“Serbia s’do ta njohë Kosovën së paku edhe 5 vite”

Mar 26, 2015 | 10:31
SHPËRNDAJE

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, thotë se vizita e ministrit serb, Ivica Daçiç, do të ndodhte një ditë.

Naim Maloku

Sipas tij, këtë vizitë nuk mund ta quajmë historike, porse të rëndësishme për të ardhmen e të dyja vendeve.

“Unë mendoj se është një lëvizje pozitive për raportet Kosovë- Serbi. Sigurisht, që ajo vizitë është dashur të ndodhte një ditë, dhe mirë që ka ndodh dje. Me këtë takim, dhe me këtë vizitë nuk ka humb as Kosova dhe as Serbia. Nuk kemi mujt me prit që Ministri serb, Daçiq të thotë se e njeh shtetin e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është një ngjarje historike, porse e rëndësishme në raportet e ardhshme”, ka thënë Maloku në një bisedë për Indeksonline.

Megjithëse thotë se vizita e djeshme e Daçiçit, është një hap i vogël në procesin e pranimit të njohjes së shtetit të Kosovës, thotë se nuk pret që njohja të ndodh që paku edhe për 5 vitet e ardhshme.

“Është një hap i vogël në procesin e pranimit të dyanshëm të shteteve. Kosova normalisht e pranon Serbinë, mirëpo Serbia duhet ta bëjë hapin. Nuk mund të presim që në një të ardhme të afërt, së paku edhe për 5 vite të ndodhë njohja nga ana e Serbisë. Mirë që është hap zyra e Kosovës në Serbi, gjithë këto besoj se do ndikojnë në përmisimin e raporteve të të dyja shteteve”, ka shtuar Maloku./Indeksonline/ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura