Seria A si shpëtim, Mërgim Mavraj drejt Sampdorias

Jan 17, 2016 | 10:03
SHPËRNDAJE

Mërgim Mavraj vjen pas një periudhe pushimi prej më shumë se shtatë muajsh. Operacioni në gju bëri që mbrojtësi i Kombëtares të qëndronte gjatë jashtë fushave të lojës. Në këtë mënyrë, emri i tij po lakohet jo pak si një futbollist i kërkuar nga disa skuadra.

Së fundmi, në skenë është shfaqur një tjetër ekip në një tjetër kampionat. Bëhet fjalë për Sampdorian.

mavraj1

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije për gazetën “Panorama Sport” se drejtuesit e Sampdorias kanë nisur interesimin për shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare. 29-vjeçari shihet i aftë për të përballuar me sukses presionin e Serisë A dhe mendohet të jetë një garanci në qendër të mbrojtjes për Sampin.

Tratativat – Ndërkohë që Këln është në periudhë përgatitore, mbrojtësi nuk e ka ende të qartë të ardhmen e tij në ekipin gjerman. Mungesa e tij përgjatë fillimit të sezonit e bëri Këlnin që të gjente dy qendërmbrojtës që garantonin siguri dhe, në këtë mënyrë, tani që mbrojtësi është rikuperuar plotësisht, mundësitë e aktivizimit të tij janë të pakta.

Kjo ka bërë që futbollisti kuqezi të jetë në kërkim të një skuadre tjetër, që do të garantojë minuta gjatë muajve që paraprijnë Europianin. Burime pranë mbrojtësit kuqezi bëjnë me dije për “Panorama Sport” se drejtuesit e Sampdorias kanë nisur punën për shërbimet e 29-vjeçarit.

De Biazi – Trajneri italian i Kombëtares ka qenë një garanci më shumë për këdo lojtar kuqezi në skuadrat e tyre, ose në ato që janë transferuar.

Vetë besimi që trajneri i ka dhënë çdo futbollisti, ka bërë që ekipet italiane të mund të tundohen për të marrë shqiptarë në ekip. Në këtë mënyrë, puna që trajneri ka bërë me Kombëtaren për të arritur rezultatet e deritanishme ka shërbyer edhe indirekt si një reklamë e mirë për futbollistët shqiptarë, sidomos te skuadrat italiane.

Panorama Sport

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura