“S’është bërë asnjë hetim për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës'”/ Apeli ktheu për rigjykim dosjen e Saimir Tahirit, çfarë ndodh tani me ish-ministrin? Ja vendimi

Jun 27, 2020 | 13:46
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Gjykata e Posaçme e Apelit ka kthyer për rigjykim dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela.

tahiri1

Kjo dosje do të nisë gjykimin e saj edhe një herë nga fillimi në Shkallë të Parë, ndërsa trupa gjykuese u shpreh gjatë seancës se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri.

Vendimi i Shkallës së Parë që e dënoi Tahirin me 3 vite shërbim prove është rrëzuar tashmë dhe ish-ministri do të nisë betejën nga fillimi me drejtësinë.

Ai do të gjykohet për tri vepra penale: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ish-Prokuroria e Krimeve të rënda, tashmë SPAK, duhet të gjejë prova bindëse për gjykatën lidhur me tri akuzat e lartëpërmendura ndaj ish-ministrit Tahiri.

Gjykimi në Shkallën e Parë ndaj tij, do të zhvillohet normalisht mbi akuzat e ngritura nga organi i akuzës dhe vendimi pritet të jepet vetëm për akuzat e çështjes në gjykim pa “lindur” ndonjë akuzë e re në përfundim të gjykimit ndaj të pandehurve. Ky ishte edhe shkaku që Apeli riktheu procesin nga e para.

VENDIMI Gjykata e Posaçme e Apelit shprehet se nuk mund të japë një vendim dënimi, ndërkohë që nuk është bërë asnjë hetim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për të cilën Shkalla e Parë e dënoi ish-ministrin. “Ky kolegj vlerësoi të pabazuar shkakun e pretenduar nga Saimir Tahiri dhe mbrojtësi i tij. Ky kolegj çmoi se vendimi i marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Katanias në Itali nuk plotëson kushtet për t’u cilësuar përfundimtar në respektim të nenit 34 të Kushtetutës së Shqipërisë. Së dyti, ky kolegj, duke shqyrtuar në themel faktet e atribuuara të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq të Prokurorisë, në raport me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake, si dhe në raport me konkluzionet e arritura nga vendimi i apeluar, vlerësoj se në rastin konkret janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale, se në këtë rast Gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt që atribuohet nga Prokuroria të pandehurit, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe për më tepër, nuk u është atribuuar kultivimi i narkotikëve apo dhe përhapja e kultivimit në Shqipëri. E lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit dhe asgjësimit të narkotikëve në datat 13.09.2016 dhe 04.10.2016 dhe 18.10.2017.

Në lidhje me këto episode dhe kultivimin e narkotikëve, prokurorët janë shprehur se nuk kanë ngritur akuzë ndaj të pandehurve Saimir Tahiri dhe Çela, por janë referuar duke mbështetur ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e grupit të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit akuzohet se janë edhe dy të pandehurit. Gjykata e Krimeve të Rënda, ndonëse e vlerësoi si kontradiktor këtë qëndrim të Prokurorisë, në vijim, duke iu referuar episodeve që lidhen me sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në 2016-’17, rikualifikon faktin penal të atribuuar të pandehurve në lidhje me trafikimin e narkotikëve në 4 episode konkrete dhe cilësuar si shpërdorim detyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura