“Serra”, shpirti i Pontit sipas Janis Kalpuzos

Feb 14, 2020 | 10:39
SHPËRNDAJE

BESNIK MUSTAFAJ/ 

Romani “Serra” i Janis Kalpuzos, përkthyer në shqip nga Kristo Pulla dhe botuar nga “Toena”, e merr titullin nga emri i një valleje të vjetër të grekëve të Pontit, një krahinë kjo në breg të Detit të Zi, e cila gjendet në Turqinë e sotme. Është një valle ritmike burrash, që kërcehej përpara betejave, e përcaktuar si mishërim i shpirtit të grekëve të dikurshëm të kësaj krahine. Duke dhënë një informacion të tillë qysh në titull, autori paralajmëron lexuesin për thelbin e subjektit të romanit të tij. Fjala është për një nga dramat e mëdha njerëzore të shekullit XX, atë të shpërnguljes së grekëve nga Turqia në vitet 1923-1924 në kuadër të shkëmbimit të popullsive etnike midis këtyre dy vendeve sipas marrëveshjes së Lozanë, me qëllim krijimin e dy shteteve sa më të pastra etnikisht.sasaKalpuzos-portret

Për një shkrimtar grek, kjo është një temë shumë e vështirë për t’u shkruar, e mbushur me kurthe, të cilat në thelb nuk kanë të bëjnë me mjeshtërinë e tij në përdorimin e gjuhës. Do të thosha pa mëdyshje se Janis Kalpuzos ia ka dalë t’i kapërcejë këto kurthe. Në këtë kuptim, “Serra” është një roman historik po aq sa ç’janë historike poezitë e Seferis. Përmes tekstit, autori shfaqet njeri i lirë në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Ia vlen pak vëmendje e posaçme ndaj lirisë që shfaq Janis Kalpuzos përmes këtij romani e që nuk e ndeshim te shumë shkrimtarë ballkanikë në qasjet e tyre ndaj temave të ngjashme. Fjala është për të përshkruar një dramë me pasoja të përgjakshme, ku, sipas tablosë folklorike, njëra palë është vetëm viktimë dhe tjetra vetëm xhelat. Viktima është një popullsi civile, që bën jetën e vet të përditshme, në shtëpinë e vet të trashëguar prej brezash, larg kryeqytetit, u falet shenjtorëve të vet, në gjuhën e vet dhe thur ëndrrat e veta të vogla të lidhura me hallet e përditshmërisë. Xhelati është shteti, një vegël e dhunshme në duart e një grupi njerëzish të vetëshpallur si mishërues të interesit etnik e kombëtar të shumicës së popullsisë. Siç historia e ka shkruar, qoftë edhe vetëm gjatë shekullit XX, kjo skemë ka prodhuar tragjedi të ngjashme pothuaj në të gjitha vendet e Ballkanit. E fundit ishte ajo në Kosovë në vitin 1999 me Millosheviçin si emblemë. Tragjedi të tilla përbëjnë një lëndë jashtëzakonisht të pasur për letërsinë. Shkrimtarët ballkanikë, madje ata më të rëndësishmit serbë, grekë, shqiptarë, të cilët e kanë parë shumë shpesh veten si misionarë, duke e njësuar kështu veprën e tyre me fatin e kombit të vet, natyrshëm që i janë drejtuar kësaj teme.

Duke vënë në dukje lirinë e Janis Kalpuzos si autor i romanit “Serra”, kam parasysh faktin se ai shfaqet në tekst përgjithësisht i çliruar nga mentaliteti i viktimës, ani pse në qendër të veprës është sidomos popullsia greke e Pontit, e cila është vërtet viktimë në këtë histori, për më keq një viktimë e mbetur përjetësisht pa drejtësi. Mentaliteti i trashëgimtarit të viktimës, sado që në vështrim të parë kjo prodhon emocione të forta, të cilat me siguri që do të preknin shumë lexues, në të vërtetë do të ishte helmues për shkrimtarin. Një mentalitet i tillë do të përcaktonte gjithë sjelljen e personazheve të tij ndaj vuajtjes. Edhe në rastet kur ata nuk do të thyheshin e të nënshtroheshin, rebelimi i tyre, përpjekja e tyre për të mbijetuar, do të motivohej vetëm nga ndjenja e hakmarrjes. Kjo ka ndodhur më së shpeshti në prozën ballkanike, kur hakmarrja dhe shpresa e personazheve shkrihen në njëra-tjetrën e bëhen njësh, duke cenuar rëndë asnjanësinë e autorit në rrugën për zbulimin e të vërtetës artistike.

Nisur nga leximi i romanit “Serra” do të thosha se me Janis Kalpuzos nuk ka ndodhur kështu. Ai mbështetet te premisa se, sado ngjethëse të jenë rënkimet dhe vajet e viktimave dhe sado mizore të shfaqen sjelljet e xhelatëve, e vërteta e kësaj historie është shumë më komplekse dhe se ajo nuk mund të tregohet në thelbin e saj nëpërmjet një tabloje bardh e zi, ku viktimat dhe xhelatët kanë të përbashkët atdheun, por të ndryshme gjuhën dhe fenë. Nuk është vendi këtu për të ritreguar subjektin. Po përmend vetëm një fakt domethënës: autori ka zgjedhur pikërisht djalin e vetëm biologjik të protagonistit të romanit, Galinos Fillonidhisit, për ta shkruar historinë. Ky burrë tashmë, me emrin e pagëzimit Homer Fillonidhis, është rritur si turk, quhet Omer dhe e njeh veten për turk. Ai është rrëmbyer qysh foshnjë nga Hamza Hafizi, më i tmerrshmi ndër xhandarët turq, i cili, përveçse është mizor me të gjithë grekët, ndaj Galinosit ka një inat të shtuar me shkak Talinën. Xhandarit famëkeq i ka rënë në kokë dashuria për këtë armene shumë të bukur, por që ajo e përbuz, duke qenë e dashuruar me grekun Galinos. Në zanafillë, ky rrëmbim sigurisht që është një akt kriminal. Por në vazhdim, ai e ka rritur atë me dashurinë dhe mirëqenien që do t’ia kishte dhënë vetëm birit të vet të munguar.

Si edhe e përmenda, subjekti është i tillë, ku njerëzit (viktimat) natyrshëm do të jenë të pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes. Të shumtë janë në roman personazhet, të cilët hakmarrjen dhe shpresën i përjetojnë përgjithësisht si një të pandashme. Kjo e bën narracionin e romanit historikisht të vërtetë. Këto personazhe tragjike urrejnë aq fort, sa janë të gatshme të japin edhe jetën për ta përmbushur hakmarrjen si mision. Pikëpamja e shkrimtarit Janis Kalpuzos në këtë rast shprehet përmes faktit se këta njerëz-personazhe të sfilitur fizikisht nga xhandarët turq e shpirtërisht nga urrejtja janë në të vërtetë pa shpresë, për sa kohë ajo që ata e besojnë si shpresë, nuk u jep një të ardhme. Ata vdesin nga plumbi ose nga vuajtjet, por pa arritur të bëhen as fitimtarë e as të mundur.

Edhe Galinosi, protagonisti i romanit, përshkohet nga ndjenja të forta hakmarrjeje. Por ndjenjën e hakmarrjes ai e përjeton si një torturë shpirtërore dhe jo si një shpresë për lehtësim. Ndaj edhe nuk i dorëzohet. Udhëtimi i tij jetësor është mishërimi i vizionit të autorit. Galinosi është i krishterë besimtar. Por ai nuk e kërkon strehën shpëtimtare te kisha. Ai është edhe patriot i palëkundur. Por nuk e kërkon strehën shpëtimtare as te helenizmi, domethënë te nacionalizmi. Ai është njeri i shkolluar mirë, shumë i ditur dhe i dëshiruar për të shpërndarë dituri. Në fjalë të fundit, strehën shpëtimtare e gjen vetëm te dituritë që zotëron, domethënë te humanizmi, një strehë kjo pa asnjë ngjashmëri me strehën që do të kishte gjetur te ndonjëra nga ideologjitë monolitike, siç janë feja apo nacionalizmi. Ai ka qetësinë dhe kthjelltësinë t’i pohojë të birit, me të cilin bashkohet në periudhën e mbrame të jetës, se: “Urrejtja lulëzon aty ku vyshket dashuria. Urrejtja nuk të sjell asgjë të mirë. Mendoj edhe këtë: Nëse historia do të kishte rrjedhur ndryshe, mundet që xhelatët të kishim qenë ne”.

“Serra”, pra, është një roman që duhet lexuar nga të gjithë ata që kanë një kureshtje të shëndetshme për historinë. Por jo vetëm kaq. Në indin e tij, ky është një roman i mirëfilltë dashurie i llojit që e bën edhe ‘Odisenë’ një poemë dashurie. Talina, armenia e bukur, e dashura e më pas gruaja e Galinosit, ka nurin dhe virtytet e një Penelope të shekullit XX.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura