Sfida e transformimit demokratik në Ballkanin Perëndimor

Nov 18, 2017 | 13:00
SHPËRNDAJE

VALBONA ZENELI *valbona-zeneli1

Demokracia ishte gjithçka njerëzit ëndërronin në fillim të viteve ’90 në Ballkan. Pas më shumë se pesëdhjetë vitesh nën sundimin komunist, rënia e Murit të Berlinit dhe era e ndryshimit në Europën Lindore mbërritën edhe në rajon. Më shumë se çerek shekulli më vonë një progres i konsiderueshëm është arritur në tranzicionin, në ekonominë e tregut, në krijimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave në fushën e sigurisë.

Megjithatë, shumë shqetësime ngrihen për sa i përket cilësisë së demokracisë dhe menaxhimit të saj në Ballkanin Perëndimor. Njëzet e shtatë vjet më vonë, mund të thuhet se në rajon ekziston një demokracie formale, por së cilës i mungon thelbi dhe kultura politike e bazuar në besim. Dyshime të shumta janë ngritur nga institucione ndërkombëtare, se demokracia “ballkanike” është më shumë një lojë pushtetesh, që ka krijuar një hendek të gjerë midis elitave dhe qytetarëve të thjeshtë.

DEMOKRACITË ZGJEDHORE TË “SISTEMEVE HIBRIDE”

Sipas Indeksit të Demokracisë, i publikuar çdo vit nga “Economist”, në vitin 2016, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen shumë dobët, duke u klasifikuar si “regjime hibride”. Në realitet, këto vende kanë demokraci zgjedhore, por akuzat për manipulime zgjedhore janë të zakonshme dhe tranzicionet e pushtetit rrallëherë janë të qeta.

Ndërsa mashtrimet dhe vjedhja e hapur në ditën e zgjedhjeve nuk janë më aq të zakonshme, manipulimi strategjik i zgjedhjeve po kthehet në normë. Duke mos përfshirë shkelje flagrante të ligjit, manipulimi i zgjedhjeve organizohet me shumë kujdes për të influencuar lojën e ndershme të procesit të votimit. Fondet qeveritare përdoren për të blerë akses të gjerë në media, rregullat zgjedhore ndryshohen në procese të dyshimta, institucionet zgjedhore politizohen në maksimum, dhe financimi i partive politike është shumë i diskutueshëm.

Si rezultat, ekziston një apati e gjerë dhe dyshime se zgjedhjet janë kthyer tashmë në “lojën e budallait”. Interesi për pjesëmarrje aktive në votime është gjithnjë e më shumë në rënie, duke qenë në nivelet më të ulëta në 25 vitet e fundit (41% në Kosovë, 46% në Shqipëri, 49% në Maqedoni, 54% në Bosnjë dhe Hercegovinë, 54% në Serbi), me përjashtim të Malit të Zi, ku pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte në nivelet e 73%. Zgjedhjet nuk shihen më si një mundësi për të mandatuar ndryshime pozitive. Në fakt, votimet shihen si një mundësi për të zgjedhur të keqen më të vogël, dhe ata që vijnë në pushtet gëzojnë përfitimet e mosbesimit të njerëzve te kundërshtarët e tyre.

Në rajon vërehet një trend negativ për sa i përket transformimit demokratik, që ka filluar që në vitin 2008 si rezultat i krizës ekonomike dhe konsekuencave të saj të tejzgjatura negative. Megjithëse dritëhijet e demokracisë marrin ngjyra dhe forma të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, ajo që është e përbashkët është trendi i regresionit demokratik. Fatkeqësisht, në shumë raste, dobësimi i sistemit demokratik është i legjitimizuar përmes “institucioneve demokratike”, si për shembull zgjedhjet, maxhorancat qeverisëse, gjykatave apo “sundimit të ligjit” që maxhorancat prodhojnë.

Në Ballkanin Perëndimor, përkeqësimi demokratik nuk ka qenë i menjëhershëm, por gradual, duke krijuar sisteme politike ambige demokratike. Deficit demokratik në rajon vjen si pasojë e një cikli vicioz të krijuar nga institucione të dobëta dhe liderë autokratikë.

NJË PROCES I PAFUND TRANZICIONI

Problemi më i madh për vendet e Ballkanit Perëndimor është se ato janë të mbërthyera në një proces tranzicioni të pafund. Shumë studiues janë përpjekur që të krahasojnë dhe të replikojnë suksesin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian (BE) në Europën Qendrore, duke menduar se suksesi në integrim kishte krijuar një tranzicion të qetë drejt demokracisë. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, integrimi në institucionet Euro-Atlantike është konsideruar si mekanizmi kryesor për sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë në rajonin e trazuar.

Në realitet, demokratizimi mbetet një tipar thelbësor i “Europianizimit”, ndërsa “karota” e anëtarësimit në BE është përdorur për të motivuar elitat politike që të adoptojnë dhe zbatojnë reforma të rëndë- sishme strukturore dhe demokratike.

Ndërsa anëtarësimi në BE ende konsiderohet si një objektiv strategjik i politikës së jashtme për vendet e rajonit, elitat politike favorizojnë integrimin për përfitime politike, pa një angazhim kuptimplotë ndaj vlerave demokratike e liberale europiane. Nga ana tjetër, rritja e demokracive iliberale, polarizimi politik dhe populizmi, veçanërisht në Europën Qendrore dërgon mesazhe të gabuara në Ballkanin Perëndimor.

Fatkeqësisht, perspektiva Europiane për Ballkanin Perëndimor po zvogëlohet si rezultat i “lodhjes nga zgjerimi” dhe kjo ofron arsye për udhëheqës oportunistë në rajon, që të reduktojnë reformat dhe të ngadalësojnë procesin e transformimit, i manifestuar në “lodhjen nga reformat”. Zëra të shumtë në Ballkanin Perëndimor akuzojnë BE-në se ka ngritur standardet për anëtarësim në nivele shumë më të larta kërkese.

Rritja e demokracive iliberale në Europën Qendrore është shumë shqetësuese. Megjithëse ato vende kanë institucione politike dhe ekonomike shumë më të avancuara në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, situata aktuale atje reflekton shumë shkaqe rrënjësisht më të dukshme në Ballkan. Një popullsi skeptike në shume vende të Europës është e frustruar me elitat tradicionale mbi paaftësinë e tyre për të ofruar zgjidhje për problemet e pabarazisë në rritje, emigracionit, rreziqeve të terrorizmit. Si rezultat, njerëzit po behën me të dyshimtë ndaj politikës tradicionale, duke u kthyer për të gjetur zgjidhje tek elitat populiste.

RRITJA E PABARAZIVE DHE SHTRESËZIMIT SOCIAL

Me gjithë procesin e suksesshëm të tranzicionit në Europën Qendrore në ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e rritjeve të larta ekonomike, një nga konsekuencat e pamenduara ishte edhe një shtresëzim i shpejtë i shoqërisë. Në Ballkanin Perëndimor, të ardhurat për frymë janë vetëm 14% e mesatares së të ardhurave të BE-se, pabarazia në rritje dhe zvogëlimi i klasës së mesme janë sfida urgjente, në një rajon ku klasa politike konsiderohet e korruptuar dhe për interesa personale. Nëse këto sfida nuk adresohen, urgjentisht mund të shkatërrojnë të ardhmen e rajonit. Në këtë tablo ekonomike të zymtë dhe të dëshpëruar, pakënaqësia me demokracinë po rritet. Populizmi me rritje, në mënyre interesante i shfaqur te partitë politike tradicionale, është një pasojë logjike e kësaj situate, që krijon hapësira manovruese për udhëheqës oportunistë vigjilentë, dhe nga ana tjetër sjell reduktimin e peshës se politikanëve reformatore dhe europianistë.

Roli i BE-se është vendimtar për të mos i lejuar vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë në regres të mëtejshëm, duke lejuar “stabilokracinë” të rrënjoset thellë në shoqëri. Për fat të keq, BE nuk ka qenë kritike mjaftueshëm për sa i përket përkeqësimit të reformave demokratikë në rajon, duke i dhënë prioritet stabilitetit mbi demokracinë. Ndoshta mungesa e kritikave është e lidhur me mungesën e angazhimit në procesin e zgjerimit. Kjo nuk do të thotë që BE-ja duhet të ulë kërkesat dhe standardet e pranimit për vendet kandidate, apo t’i pranojë ato pa i përmbushur standardet. Sidoqoftë, një mësim i mirë që duhet marrë në këtë fushë (nga eksperienca e Europës Lindore) në lidhje me standardet demokratike, është se leva e kondicionalitetit për vendet kandidate funksionin përpara anëtarësimit, ku transformimi demokratik duhet të jetë baza e integrimit në BE.

Është e zakonshme për udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor të fajësojnë të tjerët për situatën në vendet e tyre dhe të mos marrin përgjegjësi për dështimet e tyre. BE duhet të jetë e pakompromentueshme për sa i përket promovimit të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të institucioneve të forta, si dhe duhet të angazhohet më aktivisht në mbështetjen e shoqërisë civile për të fituar reforma nga baza. Ky është themeli për të krijuar mundësi ekonomike në rajon. Të rinjtë që aspirojnë për standarde më të larta jetese, kanë nevojë për mundësi të qëndrueshme për të qëndruar dhe investuar në vendet e tyre të origjinës. Por për fat të keq, për shumë të rinj, e vetmja alternativë e vërtetë është të kërkojnë mundësi realiste për të jetuar një jetë demokratike ne Perëndim, në vend që të përpiqen të ndryshojnë situatën në vendet e tyre. Në këtë perspektive, BE duhet të bëjë më shumë për fuqizimin e të rinjve dhe mbështetjen e mediave e lira, të cilët kanë kapacitetet të shtrojnë presion ndaj udhëheqësve të tyre për ndryshime pozitive. Artikulli është marrë nga “Affari Internazionali”

* Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, dhe të Qeverive të SHBA dhe Gjermanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura