“Serxho Ramos po na sheh i lumtur nga televizori, ky është Europiani im i fundit”, Buskets: Italisë i fshehim topin

Jul 6, 2021 | 11:15
SHPËRNDAJE

Serxho Buskets është si vera, sa më i vjetër, aq më i mirë. Kapiteni i kombëtares spanjolle ka arritur që me shiritin në krah të parakalojë Serxho Ramosin duke shkuar menjëherë në gjysmëfinale. Diçka të tillë nuk e bëri dot madrilene kur ishte kapiten. Mirëpo, kjo nuk ka rëndësi, pasi “Busi” kërkon të shkojë në finale dhe ta fitojë Europianin. Në një intervistë për gazetën “AS” ai ka vlerësuar italianët dhe ka thënë se duan t’i vjedhin topin.

buskets 2

Si e vlerësoni Europianin e Spanjës. Mendoni se objektivi u arrit që pas kualifikimit në gjysmëfinale?

Kemi qenë pak a shumë në nivelin e rezultateve, por ideja e lojës ka qenë lineare. Ka pasur ndeshje ku kemi shkëlqyer më shumë dhe golat na kanë dashur, por edhe të tjerat ku kemi vuajtur. Mirpo, puna ka qenë e madhe dhe strategjia për të dominuar ndeshjet nuk ka ndryshuar. Ne kemi dashur të zotërojmë topin dhe ta rikuperojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Jam i lumtur për punën e të gjithëve.

Spanja ka fituar vetëm një ndeshje brenda 90 minutave. Mendoni se mund të përmirësohet?

Ndeshjet vendosen në zonë. Ne kemi një ide të qartë për të shkuar deri aty në repartin e sulmit, por edhe jemi të fortë në zonën tonë. Ka pasur ndeshje që na ka munguar pasimi i fundit apo fati për të qenë më efektivë. Goli që kemi pësuar ndaj Zvicrës për shembull ishte një përplasje e topit. Duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj këtyre gjërave.

Çfarë bëni ju personalisht për të qenë kaq mirë, sepse Europiani ka qenë fantastik?

Njerëzit menduan se ishit i tepërt. Kujdesem shumë për detajet dhe për ushqimit. Unë ndihem shumë mirë me rolin tim brenda dhe jashtë skuadrës, me sistemin e lojës dhe mënyrën si po luajmë. Fakti që duam të zotërojmë shumë topin më ndihmon. Dua që të mbaj ritmin e lartë për të gjithë skuadrën. Kur puna që bëhet është konkrete, skema e saktë dhe gjithçka tjetër në rregull, sigurisht që mund të nxjerrësh më të mirën nga vetja. Ka ndeshje ku jam mirë, ndërsa të tjera ku mund të bëj më shumë.

Çfarë do të thotë të kalosh eliminatoret duke pësuar 3 gola dhe të humbasësh 3 penallti…

Duhet të jemi ekip më solid në të dyja zonat. Mendoj se jemi kualifikuar me meritë sepse i kemi bërë gjërat siç duhet. Duhet thjesht të jemi më të saktë në detaje. Ideja dhe dëshira është shumë e madhe.

Spanja luan me skemën 4- 3-3, por edhe Italia gjithashtu. Është e vështirë t’i gjesh pika të dobëta kësaj Italie?

Çdo ndeshje ka historinë e saj. Do të përballen dy skuadra me stil të njëjtë loje, që iu pëlqen të mbajnë topin. Ne duhet të kemi ritmin tonë në mbrojtje, i cili është më i lartë se të gjitha skuadrat e këtij Europiani. Në nivel të përgjithshëm do të kërkojmë të marrim topin sa më shpejt dhe ata të mos e kenë.

buskets

Mendoni se Italia mund ta sfidojë Spanjën për zotërimin e topit?

Ata duan ta kenë dhe janë të aftë ta bëjnë këtë gjë pasi me lojtarë si Zhorzhinjo, Verrati apo Insinje kanë shumë teknikë. Janë lojtarë të mirë dhe dinë ta përpunojnë topin, por ne do të bëjmë lojën tonë.

Tek Italia luajnë Bonuçi dhe Kielini, lojtarë veteranë. Duket se në Spanjë nuk i duan shumë veteranët…

Filozofia dhe kultura ndryshon në çdo vend. Ne në Spanjë jemi shumë pasionantë dhe e ndryshojmë mendimin shumë shpejt. Janë gjëra që ndodhin në tërësi dhe jo vetëm në futboll. Veteranët janë të rëndësishëm në futboll.

Por, Italia ka mbrojtës që po shkojnë 40 vjeç…

Kjo nuk ka fare rëndësi. Ata janë shumë të mirë, po kalojnë një moment fantastik dhe trajneri ka besim. Janë duke shkëlqyer dhe duhet të luajnë.

Po ju e keni menduar ta lini kombëtaren?

Ajo që kam vendosur për momentin është që ky është Europiani i fundit për mua me Spanjën, pastaj varet. Duhet të shoh nga dita në ditë, pasi nuk jam më 20 vjeç. Ndihem mirë në fushë dhe me grupin. Trajneri thotë se nuk ka fare rëndësi mosha, por ajo që bëjmë në fushë.

Nëse unë do të rilindja sërish do të doja të isha Buskets. Kështu ka thënë Del Boske. Është gjëja më e bukur që keni dëgjuar?

Kam fatin që në botën e futbollit, shokët e skuadrës dhe trajnerët më vlerësojnë shumë dhe u jam mirënjohës. Fjalët e Del Boskes kanë qenë shumë të rëndësishme.

Po Ksavi pse e bëri atë deklaratë për mungesën e madrilenëve?

Nuk e di. Besoj se nuk ka qenë me tendencë, por nuk kam informacion.

Morët frymë lirisht kur Ojarzabal shënoi penalltinë e fundit?

Mirë që kaluam sepse m’u largua një barrë e madhe. Unë isha i bindur që do ta shënoja, por gabova. Kisha besim tek Unai Simon dhe ai na nderoi. Nuk godita keq, por sigurisht që do të godisja sërish në të ardhmen.

Serxho Ramos është duke ju mbështetur nga jashtë. Keni folur me të?

Sigurisht që na mbështet. E kam parë që nga shtëpia po na ndjek në “Instagram”. Të gjithë ish-lojtarët dhe ata aktualët po na mbështetin. Serxho është një legjendë dhe shpresoj që të rikthehet sërish në kombëtare.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura