Sesilia Plasari: Për shtatë kullat, duhej sakrifikuar një Borëbardhë-Teatri

Mar 23, 2018 | 12:58
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Tirana po merr heshta betoni në zemër. Unë nuk e përfytyroj dot përçudnimin që mund t’i vijë poezisë dhe thjeshtësisë së saj nga kullat, të cilat do jenë si një tallje për kalimtarët shëtitës”.

1

Regjisorja Sesilia Plasari ka zgjedhur të jetojë jashtë, por kjo nuk e lë indiferente karshi zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, aq më tepër kur bëhet fjalë për teatrin. Pasi ka ndjekur debatin për godinën e Teatrit Kombëtar, e cila po shkon drejt shembjes, për ngritjen në vend të tij një të ri, Plasari shprehet kundër vendimit kryeministror. “Nuk e imagjinoj dot se si nuk u ndërmor asnjë përpjekje për ta ruajtur atë. Ai është si një person i rrallë, i papërsëritshëm që po jep shpirt, për të cilin nuk u bë asgjë për t’u munduar ta shpëtonin, asnjë matje pulsi, asnjë dëgjim zemre. E marrin, e hedhin në varr pa verifikuar as edhe a është gjallë apo ka vdekur. Kështu e shikoj unë këtë vendim”, thotë ajo, ndërsa shpreh habinë se si nuk u mor asnjë mendim, si nuk u hap një konkurs… I mirëkupton artistët e trembur se nesër mbeten pa punë, ndërsa shpreson te të rinjtë, te qytetarët. “Një vendi që ka shpirt, është gjynah t’ia marrim, sepse kështu i lëmë brezat jetimë të së kaluarës”, thotë ajo.

Pak ditë më parë, Kryeministri i vendit, z. Rama, bëri me dije vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë vendim?

Përpara se të arrihet te shpallja e vendimit për të ndërtuar një teatër të ri, ka disa faza të domosdoshme, ekspertiza, studime të mundësive për ta restauruar apo për të rindërtuar ekzistuesin kur ai ka vlera muzeale. Ato bëhen publike në vazhdimësi për grupet e interesit, te të cilët bëj pjesë edhe unë si shqiptare e lindur në Tiranë, (ndonëse jetoj jashtë shtetit). Nuk kemi dijeni për të tilla veprime. Gjithmonë kam menduar se ky teatër edhe mund të rrënohej, ai ishte lënë në mëshirën e fatit, aq sa mbase nuk do mund të restaurohej më (me sa duket enkas). Por ndoshta ngaqë në Europë shpesh veprohet në këtë mënyrë, mendoja se në një rast të tillë do ndërtohej një i ri, po aty, me të njëjtën arkitekturë, në mënyrë që të mund të dëshmonte për atë histori që ishte ngjizur në atë vend. Kjo nuk e pengon ndërtimin e një teatri të ri gjetiu. Ne na kanë mbetur aq pak vende që përbëjnë histori, ku kanë ndodhur gjëra, të cilat mund të dëshmohen e të tregohen, ku ka shkelur këmba e një plejade njerëzish, nga të cilët brezat mund të frymëzohen e të jenë kureshtarë. Teatri është pa dyshim një nga ata. Nuk e imagjinoj dot se si nuk u ndërmor asnjë përpjekje për ta ruajtur atë. Ai është si një person i rrallë, i papërsëritshëm që po jep shpirt, për të cilin nuk u bë asgjë për t’u munduar ta shpëtonin, asnjë matje pulsi, asnjë dëgjim zemre. E marrin, e hedhin në varr pa verifikuar as edhe a është gjallë apo ka vdekur. Kështu e shikoj unë këtë vendim.

Pse ai nxitim për të paraqitur një projekt, për ta bërë fakt të kryer?

Mendoj se Kryeministri u detyrua me shpejtësi të bënte fakt të kryer këtë vendim për të stopuar një debat ku artistët kishin të drejtë, i cili po merrte përmasa dhe nuk po mbyllej as nga komunikimet (ose moskomunikimet) me ministren, as nga ato që filluan me kryetarin e bashkisë. Gjithsesi, një gjë është e qartë, vendimi për popullimin me kulla të asaj cope hapësire publike është i hershëm. Nuk është nevoja për një teatër, ajo që sjell si rrjedhojë këtë partneritet me privatin, por nevoja e këtij partneriteti me privatin, që vendos fatin e Teatrit Kombëtar. Kjo është e qartë për çdokënd dhe nuk mund të mos na duket tragjike dhe revoltuese, si qytetarë.

A nuk do të duhej të paktën të hapej një konkurs për projektin e TK-së, përpos t’i merrej mendimi komunitetit artistik, por pse jo dhe qytetarëve të Tiranës?

Absolutisht po! Në Europë të paktën, kështu veprohet. Edhe variantet e konkurseve u paraqiten për diskutim grupeve të interesit. Këto “marrje mendimi”, të cilat janë pjesë e zinxhirit të vendimmarrjeve që bëhen në këto raste, nuk janë formale, thjesht për të qenë në rregull me procedurat, por për t’i dhënë shansin zgjedhjes së vendimit më të mirë. Diskutimet bëjnë të mundur që njerëzit edhe të ndërrojnë mendim, duke dëgjuar argumentet e kompetentëve e specialistëve, të binden. (Në rastin konkret, aktorët mund të shkëmbejnë mendime me arkitektet, me qytetarët). Dhe ka transparencë. Ka respekt. Të gjithë e ndiejnë që qyteti është i të gjithëve. Edhe për një pemë të shkulur ngrihen njerëzit në protestë. Kryeministri thotë në kuvend, dhe më duket një abuzim i padurueshëm,: “Keni parë ju artistë që protestojnë për muret? Për populitin?”. Ai mund të flasë sepse artistët tanë e kanë lënë të qetë. Prandaj dhe kanë akumuluar aq shumë. Nuk kanë protestuar për asgjë, në hall për atë bukën e gojës, për të cilën flet Robert Ndrenika. Dhe nuk do më vinte çudi që edhe kësaj radhe ata të mos donin të implikoheshin më gjatë. Tani e dinë që një teatër me kushte më njerëzore do ta kenë dhe kjo mund t’iu mjaftojë. I kuptoj. Por kjo është çështje më tepër e qytetarëve se e aktorëve. Aktorët thyhen. Qytetarët a do thyhen?

Megjithatë, reagimet nisën nga artistët… Mendoni se do të rezistojnë deri në fund apo tashmë mund të quhet një kapitull të mbyllur dhe ata qysh tash janë dorëzuar ose “blerë”?

I kam ndjekur sa kam mundur në media dhe nuk di si të përgjigjem. Është shumë kollaj që ata të dorëzohen, madje unë më shumë kam besim te të rinjtë, tek ata që nuk kanë hyrë ende në sistem e s’kanë ç’bukë goje të humbasin, sesa tek aktorët e Teatrit Kombëtar. Vëruni pak në vendin e tyre. Ata kanë një rrogë modeste, me të cilën mbajnë familjen; mund t’ua heqin në çdo moment. Nuk u japin rol në një sezon dhe ata s’kanë më kontratë. “S’ka e s’ka si heroizma, Edhe si idealizma, Po kur dimër del behari, S’ka si zjarri”, thoshte Noli. “Blerë” nuk besoj se janë, mendoj që secili ka të drejtë të ketë simpatitë, besnikëritë dhe opinionet e veta. Le pastaj që njerëzit janë dhe të lodhur e të zhgënjyer nga arroganca dhe cinizmi. Se sa aktorë të mirë janë ata, është po aq e diskutueshme sa dhe niveli i politikanëve. Madje, këta të fundit kanë luajtur rol në gjendjen e teatrit, e anasjella nuk qëndron edhe aq. Aktorët të paktën nuk dyshohen për afera korruptive as kriminale, as për pasurira të çuditshme.

Ju keni punuar në Teatrin Kombëtar, a ka paraqitur rrezikshmëri për aktorët apo dhe publikun ajo godinë?

Si mund ta dimë me siguri, përderisa nuk janë bërë ekspertiza? Çfarë mund të besojmë kur njëherësh thuhet “dilni se ka rrezik” dhe këtu ku ka rrezik, “do vijë opera”?! A ka materiale kancerogjene? Edhe mbase, por ekspertiza, që duhej bërë vite përpara, as tani nuk ekziston. Ky është problemi, aktorët janë vetëm, në një vorbull hipotezash, të lënë në mëshirën e fatit, si dhe godina e tyre.

Por tani është koha që TK të këtë një godinë të re apo jo?

Koha ka qenë kaherë. Tani aq më mirë, nëse erdhi më në fund. Por, kam frikë se erdhi ngaqë, me urgjencë, duhen bërë shtatë “xhuxhat”, dhe pa teatrin si borëbardhë, shtatë xhuxhat (që s’janë as xhuxha dreqi e mori) mbase nuk kanë si t’i justifikojnë.

Sigurisht që ata “xhuxhat” janë kulla, që kanë rastisur 7. Po pse kaq shumë kulla, ç’është kjo filozofi “kullash”?

Besoj se densiteti i ndërtimit që ofrojnë kullat, fitimi shumë më i madh për të njëjtën sipërfaqe, është motivi kryesor, nuk shoh tjetër. Zona e pedonales është zemra e Tiranës, një nga më të këndshmet e saj, sidomos në stinët e ngrohta. Tirana po merr heshta betoni në zemër. Unë nuk e përfytyroj dot përçudnimin që mund t’i vijë poezisë dhe thjeshtësisë së saj nga kullat, të cilat do jenë si një tallje për kalimtarët shëtitës, do t’u transmetojnë ndjesinë e shtypjes, do t’i qesëndisin duke i parë nga lart-poshtë, duke iu kujtuar se paraja është mbi pronën e tyre publike, mbi dashuritë, mbi kujtimet, mbi historinë, mbi vullnetet, mbi kompetencat, mbi opinionet, mbi gjelbërimin dhe oksigjenin, mbi heroizmin dhe idealizmin.

Pra, godina e re e TK-së do të ndërtohet nga një kompani private, pasi, sipas Kryeministrit, shteti shqiptar nuk ka mundësi të ndërtojë vetë një teatër. Mendoni se kjo është e vërtetë?

Nuk e besoj. Mendoj se po të ketë një vullnet nga ana e shtetit për këtë qëllim, shteti mund t’i gjejë fondet dhe se është detyrë e tij ta ndërtojë një teatër. Edhe projekti që na ofrohet nuk do ndërtohet falas, privatit do t’i falet përjetë tokë publike, ndërkohë që hapësira të gjelbra, lojëra, etj. janë duke u zhdukur dita-ditës në favor të betonit e të kullave. Puna është se ne nuk kemi transparencë as edhe për sa u përket shifrave. Nuk e dimë se sa kushton teatri i propozuar nga Kryeministri, sa kushton rindërtimi i teatrit ashtu siç është, sa kushton toka që i falet privatit, etj., etj. Derisa këto gjëra mbeten në një kusi të mbuluar me kapak, ne në kazan nuk mund të qartësojmë dot gjë.

Ndoshta keni mundur të shihni imazhe nga projekti i godinës së re, si ju është dukur?

Të them të drejtën, nuk më ka “ngrohur”. Më është dukur si një ajsberg që nuk e shoh të martohet kollaj në mjedisin tonë, por sidomos atje në atë vend, nuk e shoh fare, ndoshta në një vend tjetër më të hapur mund të dukej ndryshe. Godina është impersonale, asgjë në të nuk lë të mendosh që është një teatër, mund të ishte po aq një muze, një qendër komerciale, zyra..

Çfarë do t’u sugjeronit artistëve dhe gjithë dashamirësve të teatrit? Çfarë duhet të bëjnë?

Uroj të diskutohet, të gjendet gjuha. Uroj t’i bëhet ballë këtij sulmi. Shpresoj shumë te qytetarët. Të ngulmojnë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për qytetin. Unë vetë, mendoj se Teatri Kombëtar duhet ruajtur duke e rindërtuar ashtu siç është, për të mbrojtur atë histori jo pak të rëndësishme që është shkruar në atë oaz. Është kollaj të prishësh e të ndërtosh godina pa shpirt, të cilat mund të ishin kudo. Një vendi që ka shpirt, është gjynah t’ia marrim, sepse kështu i lëmë brezat jetimë të së kaluarës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura