europiane.
Mbrojtja kolektive si koncept, jo thjesht qëndrimet politike, por ajo kombinon nivelet operacionale ndërveprimin dhe teknologjitë e domosdoshme ushtarake për t‘iu përgjigjur po kolektivisht sfidave kudo që janë, çdo vend duhet të ketë rolin dhe kontributin e tij.
Shumë vende anëtare të NATO-s nuk po plotësojnë detyrimet për shpenzimet ushtarake, përkundrazi, i kanë ulur ato ndjeshëm.
Samiti i Uellsit vendosi ndalimin e uljeve në shpenzimet e mbrojtjes, angazhimin politik për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në termat realë të rritjes së GDP, konfirmimin e angazhimit për të lëvizur drejt 2%, me qëllim që të arrihen kapacitetet e përcaktuara të NATO-s.
Por situata e pas-Uellsit tregon të kundërtën:
Ne si Shqipëri kemi një vendim të Parlamentit për të garantuar 2% të GDP deri në 2020 për shpenzimet e mbrojtjes. Kjo është një përgjegjësi politike që e kemi vendosur së bashku dhe duhet ta mbajmë, duke mbështetur ministren e Mbrojtjes në arritjen e këtij objektivi, jo thjesht si premtim ndaj NATO-s, por si domosdoshmëri për të garantuar një FA operacionale dhe të ndërveprueshme.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të kthehet në një institucion të rëndësishëm dhe funksional të analizës dhe vendimmarrjes për çështjet tona të sigurisë
Ndarja e peshës së mbrojtjes kolektive dhe e përgjegjësive është tashmë një domosdoshmëri, jo një zgjedhje.
Në Samitin e Uellsit Presidenti Obama deklaroi se “Defense of Talin and Riga and Vilnus is just as important as the defense of Berlin and London and Paris”, duke dhënë mesazhin e veprimit pa ekuivok në mbështetje të vendeve të NATO-s, pas kërcënimit rus.
Dy janë hot spotet e sotme, të cilat kërcënojnë drejtpërdrejt Europën.
1. Ukraina
Për herë të parë në 2006, në konferencën e VERGUNDES në Mynih, atëherë Presidenti Putin deklaroi se Rusia është kthyer tashmë në sferën e vendimmarrjes globale, bota nuk është më njëpolare dhe ajo nuk mund të jetë indiferente ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe BE afër kufijve të saj, duke i transmetuar një mesazh të qartë Perëndimit mbi aspiratat ruse.
Ndërsa në dhjetor 2004 Putin shprehej në parim dakord me afrimin e Ukrainës drejt Bashkimit Europian
Dhjetë vite më vonë, në dhjetor 2014, ai do të thoshte se:
Krimea ka rëndësi të paçmuar qytetëruese dhe madje rëndësi të shenjtë për Rusinë, si Temple Mount në Jerusalem për pasuesit e Islamit dhe Judaizmit. Dhe kjo është se si ne gjithmonë do ta konsiderojmë atë.”
Kur Ukraina zgjodhi rrugën e vet drejt BE, ajo u bë viktimë e një agresioni. Më tej, aspirata e Ukrainës për t‘u bërë pjesë e NATO-s, e ktheu Ukrainën në një armik potencial të Rusisë (siç u shpreh qartë Medvedev).
Sot Ukraina është përballë kërcënimeve territoriale, por edhe financiare dhe këto qëndrime e veprime kanë shkelur hapur Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 ndërmjet Rusisë, Amerikës dhe Britanisë për garantimin e Ukrainës.
Qëllimet ruse janë të qarta:
Sergey Karanagov, kreu i Këshillit për politikat e jashtme dhe të mbrojtjes në Rusi, – ka deklaruar se: Keqkuptimi qëndron se kjo është në themel një ‘standoff’ mbi Ukrainë. Për rusët, kjo është diçka shumë më e rëndësishme: një luftë për të ndaluar të tjerët të zgjerojnë sferën e tyre të kontrollit në territoret që ata besojnë se janë jetike për mbijetesën e Rusisë. Llogaritë janë bërë keq, sepse Rusia është shumë më e fortë dhe Perëndimi është  shumë më i dobët, sesa e imagjinoni. Rusia nuk do hapë rrugë. Kjo është bërë një çështje e jetës apo vdekjes për vendin.
Ndërkohë, përgjigjja e Perëndimit ka qenë e diskutueshme:
Ka pasur disa ndërhyrje për të qetësuar Rusinë, frenuar eskalimin e mëtejshëm, por ajo që duket qartë, është se Rusia nuk ndalet në Krime, ajo kërkon të marrë territore të tjera nën emrin e mbrojtjes të rusishtfolësve, të cilët nuk janë vetëm në Ukrainë, por edhe në vende të tjera, që sot janë vende anëtare të NATO-s dhe BE.
Veprimet e Rusisë po vendosin në dyshim të gjithë rendin paqësor europian të vendosur mbas Luftës së ftohtë.
Ende nuk ka një përgjigje të unifikuar dhe veprim të përbashkët, përveç dënimit të ndërhyrjeve të Rusisë dhe injorimit pa fund të saj: armëpushimi i Minskut rezultoi një dështim. Kërkesa e Amerikës për armatimin e Ukrainës u refuzua nga Gjermania, zgjidhja – një armëpushim i ri, por aspak një qëndrim i ri i Rusisë.
2. ISIS
ISIS është kërcënimi kryesor terrorist sot në botë.
Pranvera Arabe e mirëpritur nga Perëndimi dhe popujt arabë u shfytyrua. Shpresën për demokratizim e ka zëvendësuar terrori, konflikti, shpërbërja dhe lufta për kontroll e influencë, si dhe ndërtimi i shteteve fetare, represive.
ISIS nuk është një kërcënim vetëm për botën arabe, por për mbarë njerëzimin.
Përballë kësaj situate kemi një veprim ushtarak ajror nga SHBA, veprime ushtarake të Jordanisë, forcave të paorganizuara irakene, kurdëve, Egjiptit. Gjithsesi, ende nuk ka një plan veprimi ushtarak që do garantojë suksesin.
Doja të bëja disa konstatime, duke dëgjuar me vëmendje mendime të njerëzve që janë marrë me çështjet e sigurisë në SHBA si Jeffery dhe Johns, me te cilët pata kënaqësinë të ritakoheshim në DC, por që pasqyrohen edhe në qëndrime të shumë politikanëve apo institucioneve amerikane.
Së pari: Në gjykimin tim, gabimi i parë është konsiderimi i këtyre grupeve terroriste barbare si ISIS or ISIL, si Shteti Islamik, kështu atyre u jepet legjitimiteti që kërkojnë, kjo njohje u jep atyre kredo dhe mundësi infiltrimi në mbarë botën, në Europë e kudo.
Së dyti: Interpretimi i luftës kundër ISIS si luftë fetare është i pakuptimtë, do ta thellonte konfliktin dhe do ta zgjeronte atë më tej. Këta terroristë po vrasin dhe përdhunojnë gra e fëmijë, akte të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë islame. Së treti: ISIS si dhe Putin po shfrytëzon një realitet: pamundësinë e botës së qytetëruar për të vepruar së bashku. Veprimet ushtarake pa strategji fitoreje dhe ideja e ndalimit të progresit të ISIS është e diskutueshme, për faktin se tashmë kjo është një luftë reale që kërkon një strategji dhe plan konkret veprimi për t’u përballur me të gjitha mjetet dhe forcën në mënyrë të veçantë atë ushtarake.
Së katërti: Vendet aleate të SHBA në Lindjen e Mesme kanë nevojë sot për mbështetje dhe për më tepër lidership nga Perëndimi, kontakte dhe vendimmarrje të organizuar.
Eliminimi i ISIS, Al Qaedes dhe grupeve të tjera terroriste është nevojë imediate për sigurinë, si për popullsinë amerikane dhe atë europiane e jo vetëm për atë arabe.
Së pesti: Rrënjët e ISIS nuk janë të reja, ato janë zhvilluar kohë më parë si filozofi politike radikale të Shtetit Islamik. Vëllazëria Myslimane dhe shumë grupe terroriste kanë hedhur shumë kohë më parë idenë e Shtetit Islamik, si organizim kundër Perëndimit. Këto duhen analizuar thellësisht për të mos ndërtuar aleanca të përkohshme dhe të kushtueshme në të ardhmen.
Jay Sekulow në librin e tij “Rise of ISIS – a threat we can’t ignore” shprehet: “Luftërat nuk përfundojnë kur ndihemi të lodhur  duke luftuar ato. Ato përfundojnë kur armiqtë tanë janë mundur”
Së gjashti: Marrëdhëniet e reja me Shtetin Islamik të Iranit, pa dyshim që duhen parë në realitetin e sotëm të përballjes me ISIS, por dhe me zhvillimin e programit bërthamor si kërcënim real i së ardhmes.
Së shtati: ISIS është një kërcënim real për Ballkanin, pasi pothuaj të gjitha vendet ballkanike kanë qenë pjesë e rekrutimit të luftëtarëve për xhihad dhe ky proces rekrutimi ka filluar kohë më parë me tendencën për të ndryshuar besimin tonë islam, nga një islam sekularist në një islam ekstremist, e ofruar si ndihmë humanitare e fetare.
ISIS në Ballkan është një problem edhe për faktin se përveç problemeve ekonomike, Ballkani ka probleme të mëdha me krimin e organizuar, si dhe dobësinë e institucioneve.
Është e domosdoshme që krahas masave të domosdoshme ligjore, shkëmbimit dhe marrëdhënieve të agjencive të inteligjencës apo të sigurisë, të kemi një qasje të përgjithshme shoqërore kundrejt këtij rreziku dhe fenomeni në bashkëpunim me komunitetet fetare, veçanërisht ekonomia dhe edukimi, janë dy faktorë të rëndësishëm që duhen konsideruar me prioritet. Po ashtu, risocializimi i familjeve të atyre që kanë qenë rekrutuar si pasojë e manipulimit.
Ballkani duhet të ketë një perspektivë të qartë dhe të afërt euroatlantike
1. Anëtarësimi i vendeve te Ballkanit në BE, natyrisht bazuar në meritë.
2. Zgjerimi i NATO-s në Ballkan është pozitiv për rajonin dhe vetë NATO, anëtarësimi i Malit të Zi do ishte një mesazh shumë pozitiv.
Në vend që të kemi frikë nga shtetet e forta kundërshtare, dobësia e shteteve është bërë më shqetësuese, duke parë shpërbërjen e vendeve, apo shtrirje globale të jo shteteve dhe rrjeteve terroriste. Sot, megjithatë, kemi përsëri një konkurrencë ndërmjet aktorëve kryesorë që përbën shqetësim. […] Gjeopolitika – dhe real politik – është edhe një herë duke u kthyer në qendër të vëmendjes”, thotë ish-ministri i Mbrojtjes dhe i Jashtëm i Norvegjisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura