Sezoni, Ksamilit i dalin qiraxhinj për bregdetin

Apr 26, 2015 | 14:23
SHPËRNDAJE

Ksamili mbipopullohet në verë, aq sa është tepër e vështirë për të gjetur një vend të lirë mes çadrash. Ndërsa është i domosdoshëm zgjerimi i sipërfaqeve të plazheve, një fenomen është denoncuar nga banorët e komunës. Sipas tyre, persona që nuk rezultojnë të jenë banorë të qytezës kanë pothuajse një muaj që matin sipërfaqe të tëra për t’u përdorur prej tyre në breg të detit për lokale e shërbime të ndryshme. Kështu ka ndodhur edhe dy ditë më parë. 

Banorët e Ksamilit në protestë

Persona të panjohur nga banorët e Ksamilit kanë shkuar të pajisur me gjithçka që duhet për matje, deri edhe me inxhinierë e topografë dhe kanë matur sipërfaqe tokash në breg të detit. “Ata matnin ato sipërfaqe tokash që i kanë marrë me qira nga pronarët që pretendojnë.

Jo vetëm kaq, por mësuam se këta qiramarrës disponojnë në duart e tyre edhe kërkesa me anët të të cilave i kërkojnë komunës t’i pajisë me leje ndërtimi”. Kjo ka bërë që banorë të Ksamilit e pronarë lokalesh, të irrituar, të grumbullohen mesditën e së premtes para komunës për të denoncuar këto veprime, të cilësuara prej tyre se po kryhen nga hajdutë tokash. “Kërkojmë nga qeveria të mos heshtë përpara veprimeve të tilla, banditeske, ku toka jepet me qira nga pseudopronarë, me dokumente të falsifikuara”, u shprehën protestuesit.

KOMUNA

Ky problem shqetësues i banorëve nuk ishte i panjohur nga kryetari i komunës së Ksamilit, Besnik Abedini. I pyetur nga “Panorama”, ai tha se është e vërtetë, madje për këtë disponon edhe disa kërkesa nga qiramarrës që kërkojnë leje ndërtimi. “Banorët e Ksamilit, faktikisht janë të lidhur pazgjidhshmërisht me detin, me vijën bregdetare, sepse Ksamili, ksamiliotët, gjithë biznesi i realizon të ardhurat vetëm në dy-tre muaj në sezonin veror.

Personat që vetë banorët i quajnë pseudopronarë kanë rreth 1 muaj që kanë dërguar pranë komunës, në rrugë zyrtare, kontratat e lidhura mes pronarit dhe personave të tretë, me të cilat ata kërkojnë nga komuna që të njihen si kontraktues të rregullt, ndërkohë që kërkojnë edhe leje ndërtimi për lokale me konstruksion të lehtë”, konfirmon Abedini. Por, sipas tij, nuk u ka kthyer asnjë përgjigje.

“Duke pasur parasysh se në janar të këtij viti Ministria e Turizmit ka pezulluar tërë kontratat që komuna ka dhënë në vitin 2014 në lidhje me shfrytëzimin e plazheve (deri në një vendim të dytë), atëherë unë, me cilësinë e kryetarit të komunës, jam i detyruar që këtyre kërkesave të bëra nga këta kontraktues të mos u kthej asnjë përgjigje. E gjithë puna dhe gjithë ky zhvillim do të jetë gjithmonë në kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Turizmit. Në këtë kontekst, unë kam bërë kontakte zyrtare dhe me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, i cili ka përcjellë shqetësimin edhe te ministri i Ekonomisë”, deklaroi kryekomunari.

Pritet që në ditët në vazhdim të jepet një zgjidhje për këtë çështje, ndërkohë që komuna nuk ka njohur as pronësinë e personave që pretendojnë se kanë toka buzë bregdetit të Ksamilit.

NGA SHPRESA DINE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura