Sezoni në Durrës, ujërat e zeza mblidhen në Adriatik

May 25, 2015 | 14:39
SHPËRNDAJE

Pushuesit që kanë nisur të frekuentojnë Durrësin, po përballen me ndotjen e detit. Ujërat e zeza vijojnë të derdhen në të edhe në prag të këtij sezoni turistik. Dhjetëra kanale të paligjshme zbrazin ujërat e zeza në det, ndërsa pikat më të nxehta janë po ato që kanë qenë edhe një vit më parë. Situata më problematike paraqitet në Currila, shëtitorja “Taulantia”, nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, si dhe te Përroi Agait, i cili shkarkon edhe sasinë më të madhe të ujërave të zeza direkt në det.

Derdhja e ujërave të zeza në det

Ndonëse pritej që me ndërtimin e landfilleve të Golemit dhe Shën Vlashit fenomeni të merrte zgjidhje përfundimtare, realiteti dhe panorama përgjatë bregdetit tregon krejt të kundërtën. Nga shëtitorja “Taulantia” deri në Currila, të gjitha bizneset i derdhin ujërat e zeza direkt në det. E njëjta situatë paraqitet edhe në një pjesë të mirë të zonës të plazhit të madh, i cili nis nga Ura e Dajlanit dhe përfundon te Konvaleshenca në Plepa.

Qytetarët, të cilët këtë fundjavë (të shtunën dhe të dielën) kanë frekuentuar masivisht bregdetin e Durrësit, kanë mbetur të pakënaqur nga kushtet e papërshtatshme që kanë hasur. “Kemi ardhur këtu në Currila për të bërë plazh, por shikojmë që bregdeti qenka i gjithi me fekale. Të gjitha lokalet dhe restorantet e ngritura nga shëtitorja “Taulantia” deri këtu në Currila, ujërat e zeza i derdhin në det dhe për pasojë situata është kështu”, tregojnë pushuesit.

E njëjta situatë ndodh edhe te Shkëmbi i Kavajës, te kanali i madh (Përroi Agait). Aty prej vitesh derdhen si lum ujërat e zeza në det. Ka me dhjetëra probleme në këtë vijë bregdetare. Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk ka paralajmëruar ndonjë aksion monitorimi përgjatë bregdetit të Durrësit, i cili me ndarjen e re territoriale shtrihet nga Mali i Robit deri në kufi me plazhin e Patokut (42 kilometra vijë bregdetare). Fushata elektorale për zgjedhjet bashkiake ka bërë që institucionet lokale dhe ato qendrore të jenë indiferente ndaj problematikave të shumta, duke e dëmtuar shumë sezonin turistik, i cili është në start.

Plazhi i Gotullës, lopët pushuesit e vetëm
Të vetmit vizitorë të plazhit të Gotullës, në afërsi të Patokut, janë kafshët. Rruga që të dërgon drejt këtij bregdeti është tërësisht e amortizuar dhe tepër e vështirë për të kaluar me mjete. Ura që lidh fshatin Adriatik të Kurbinit me plazhin e Gotullës është një rrezik për t’u kaluar, ndonëse banorët kanë ndë- rhyrë disa herë në riparimin e saj në mënyrë private. 1.3 km larg kësaj ure ndodhet plazhi, përplot me mbeturina.

Plazhi i Gotullës në Kurbin

Vizitorët e vetëm në vendin që duhej të ishte perla e Adriatikut janë bagëtitë e zonës. Mbetjet e kryeqytetit dhe të Fushë-Krujës kanë pushtuar plazhin. Lumenjtë Ishëm dhe Lana shkarkojnë çdo ditë në këtë bregdet tonelata me mbeturina, duke e ndotur masivisht këtë zonë. Këtë vit as peshkatarët e zonës nuk gjenden më këtu, pasi ndotja ka deportuar në thellësi dhe gjuetia nuk ka asnjë rendiment.

Varkat dhe barakat e peshkatarëve tashmë janë bosh. Banorët e zonës thonë se kjo është një situatë skandaloze dhe se askush nuk ka ndërhyrë për ta ndryshuar këtë panoramë. “Këtë urë këtu e kemi riparuar me paratë tona, pasi këtu nuk kalohej në këmbë dhe jo me automjet. Rruga është në gjendje të mjerueshme dhe thuajse e pakalueshme. Bregdeti këtu është shumë i ndotur dhe të vetmit vizitorë të këtij plazhi janë kafshët. Më parë kjo zonë ka qenë mjaft e frekuentuar dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve. Plazhi ka qenë i pastër dhe me rërë tepër kurative, por prej vitesh është katandisur në këtë gjendje dhe kjo është e papranueshme”, thotë një banor i zonës. Një panoramë e tillë tregon se edhe në këtë sezon turistik, pushuesit në Gotull do të mungojnë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura