Sfidat e migracionit dhe INSTAT

Mar 18, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb nako

Gjithë qytetarët shqiptarë që kanë pasur rastin për të udhëtuar me avion drejt Gjermanisë këto kohët e fundit, kanë vënë re me habi se para se të zbresin nga avioni, ata i nënshtrohen një kontrolli paraprak nga ana e policisë gjermane që në bordin e tij, pa zbritur ende, dhe pa mbërritur në kabinat e kontrollit të dokumenteve në aeroport, si gjithë qytetarët e linjave të tjera.

Këto metoda kontrolli ndoshta për publikun nuk do të thonë gjë, ( pavarësisht se udhëtarët ndihen të trajtuar ndryshe nga të tjerët, të diskriminuar. Imazhi përtokë), por ato përdoren nga autoritetet policore sa herë që vendi nga ku vjen avioni klasifikohet ” linjë ajrore me rrezik” dhe në këtë rast rreziku janë azilkërkuesit apo personat që nuk plotësojnë kushtet e hyrjes ne vendin në fjalë.

Pra, “një dhuratë nga institucionet e vendit të tyre”. Ky kontroll shtesë i kryer nga ana e autoriteteve gjermane më së paku tregon se ato nuk kanë besim në kryerjen e veprimeve nga ana e homologëve të tyre në Rinas. Ndërkohë që skena të tilla, në thuajse gjithë aeroportet europiane, në linjat me prejardhje nga Tirana, gjatë viteve 1991-1994 dhe pas viteve 1997, ishin harruar. Me sa duket, kjo është një ndër arsyet se përse Ambasada e Gjermanisë në Tirane, së bashku me organizatat gjermane “gtz” dhe “Bashkëpunimi gjerman”, në bashkëpunim me INSTAT, organizuan konferencën ndërkombëtare “Sfidat e migracionit.” Qëndrimi i lidershipit të ekzekutivit shqiptar tregoi qartë vizionin e tij lidhur me këtë aspekt, kaq shumë të debatuar dhe të ndjeshëm që shpesh lidhet vetëm me azilin duke anashkaluar edhe tregues të tjerë po kaq të mprehte socialë.

Në konferencë u deklarua se në vitin 2017 janë regjistruar 20% kërkesa për azil më pak se në vitin 2013. Krahasimi, duke simbolizuar dy qeverisje të ndryshme të krahëve politike, nuk niset nga parametra të barabartë krahasimi. Viti 2013, për qeverisjen e djathtë, ka qenë viti i rritjes se kërkesave të shqiptarëve për azil. Megjithatë, sipas EROSTAT-it, atë vit në vendet e Bashkimit Europian janë regjistruar gjithsej 11.020 kërkesa.

Kurse viti 2017, i cili ka qenë vit i qeverisjes së majtë dhe kërkesat për azil ishin në kurbë uljeje, numri i regjistrimeve gjithsej ka qenë 25.5012 sipas EASO. Pra, më shumë se 2 herë më tepër dhe aspak 20% më pak. Nëse do të merrnim majën e kurbës së rritjes së kërkesave për azil në kohën e qeverisjes së majtë, gjithmonë sipas EUROSTAT-it, ajo arrin në vitin 2015, kur numri i kërkesave për azil të shqiptarëve arriti 65.935 dhe vendi ynë u rendit në listën e e katër vendeve me kërkesa më të larta në Europë. Kur një problem refuzohet të njihet ose i varet tjetrit në qafë, pak shanse ka për t’u zgjidhur. Por nuk është vetëm çështja e azilit ajo që stonon dhe duhet analizuar.

Lidhur me migracionin, ka tregues të tjerë, të cilët dëshmojnë për qëndrime apo qasje të ndryshme të qeverisë së majtë me atë të djathtë. Qeveria paraardhëse punoi me logjikën e marrjes së përgjegjësive për shtetasit e saj, duke i ndarë ato në partneritet me institucionet europiane. Ajo mori përsipër edhe pagesën e kostove të transportit për riatdhesimin e shqiptarëve të gjendur në situatë të parregullt në vendet Shengen. Hartoi edhe një strategji të mbështetur nga një buxhet për riintegrimin e personave të riatdhesuar, punë, të cilën sot e bëjnë disa shoqata bamirëse me financime të huaja, ndërmjet tyre edhe gjermane.

Qeveria e sotme ka një qasje tjetër dhe që u shfaq edhe gjatë punimeve të konferencës ku përveç refuzimit absolut të marrjes së përgjegjësive për çështjet e azilit, u deklarua se: “… fenomeni nuk mund të konsiderohet i tëri pozitiv, por larg qoftë të mendohet se ky është fenomen negativ…”(citim i medias).

Qëllimisht nuk u bë dallim ndërmjet migracionit të rregullt si një planifikim familjar i individëve, në përputhje me rregullat e vendeve pritëse si Kanadaja apo SHBA-ja nga njëra anë dhe dëshirës së dëshpëruar së shqiptarëve për t’u larguar me çdo kusht nga Shqipëria, edhe në mënyrë të parregullt, edhe duke kërkuar azil, nga ana tjetër. Këtë dallim e bëri të qartë ambasadorja gjermane në ndërhyrjen e saj. Por ky qëndrim i qeverisë, lidhur me këtë problem të madh social, nuk është i ri. Ai është vazhdim i deklarimeve të mëparshme, sipas të cilave “shqiptarëve u mohohet tregu i punës.”

Duket qartë se pakënaqësia e shqiptarëve, si shkak për t’u larguar masivisht nga vendi, po i bën ata të përdoren si mish për top, nga qeverisja e sotme, për t’u bërë presion vendeve europiane për përfitime politike personale në një kontekst dështimesh të reformave të kërkuara nga Brukseli, por edhe nga vetë publiku. Njëlloj si me deklarimin lidhur me vakumin që krijon pasiviteti i Brukselit në Ballkanin Perëndimor, që mund të zihet nga fuqi të tjera rajonale. Por Serbia dhe Mali i Zi i kanë në minimum të pallogaritshëm problemet ndërmjet tyre dhe vendeve europiane lidhur me çështjet e azilit dhe migracionit të parregullt. Ndërkohë, në vitet 2010-2013 ishte Shqipëria ajo që ishte në minimumin e problemeve.

Mosmarrja e përgjegjësive dhe ndarja e tyre me partnerët europiane si një gur themeli i solidaritetit faktik ku bazohet ndërtimi europian, përdorimi i flukseve të të dëshpëruarve si presion mbi vendet e BE-së sjell vështirësi për qytetarët, të cilët mbeten paguesit e faturave të dëmeve të shkaktuara nga politikat e gabuara. Dhe vendet europiane nuk mund të rrinë duarkryq. Janë më shumë se 28 mijë shqiptarë, të cilët kthehen për çdo vit nga vendet e Bashkimit Europian pasi kanë shkelur afatet e qëndrimit në këto vende. Nuk kuptohet se çfarë të mirë mund të ketë kjo gjë. Për më tepër, sipas marrëveshjes me Komisionin Europian, Shqipëria duhet të ketë buxhet financiar për të lehtësuar riintegrimin e tyre në atdhe.

Lidershipi nuk tha gjë. Gjatë vitit 2017, mbi 9 mijë qytetarë kaluan kufirin në malet e Greqisë. Nuk dihet se ku qëndron e mira këtu. Gjatë vitit 2017, ishin 32 mijë shtetas, të cilëve iu refuzua hyrja në vendet e Bashkimit Europian. Dëmi ekonomik nuk është i paktë. Ku shihet pozitivja në këtë ecejake të dëshpëruar të shtetasve shqiptarë, që hidhen si top llastiku nga njëra anë në tjetrën duke qenë, nga viti në vit, më të shumtë në numër kur kthehen me forcë, kur u refuzohet hyrja në vendet e Bashkimit Europian, kur shtohen duke marrë malet e Greqisë për të hyrë ilegalisht në Europë, kur vazhdojnë të kërkojnë azil? Duket se për qeverinë, shqiptar i mirë është ai që ikën nga vendi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura