Sfidat e Europës që po ndryshojnë kursin drejt Ballkanit

Nov 26, 2015 | 10:15
SHPËRNDAJE

eva allushiEVA ALLUSHI

Europa sot jeton ditë të vështira. Kishte kohë që diskutohej mbi nevojën e riformulimit të funksionimit të BE-së, po ngjarjet e fundit e sjellin në rendin e ditës dhe mbi tryezën e çdo shteti anëtar këtë sfidë.

Krizës ekonomike, krizës në vendimmarrje, mungesës së eficiencës së strukturave të BE-së, diferencave në politikën e jashtme, paqartësive mbi perspektivën e Unionit, ngërçit të proceseve të nisura si ai i zgjerimit të BE-së etj., së fundi iu bashkëngjitën dy momente të tjera. Këto dy kriza të reja të impostuara në një format sfide kërcënuese për Europën mbarë, tashmë dihet që janë: kriza e refugjatëve dhe përballja me terrorizmin.

Veçanërisht, tashmë kërkohet qëndrimi dhe sjellja që duhet të mbajë Europa pas sulmeve mbi Paris, shoqëruar kjo dhe me pasojat eventuale të shkaktuara si në rrafshin e opinionit publik europian, të tronditur rëndë nga sulmet, por dhe me rrjedhojat pas zhvendosjes së emigrantëve në mënyrë të pakontrolluar dhe të pallogaritshme.

Të gjitha këto e kanë vendosur Europën në një rrafsh të ri vendimmarrjeje. Sfidat që Europës i duhet të përballojë janë të mëdha, sa u takon hapave që duhet të hedhë (zëra europianë bëjnë thirrje për maturi në përgjigje të situatës së krijuar), por, mbi të gjitha, paralelisht ajo po kërkon të unifikojë qëndrimet brenda saj dhe institucioneve që e përfaqësojnë lidhur me strategjitë që duhen ndërmarrë dhe veprimet konkrete në kushtet kur Franca ka deklaruar se është në luftë.

Vështirësitë për të arritur konsensusin e kërkuar janë të mëdha, pikëpyetjet që e bashkëshoqërojnë, gjithashtu. Europa, së pari, duket se ka vështirësi në krijimin e një konsensusi në përgjigje të krizës së refugjatëve. Hutimi, gjendja në befasi, mungesa e vullnetit për ta përballuar bashkërisht financiarisht këtë problem, diferencat në qëndrimet e shteteve anëtare, të gjitha këto së bashku i kanë vënë europianët, madje, përballë dilemës së madhe të mbylljes ose jo të kufijve.

Nëse merrej një vendim i tillë, ashtu si në fakt disa shtete po demonstrojnë me ngritjen e mureve dhe telave me gjemba, kjo do të thotë një dështim i BE-së dhe i politikave të saj mbi lëvizjen e lirë. Këqyrur në rrafshin global, duke konsideruar faktin se pavarësisht se një pjesë e emigrantëve që u janë drejtuar dyerve të Europës i takojnë kategorisë së emigrimit për shkaqe ekonomike, pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga zonat e nxehta të luftës.

Përpos diskutimit, shtruar këmbëkryq në Europë, se në këtë rast a kemi të bëjmë ose jo me rrezikim të individit, apo popullatës së atyre vendeve në një kontekst më të gjerë, kjo e fundit është e detyruar të presë mijëra refugjatë sirianë, numri i të cilëve, sipas parashikimeve, pritet të rritet dhe fenomeni të përshkallëzohet në prag të Vitit të Ri, veçanërisht në Gjermani. Po jo vetëm shtete anëtare të BEsë po jetojnë këto ditë të turbullta.

Vende si Turqia, gjithashtu, po mbajnë një barrë të madhe, kur sjellim në vëmendje se atje sot ka 2.2 milionë sirianë të vendosur në më shumë se 20 kampe refugjatësh, apo vende si Libani ku ka më shumë se 1 milion sirianë aktualisht. Pra, Europa, edhe më gjerë, po jeton një ngërç. Mbi të gjitha, këtë ngërç po e jetojnë dhe refugjatët, të cilëve në kontekstin e zhvillimeve të reja, disa segmente po kërkojnë t’ua mbyllin dyert e shpëtimit në Europë përfundimisht.

Pavarësisht të gjithave, sot më shumë se kurrë në Europë po shtrohet nevoja e politikave të përbashkëta, e hartimit të politikave të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit në funksion të rritjes së sigurisë. Këtë unifikim e bën të vështirë dhe riaktivizimi i dukshëm i partive radikale të djathta europiane, të cilave situata duket sikur u ka dhënë zë më të fuqishëm.

Në Gjermani, Kancelarja Merkel duket se po jeton ditë të vështira dhe një kontestim të brendshëm në rritje lidhur me politikat dhe qëndrimin gjerman ndaj mijëra emigrantëve që kanë trokitur e po vazhdojnë ta bëjnë, në dyert e këtij vendi. Konfiguracioni politik në Europë mund të ndryshojë dukshëm në favor të krahut të djathtë të partive, referuar rrethanave.

Në këtë kontekst, ka studiues që, duke iu referuar Marrëveshjes Shengen dhe lëvizjes së lirë, mendojnë që ndoshta në situatën e krijuar, Europës do t’i duhet të bëjë disa hapa pas, në kushtet e nevojës për një siguri më të madhe të kufijve. Stanjacion, apo ngadalësim mund të pë- sojë edhe procesi i zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjithashtu. Pa dyshim që Europa tanimë do të jetë më e vëmendshme, dhe më rigoroze ndaj përmbushjes së kritereve individuale të vendosura kundrejt vendeve të këtij rajoni.

Kriza ekonomike, bashkëshoqëruar me problemet që krahas Greqisë po shfaqin vende si Portugalia, Spanja etj., po i dëshmojnë Europës se është vetëm çështje kohe që një shtet të jetojë një krizë të ngjashme si ajo e Greqisë. Lodhja e Europës vjen edhe nga zhgënjimi që ka pësuar prej ecurisë së ngadaltë të vendeve të pranuara në BE, si Rumania apo Bullgaria. Nga ana tjetër, nga Ballkani Perëndimor drejt Europës shkojnë sinjale të zbehta, të cilat nuk dëshmojnë ndryshimin e kërkuar.

Është e trishtë ta pohosh, po disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, në klasifikimet e studiuesve, renditen në vendet që dëshmojnë qeverisje autokratike, me një nivel të ulët të demokracisë në vend, ku mungon pavarësia e pushteteve dhe ku fenomene si korrupsioni kanë kapur institucionet në vend. Në këtë analizë, mendohet se vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u duhen gati dy dekada për të dalë nga stanjacioni, çka tregon se emigracioni nga këto vende do të vijojë.

Emigracioni i rizgjuar nga vendet e rajonit, veçanërisht nga shqiptarët e rajonit, reflekton lodhjen nga tranzicioni i gjatë dhe zhgënjimin nga avancimi i ngadaltë i proceseve integruese. Kjo ka sjellë dhe lëkundjen e besimit drejt institucioneve të Europës, si dhe uljen e entuziazmit drejt europianizimit nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Po sot, më shumë se kurrë, Europa duket e interesuar për çështje shumë më të mëdha, atë e shqetësojnë probleme, të cilat nuk i ka ndeshur që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mbi tryezën e BE-së shtrohen çështje dhe pikëpyetje të rëndë- sishme, të cilat, mbi të gjitha, kanë të bëjnë me mënyrën sesi BE-ja do të përballojë situatën e re të krijuar, të cilën shumë liderë botërorë e kanë cilësuar si një «situatë lufte». Vende si SHBA kërkojnë pa dyshim një partneritet në rritje me BE-në në kuadër të konsolidimit të një aleance globale në luftë kundër terrorizmit.

Kësaj të fundit i duhet të rishikojë me shpejtësi politikat në kuadër të një veprimi të ri ndërkombëtar në funksion të përballjes me ISISin. Sulmet dhe pasojat dëshmuan se BEja është e papërgatitur për këtë fazë të re. Momenti i ri mund të ndryshojë përfundimisht mënyrën sesi funksionon BEja. Kompleksiteti dhe rëndësia kruciale e këtij momenti kërkon një Europë të unifikuar, tanimë jo një Europë peng i nevojave për dominancë dhe i debateve për identitet. Në këto kushte, mund të kemi një evoluim të kritereve dhe të standardeve të kërkuara për t’iu bashkuar shtëpisë së madhe europiane.

Kriteret mund të bëhen të vështira për t’u arritur, mbajtur parasysh faktin se rajoni ende nuk ka përmbushur kriteret e kërkuara deri më tash. Por BE-ja zor se do të tregohet zemërbutë kësaj radhe. Sot kemi një BE të ndryshme nga ajo e dhjetë viteve më parë. Më shumë se nevoja për zgjerim, e cila ka dominuar deri pak kohë më parë politikat europiane, sot Europa ka nevojë për një bashkim të fortë, real, unik si ekonomikisht, ashtu dhe politikisht.

Në këtë kontekst nuk të bën shumë arsye të mendosh se ajo në këtë rrugëtim të vështirë historik, në këtë udhëkryq që nga koha e krijimit të saj, të kërkojë të tërheqë zvarrë disa vende që, përveçse në sondazhe, e dëshmojnë pak me punë se realisht duan të bëhen pjesë e kësaj sfide. BE-ja sot po përballet me çështje që minojnë themelet e saj dhe godasin në zemër pikërisht motivet pse u krijua.

Ajo do të kërkojë të dëshmojë një vullnet të pathyeshëm për të siguruar ekzistencën dhe perspektivën e saj. Vendosja e sigurisë dhe kontrollit të kufijve do të jetë pa dyshim një ndër hapat e parë që do të hedhë. Ngjarjet e fundit dëshmuan që Europa nuk po funksionon mirë, problemi i Brukselit i foli qartë Unionit për këtë. Ngjarjet në Francë, të lidhura me “një lagje” në Bruksel, treguan se ka të çara në bashkëfunksionimin e shteteve anëtare, dhe është pikërisht këtu nga Europa do t’ia fillojë.

Bashkimi Europian është duke kërkuar një ripozicionim, duke synuar ta vendosë projektin më të rëndësishëm europian në shina, duke e bërë atë të pakthyeshëm, por njëkohësisht duke e përgatitur për sfidat e shekullit të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura