Sërish nga Tepelena, kush është drejtori që zëvendëson Haki Çakon

Jan 10, 2018 | 10:55
SHPËRNDAJE

Në krye të Policisë së Shtetit, pas shkarkimit të Haki Çakos, për momentin është komanduar zv.drejtori aktual, Rebani Jaupi. Në zbatim të ligjit të Policisë, në këtë post komandohet zv.drejtori i Përgjithshëm, në rast se largohet Drejtori, deri në emërimin e një drejtori tjetër, shkruan “Panorama”.

Rebani-Jaupajn-933x445

Ndërkohë, ende nuk dihet se çfarë funksioni do të ushtrojë Çako pas lirimit. Haki Çako ishte emëruar në krye të Policisë së Shtetit, më 15 prill të vitit 2015, duke zëvendësuar Artan Didin, i cili dha dorëheqjen pas skandalit të dosjes “Frroku” në lidhje me fshehjen e të dhënave nga zyra e Interpol Tirana.

Më 18 nëntor të po atij viti, Çako, gjatë një takimi me drejtorët e Drejtorive në Drejtorinë e Policisë së Shtetit si dhe me Shefat e Sektorëve, bëri prezantimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit. Me urdhër të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, Rebani Jaupi, në atë kohë drejtor i Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda më Drejtorinë e Policisë së Shtetit, u emërua zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Po me urdhër të Tahirit, Jaupit iu dha grada policore “Drejtues i Lartë”. Më herët, Rebani Jaupi, nga Tepelena, kishte mbajtur detyra të tjera të rëndësishme në strukturat e Policisë së Shtetit. Para se Çako të emërohej drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Jaupi mbante postin e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës.

Ndërsa vetëm pak ditë pasi Haki Çako mori drejtimin e Policisë, më 27 prill 2015, Jaupi u emërua drejtor i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit. Rebani Jaupi ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në radhët e Policisë së Shtetit.

Megjithatë, ai do të drejtojë provizorisht Policinë e Shtetit, i komanduar si drejtor i Përgjithshëm, ashtu siç e parashikon ligji. Nëse do të emërohet Jaupi apo ndonjë drejtues tjetër që plotëson kriteret për postin më të lartë Policor, kjo mbetet për t’u parë, ndoshta pas nisjes së vetingut në Polici.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura