“Sezoni që shkoi la shumë për të dëshiruar”- Ministrja e Mjedisit kritika kryebashkiakëve të qyteteve bregdetare mbi pastrimin: Përgatitjet nuk fillojnë kur shkojmë ne në plazh!

Nov 20, 2021 | 12:52
SHPËRNDAJE

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë një takimi me kryebashkiakët dhe prefektët e qyteteve bregdetare foli në lidhje me nisjen e punës për sezonin e ardhshëm turistik. Kumbaro theksoi në fjalën e saj se pastrimi i territorit gjatë sezonit turistik që lamë pas ka lënë shumë për të dëshiruar dhe ndaj përgatitjet për mbarëvajtjen e sezonit të ardhshëm duhet të fillojnë që tani.

ministrja

Kumbaro nënvizoi dhe faktin se nga java e ardhshme do të miratohen dy VKM në lidhje me rregullat e reja të pastrimit në qytetet bregdetare, që ka të bëjë me mënyrën si do të menaxhohen mbetjet dhe kush do të jetë përgjegjës.

“Në fakt prej 1 muaji tashmë e kemi nisur këtë plan nga prefekti i Vlorë. Model që do ta shtrijmë në të gjitha qarqet e vendit por me përparësi në bregdet. Le ta themi edhe mos të fshihemi pas gishtit se sezoni që shkoi në aspektin e pastërtisë, në menaxhimin e territorit, të sinjalistikës, të transportit dhe informacionit, shumë prej këtyre aspekteve nën kompetencë të drejtpërdrejtë të bashkive lënë shumë për të dëshiruar. Kjo është arsyeja pse ne duhet të llogarisim që sezoni i plazhit dhe sezoni turistik nuk fillon në 1 maj apo në1 qershor kur ne shkojmë vetë me pushime, për ne që jemi përgjegjës në territor, ne sezoni na fillon në një mars.

Në 1 mars duhet të jemi gati për të pritur vizitorët sikur të jetë kulmi i verës. Vetëm kështu mund të kemi një sezon të suksesshëm me një fluks të madh turistësh. E kemi këtë informacion nga terreni dhe agjencitë e huaja që pritet të sjellin turistë në Shqipëri. Jo se s’kemi arritje, por nuk kemi kohë për tu marrë me arritjet pasi duhet të fillojmë përgatitjet për sezonin që vjen. Kauza e pastrimit është një kauzë kombëtare.

Nuk mund të jemi patriot nëse nuk e duam territorin dhe nuk mund ta duam territorin nëse nuk e mirëmbajmë atë dhe nuk e mirëmbajmë dot atë nëse nuk përfshijmë të gjitha hallkat, duke filluar nga shkollat, komuniteti, bashkitë dhe bizneset. Ju do të merrni javën që vjen, të gjithë kryetarët e bashkive, një letër ku janë të përcaktuara të gjitha rregullat që do të aplikohen këtë vit. Javën që vjen do të miratojmë dhe dy VKM, me rregulla edhe më të detajuara me mënyrën si do të menaxhohen dhe kush është përgjegjës për plazhet dhe territorin dhe si do të monitorohen”, tha Kumbaro.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura