Sfida e ndërgjegjes në garën e Tiranës

May 29, 2015 | 14:51
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

    Për herë të parë, PD ka hedhur në fushën e betejës elektorale një kandidat, të cilit i rri ngushtë profili politik dhe i rri mirë ai qytetar. Ky është Halim Kosova, doktori garues për Tiranën. Profesioni  që ka ushtruar për gati 40 vjet nuk e ka lejuar të jetë përjashtues. Karakteri e ka bërë të dashur pa hierarki, historia e trungut familjar mirënjohës ndaj qytetit dhe banorëve, mosha njohës të thellë të tij. Ai ka parë një sërë transformimesh për mirë e për keq. Përdorimi dhe penalizimi që politika i ka bërë metropolit është pa dyshim ajo gjë, përsëritja e së cilës na tremb.
Si militant, si servil apo sharës ordiner, askush prej nesh nuk e mban mend as edhe një herë të vetme. Gjatë i kërkuar nga të dy partitë e mëdha për pozicione të ndryshme. Disa herë i lakuar për President të Republikës si i mundshëm për konsensus, ai iu bashkëngjit PD-së kur dukej qartë se ky formacion politik po rrokullisej në opozitë.  Shumëkush distancohet në emër të gabimeve të bëra dhe humbjen ia lë të dera një njeriu për t’u strukur e bërlykur në ngrohtësinë e benefiteve të pushtetit apo zahireve të dhjamura ish-pushtetit.
Halim Kosova jo, ndoshta sepse bën pjesë në grupin e atyre njerëzve që mendojnë së një vend nuk mund të ketë qeverisje të mirë pa një opozitë të fortë dhe mbi të gjitha e sheh njësimin me të si zgjedhje morale. Opozita mbi të gjitha është çështje morale, gjithmonë e kudo.
Njoh persona, të cilët i kujtoj duke urryer gjithmonë opozitën si institucion, pavarësisht se lider i saj ishte Edi Rama apo tani Lulzim Basha dhe njoh po aq të cilët në mënyrë konstante admirojnë pushtetin  në këtë qytet, pavarësisht kush e udhëheq, Sali Berisha apo Edi Rama. Nuk ke kohë të marrësh frymë tek e kapërcejnë ylberin me lehtësinë e një buzëqeshjeje. Kjo në Tiranë quhet shkathtësi. Do të ishte me interes antropologjik hartimi i kësaj liste.
Eksperienca e tranzicionit na mëson se opozita braktiset për arsye praktike, sulmohet për shërbestari, delegjitimohet kur pushteti është në krizë, po ashtu përdoret për t’u mbrojtur politikisht nga hajdutët që mban në gji. Edhe në PD duhet të ketë boll sish. Disave, ish- ministra, ish-drejtorë rangjesh të ndryshme, administratorë lokalë,  vesi u shkëlqen si buzëkuqi i blerë në tregun çam mbi buzët e bëra të  grave shëmtaraqe.
Në Parlament, Kosova nuk e përdori gojën si megafon, por si instrument të mendimeve të veta. Në fushatë nuk po përpiqet të na bindë me retorikën, lëvizjet e duarve apo kumbimin e zërit, por me pasionin, evidentimin e problemeve dhe konkretësinë e zgjidhjes së tyre me lidhjen organike me qytetin.
Politika shqiptare këta 25 vjet liri na ka servirur boll patetikë banalë, hartime hipokrite, ndezulli pushkaliqesh, kërcënime gangsterësh, gënjeshtra që fyejnë fantazinë dhe dinjitetin, justifikime të paskrupullta, vjedhje kusarësh dhe sulme personale, të cilat vazhdojnë me yrysh. Në fushatën për kryeqytetin, për të parën herë i shohim të braktisura nga Halim Kosova dhe ndjeshëm të moderuara prej kundërshtarit si kushtëzim.
Një personalitet i bërë i tillë, me duart e veta, nga djersa dhe puna pa fabula romantike dhe gjimnastikë krenarie, ka luksin të mbetet vetvetja dhe, si i tillë, origjinal, sepse nuk e ka për turp nëse duhet t’u kthehet prapë atyre.
Halim Kosova për miqësi mund të pijë verë me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, por nuk ka asnjë arsye t’u jetë mirënjohës për karrierën e vet, si shumëkush tjetër përreth tyre. Mirënjohja është virtyt i fisëm, ndonëse referuar eksperiencës antike, Aristoteli thoshte se bash ajo vjetrohet e para.
Rreth tij përftohet dukshëm një mbështetje shumë më e madhe se ajo e partisë. Ajo pakënaqësi nga dy vjet “rilindje” që ende nuk është shndërruar në simpati për opozitën, po të ishte votë parlamentare, mund ta testojë atë si garant të kësaj alkimie, një lloj katalizatori.  
Ai aspak nuk i tremb qytetarët e “zonës gri”, se pothuaj vjen prej saj. Edhe ata që besojnë tek e majta, nuk ndiejnë fobi, sepse çdonjëri prej tyre brenda vetes e di që doktor Halimi në thelb shkon përtej sipërfaqes ideologjike, jo rob i sinorit. Te zona e ndershmërisë, ku teserat janë të padobishme, shfaqet si njëri prej tyre, i sprovuar kur secili ka pasur nevojë, ndryshe nga “politika e vjetër dhe e re” që ta rrasë dorën në xhep dhe gishtin nga pas.
Madje edhe Edi Rama e di këtë, e di gjithashtu se Halim Kosova do t’i shkonte me kënaqësi për drekë, nëse ai e fton në vilën e tij në Surrel  e jo më në zyrë për projekte se i mungojnë syzet ideologjike dhe  frika e verbër e “besnikut”. Kryeministri di edhe më tepër, atë që qytetarët nuk e çmojnë shumë gjuhën e fortë etiketuese ndaj tij, sepse është kundërproduktive, siç e ka vënë re në “Facebook”-un e vet. Kështu që boritë janë spostuar poshtë “shtëpisë” së Bashës, sukseseve dhe dështimeve të të cilit Kosova nuk po u del për zot, duke spostuar me finesë gjykimin mbi të dhe jo mbi kryetarin aktual.
Një gjë mbase nuk e merr me mend Rama, faktin që Kosova mund ta bëjë nesër pjesë të sukseseve bashkiake, duke krijuar modelin europian pa llogore, të bashkëpunimit normal qeveri-pushtet lokal.
E di edhe Gjergji Bojaxhi se doktor Kosova nuk është vegël e partive,  ndaj kot konsumohet për të bërë “bojaxhiun” e Ramës, bashkë me ndonjë  ish-këshilltar të Berishës, të cilët thuhet se një ditë shefi i dikurshëm u pat kërkuar t’i sillnin diplomat që t’i shihte me sy, sepse inteligjenca e tyre nuk i përputhej me formalitetin universitar dhe postin. Pa një, pa dy, braktisi eksperimentin teksa kontradiktën e zgjodhi duke i dëbuar me një urdhër të prerë për rojën “në një distancë prej 100 metrash të mos i afrohen më Kryeministrisë”. Të jetë batutë!? Kushedi… por parimi ynë kombëtar, ku ka zë nuk është pa gjë, na sugjeron kujdes në refuzim!
Duke u kthyer te Halim Kosova, mund të themi se Tirana nuk gjendet përballë një sfide të zakonshme elektorale, por një procesi ndërgjegjeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura