Sezoni turistik, suksesi dhe debati

Aug 16, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

Pellumb NakoPËLLUMB NAKO

Dihet tashmë se sezoni veror i turizmit mbetet një moment mjaft i rëndësishëm në jetën e vendit tonë, pasi nga njëra anë kemi dyndjen e madhe të shqiptarëve dhe të të huajve nëpër plazhe dhe nga ana tjetër masat organizative të të gjitha ingranazheve të shtetit. Dhe kjo për të rritur standardet dhe po ashtu të ardhurat. U bë tashmë një dekadë që çdo vit numri i të huajve që vijnë në vendin tonë për turizëm veror rritet, pavarësisht se duket cinike, por kjo rritje deri diku ecën paralel me rritjen e numrit të shtesave shqiptarë që marrin nënshtetësi në vende të ndryshme të botës. Një hamendësi e tillë mund të konsiderohet edhe jo konstruktive, por fakti qëndron edhe për arsye të tjera. Pra, nëse merren për bazë të dhënat e regjistruara nga policia, firot në numrin e pushuesve me destinacion vendin tonë bëhen ende më të mëdha sepse sistemet informatike të Policisë regjistrojnë si turistë me destinacion Shqipërinë edhe një numër jo të vogël shtetasish që thjesht kalojnë tranzit në vendin tonë (të mos harrojmë edhe tranzitimin e diasporës kosovare si nga Durrësi dhe së fundmi nga aeroporti i Kukësit). Këta nuk kanë ardhur me pushime në vendin tonë. Këtu bie në sy edhe kontingjenti tjetër i shtetasve kosovarë që hyjnë në Morinë dhe pas disa orëve dalin në Murriqan. Ndaj edhe statistikat e dhëna me këtë rast mbeten të diskutueshme. Ende institucionet e vendit nuk kanë gjetur mënyra të tjera për të matur hyrjet e turistëve me destinacion vendin tonë siç mund të jetë numri i të regjistruarve nëpër hotele, përveç atij të Policisë që tashmë bën disa dekada. Për këtë arsye, më shumë se eufori, duhet realizëm.

Si çdo gjë tjetër madhore, me rëndësi për vendin, edhe këtë radhë, gjatë sezonit veror vazhduan të shfaqen me besnikëri disa fenomene tipike të mosfunksionimit të strukturave shtetërore. Mjaftoi rasti tragjik që i mori jetën një të miture si dhe disa episode të tjera jo civile për të nxjerrë në pah se sa i distancuar është pushtetit vendor nga ai qendror, sa e zbehtë, e padukshme është pjesa e pushtetit qendror me shtrirje në territor, pra, institucioni i prefektit. Sa shumë mungon koordinimi i institucioneve nën një drejtim të vetëm në territor. Anomali këto jo vetëm për shkak të anemisë të vendorëve, por edhe si rezultat i dëshirës absurde për protagonizëm të ministrave me ethe të papërmbajtshme për të shitur sa më dendur imazhin e tyre në publik herë duke mbledhur ca qese plehrash, herë me ca deklarata qesharake. Dhe gjithmonë duke u vetëmburrur në mënyrë të padurueshme se ajo që po bëjnë ata, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ndaj dhe si zakonisht në raste të tilla, sapo ndodh një tragjedi, gjithë rrufetë shkarkohen mbi Policinë. Më pas kjo e fundit vepron me dorë të hekurt. Por është shumë vonë edhe jo efikase.

KU SHIHET PROBLEMATIKA?

Me të drejtë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë adresoi një letër të hapur Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, prefektëve dhe bashkive me dalje në det lidhur me marrjen e masave për sigurinë në plazhe dhe në vijën bregdetare, duke kërkuar angazhimin e tyre. Ndërkohë, pas tragjedisë shihet një numër i madh mjetesh lundrimi të bllokuara. Që këtu fillon amullia dhe mungesa e dhimbshme e koordinimit, mungesa gangrenë e hierarkisë në funksionimin e institucioneve të vendit si rezultat i personalizimit të të gjitha aftësive drejtuese të vendit në një kokë.

E ndjerë e vetme, Policia e Shtetit detyrohet t’i adresohet publikisht disa institucioneve, të cilat duket se nuk koordinojnë aksionin as me njeri-tjetrin në terren dhe as me nivelin qendror. Pra, nuk ka një institucion të vetëm që duhet të kryejë koordinimin e gjithë masave sipas kompetencave të secilit, madje duke i mbikëqyrur ato. Këtë detyrë nuk mund ta kryejë dot Policia e Shtetit. Ndaj, dhe thënë me fjalë të tjera, Policia e Shtetit i drejtohet me një letër të hapur për të bërë punën e tij edhe institucionit të Prefektit që është përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark, në vend që të jetë Prefekti ai që duhet të thërrasë edhe policinë, edhe pushtetin vendor dhe aktorë të tjerë për t’u njohur me masat e tyre, madje duke i mbikëqyrur ato. Anomali të tilla në hierarkinë e funksionimit të shtetit nuk janë pozitive për të boshatisur Greqinë nga pushuesit e për të mbushur Shqipërinë.

Institucioni i Prefektit ligjërisht i ka të gjitha atributet për të qenë në krye të punëve edhe në përditshmëri, edhe në sezonin veror. Neni 8 i Ligjit nr.107/2016 “Për Prefektin e Qarkut” i ka të qarta dhe të thjeshta detyrat e tij gati të gjitha me karakter koordinativ, drejtues e kontrollues:

“Në ushtrimin e funksionit të tij, Prefekti i Qarkut ka këto përgjegjësi kryesore:

Kontrollon, monitoron zbatimin në nivel qarku, të politikave sektoriale të Këshillit të Ministrave në bujqësi, arsim, shëndetësi, mjedis, rend publik, shërbim zjarrfikës, ndihmë dhe përkrahje sociale, turizëm dhe kulturë.

Garanton bashkërendimin e veprimtarisë së tij me agjencitë dhe inspektoratet që veprojnë në nivel qarku, si dhe monitorimin e veprimtarisë së tyre. Për mosmarrëveshje që mund të lindin ndërmjet drejtuesit e institucioneve, prefekti i drejtohet ministrit përkatës.

I kanë, kontrolluar, monitoruar, garantuar bashkërendimin prefektët masat e sigurisë gjatë sezonit turistik gjithë aktorët e qarkut dhe për çdo mangësi t’i drejtohet ministrit të linjës sipas pikave të mësipërme? Letra e hapur e Policisë së Shtetit nuk e konfirmon.

Si përgjigje mund të thuhet se në këtë sezon veror, apatia e institucionit të Prefektit mbetet anomalia më e madhe. Dhe problemi qëndron faktikisht te drejtimi qendror i vendit. Në një moment kur disa vite më parë Kryeministrit i duhej të bënte një show, me një të rënë të lapsit largoi të gjithë prefektët dhe në vendin e tyre emëroi dymbëdhjetë ushtarakë. Me këtë rast, Kryeministri u shpreh: “Jemi në një fazë të re të procesit të qeverisjes. Pas një sërë reformash rrënjësore, lipset edhe një institucion i prefektit i ridimensionuar tërësisht si një institucion përfaqësues i Kryeministrit dhe qeverisë në qark”. Dhe, si zakonisht, Kryeministri në raste të tilla nuk mënoi të sjellë në vëmendje faktin se ky institucion dikur kishte ngelur në hije. Por nuk vonoi shumë dhe të gjithë ushtarakët e përzgjedhur me shumë ceremoni si boom i qeverisjes vendore, një nga një, kush më parë e kush më pas, pa zhurmë, të gjithë u zëvendësuan.

PËRSE

Thjesht sepse funksioni i prefektit përdoret si monedhë për të kthyer kusur në tregun shitblerjeve sipas korrenteve që fryjnë brenda radhëve të qeverisë. Numri tërësor i të emëruarve Prefekt gjatë këtyre viteve është kaq i madh saqë me siguri secili prej tyre ndihet kalimtar dhe ka pak interes të zhvillojë e të stabilizojë si duhet këtë institucion të rëndësishëm. Ndërkohë, sa për qeverinë, ajo mbetet brenda traditës më të mbrapshtë të politikës së lartë te vendit tonë ku nëse ndodh ndonjë ngjarje tragjike gjithçka shkarkohet me tërbim mbi Policinë e Shtetit.

© Panorama.al

Te lidhura