“Serbia ka bërë fushatë në disa shtete kundër njohjes së Kosovës”/ Zv. ministri i Jashtëm: Kemi evidentuar 30 raste, por asnjë e suksesshme

Aug 7, 2022 | 15:59
SHPËRNDAJE

Kosova ka arritur të identifikojë 30 raste kur Serbia ka bërë fushatë kundër njohjes së pavarësisë së vendit në shtete të ndryshe. Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti në një intervistë për mediat kosovare.

ahmeti

Ai ka deklaruar se asnjë prej këtyre fushatave nuk ka qenë e suksesshme. Teksa flet për tensionet në veri të Kosovës dhe anëtarësimin në BE, Ahmeti mohon se ka diçka të vërtetë në deklarimet e zyrtarëve serbë se vendit po i tërhiqen njohjet e pavarësisë.

Ai thotë se këto janë reagime absurde që vijnë pas veprimeve të natyrshme të shtetit të Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

“Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që janë thënë sa i përket çnjohjeve, e dini edhe ju si media por edhe publiku që nuk është publikuar asnjë emër, ka pasur tentime të cilat i kemi parandaluar, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Pra duhet ta kemi parasysh që fushata e të ashtuquajtur çnjohje e Serbisë nuk është ndalë asnjëherë, ne kemi identifikuar edhe në periudhën kur ishte marrëveshja, zotimet e Uashingtonit, pra moratoriumi që Serbia e pranoi që mos ta bëjë atë fushatë, kemi identifikuar afër 30 raste kur Serbia ka bërë një fushatë të tillë në vende të ndryshme. Pas moratoriumit kjo veç është intensifikuar por deri më tani pa sukses, dhe jam i bindur që nuk do të jetë e suksesshme sepse është kuptuar konteksti gjeopolitik veçanërisht pas fillimit të luftës në Ukrainë ku Serbia haptas është rreshtuar në anën e Federatës Ruse”, thotë zëvendësministri i Jashtëm.

Kosova aktualisht i ka 117 njohje dhe e fundit është formalizuar në muajin shkurt të vitit 2021.

Ahmeti thotë se qeveria ka punuar më shumë në thellimin e marrëdhënieve me vendet njohëse por që sipas tij nuk ka pasur mjaftueshëm komunikim në të kaluarën.

Ndërsa shton se prioritet i kanë pesë vendet mos njohëse brenda Bashkimit Evropian.

“Është bërë progres, nuk qëndrojnë të gjitha pesë vendet e BE-së në stadin e njëjtë të zhvillimit, kjo është e qartë por duhet të ndërmerren hapa përpara sepse kjo i kontribuon edhe stabilitetit në rajon, pra pamundëson çfarëdo lloj interesimi të Serbisë për të ndërmarrë hapa të cilët mund të destabilizojnë rajonin dhe çfarëdo revizionizmi të kufijve apo diçka të tillë, të cilat janë projekte që kanë vdekur por e dinë që kanë qenë shumë të diskutuara më parë”, thotë Ahmeti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura