Serbia ia kalon edhe Shqipërisë, “pushton” Kosovën me mallra! Raporti: Mbi 70 marrëveshje tregtare të nënshkruara mes Tiranës e Prishtinës, gjysma ende të parealizuara

Sep 13, 2021 | 10:20
SHPËRNDAJE

ramavucic

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se Serbia kishte pjesëmarrjen më të madhe të importeve në tregun e Kosovës. Serbia renditet e para nga shtetet me importin më të lartë, me 6.4 për qind, për 6-mujorin e parë, kurse Shqipëria e dyta, me 5.6 për qind dhe Maqedonia e Veriut, 5.2 për qind. Importet nga vendet e CEFTA-s në periudhën janar-qershor 2021 arritën në 390 milionë euro, ose 19% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67 për qindësh.

Nga Serbia importet u rritën me 143 për qind, nga Shqipëria me 61 për qind, nga Maqedonia e Veriut me 26 për qind. Agjencia e Statistikave thotë se nga të dhënat e grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe, apo 17 për qind, ndjekur nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, me 13.4 për qind. “Kurse, 13.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.7 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6.4 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre”. Partneri kryesor i Kosovës për importet vijon të mbetet Gjermania (14.2%), e ndjekur nga Turqia (12.9%), Kina (9.2%) dhe më pas Serbia (6.4%).

ÇFARË PO E PENGON KOSOVËN E SHQIPËRINË TË BËJNË TREGTI

Ndër pengesat kryesore të identifikuara deri më tani kanë të bëjnë me dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë tranzit në territorin e Shqipërisë; pagesa për skanim të mallrave në Portin e Durrësit, pavarësisht destinacionit final; tarifa e lartë rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare e shumë të tjera. Sipas një studimi nga Instituti GAP, me titull “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri: pengesat dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, në mars të këtij viti ka rezultuar se megjithëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve tregtare mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shfaqen ende pengesa të cilat nuk rregullohen me këto marrëveshje, edhe pse pothuajse në të gjithë sektorët eksportues të Kosovës ka potencial për rritje të bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë.

Në anën tjetër, janë identifikuar një mori pengesash të cilat po e bëjnë të pamundur shfrytëzimin e këtij potenciali. Këto pengesa, sipas studimit, janë kryesisht të karakterit teknik, por në raste specifike ato shfaqen edhe në formë të barrierave tarifore. “Prodhuesit mes tyre kanë disa probleme që i përdorin dhe në këtë mënyrë po bëhet edhe më problematike dhe e pajustifikueshme bartja e disa mallrave të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas. Disa produkte kanë probleme të vijnë në Kosovë nga Shqipëria dhe disa të tjera kanë probleme të shkojnë në Shqipëri. Produktet, të cilat hasin më së shumti në barriera tregtare në tregun shqiptar, janë kryesisht ato produkte me përmbajtje bimore dhe shtazore, të cilat Kosova i ka me bollëk”, thonë nga AKB-ja. Edhe pse sipas tyre, nuk ka vështirësi shumë të mëdha, pasi 98 për qind e tregut është i liberalizuar në të dyja vendet. Deri më tani llogaritet se mbi 70 marrëveshje tregtare janë nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, por mbi 50 për qind prej tyre mbeten ende të parealizuara.

EKSPORT ME SHQIPËRINË, MAQEDONINË E SERBINË

Kosova me vendet e CEFTA-s eksporton më shumë mallra në Shqipëri. Në periudhën janar-qershor 2021 eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 129 milionë euro, me rritje 31 për qind. Eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s përbënin 37.5 për qind të eksporteve të përgjithshme. Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende në raport me totalin ishin Shqipëria me 15.3 për qind, Maqedonia e Veriut me 11.5 për qind, Serbia me 5.6 për qind. Shqipëria është destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës. Në periudhën janar-qershor eksportet drejt Shqipërisë ranë gjithsesi me 10 për qind në krahasim me 6-mujorin e parë 2020. Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat vendore gjatë vitit të kaluar me atë të vitit 2019, shihet se ka një rritje vjetore për 23.8 për qind. Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Europian arritën në 163.4 milionë euro, ose rreth 34.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.5%. Në vitin 2020 eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 210.7 milionë euro, ose 44.4% të eksporteve të përgjithshme, ku kishte rritje prej 27.8%. Për sa u përket eksporteve të Kosovës me vendet e treta, për vitin 2020 kanë arritur në 100.6 milionë euro, ose një rritje prej 21.2 për qindësh.

DOGANA: KA RRITJE TEK IMPORTI I MALLRAVE NGA SERBIA

Dogana e Kosovës ka arkëtuar deri tani 819 milionë euro, ose mbi 30 për qind më shumë se në vitin 2020. Përkundër masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nga qeveria, Dogana parashikon të mbledhë 1.3 miliardë deri në fund të vitit. Në Doganë thonë se në periudhën janar-gusht 2021 kanë arkëtuar rreth 200 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020. “Deri tani kemi mbledhur 819 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kur kishim të njëjtën periudhë kanë qenë 621 milionë euro, ose 31 për qind më shumë. Por 2020-ta ka qenë vit i pandemisë dhe krahasimi nuk mund të jetë edhe aq real kur ekonomia ka qenë e mbyllur. Mirëpo, nëse shikohet me vitin 2019, për atë periudhë, sërish jemi 15 për qind më shumë se viti 2019.

Besojmë që deri në fund të këtij viti Dogana do të arrijë rekordin dhe do të kalojmë 1.2 miliardëshin, në 1.3”. Shpresëdhënëse për ekonominë e vendit pritet të jetë edhe rritja e eksporteve në 120 për qind për këtë vit, ku deri në fund të vitit 2021 pritet të arrijnë 650 milionë euro. Mirëpo, sipas Doganës, krahas saj, ka shënuar rritje edhe importi i mallrave nga Serbia vitet e fundit. “Në aspektin e eksportit, ne presim që ky vit të jetë historik për Kosovën që të kalohen 650 milionë euro mallra të eksportuara, që konsiderohet një prej zhvillimeve më pozitive. Sivjet kemi parë, për dallim nga vitet e fundit, një rritje të eksporteve. Eksporti i Kosovës është kryesisht në vendet e BE-së, si në Gjermani dhe Zvicër, Britani e Madhe dhe SHBA. Ka një kohë që ka rritje të importit nga Serbia”.

ECURIA E TREGTISË

Nga viti 2010 e këndej Kosova mesatarisht importoi çdo vit rreth 744 milionë euro nga vendet anëtare të CEFTA-s. Në anën tjetër, 134.4 milionë euro rezulton të jetë vlera mesatare e eksportit që Kosova u shiti këtyre vendeve çdo vit. Vlera më e lartë e importit të Kosovës evidentohet në vitin 2017 me 856.1 milionë euro, ndërsa vlera më e ulët është ajo e vitit 2019 me 502.7 milionë euro. Ndërsa vlera më e lartë e eksportit të Kosovës regjistrohet në vitin e kaluar, me 210.7 milionë euro dhe vlera më e ulët e evidentuar e eksportit të mallrave drejt CEFTA-s ishte mbi 66.8 milionë euro në vitin 2010. Serbia për më shumë se dhjetë vjet Kosovës i shiti mallra çdo vit mesatarisht rreth 294.2 milionë euro, ndërsa nga Kosova bleu mesatarisht mbi 25.5 milionë euro.

Vlera më e lartë e importit nga Serbia e regjistruar nga viti 2010 e këndej evidentohet në vitin 2017, me mbi 449.9 milionë euro, apo rreth gjysmë miliardi euro, ndërsa ajo më e ulët u evidentua në vitin 2019, në rreth 5.8 milionë euro. Rënia drastike e importit nga Serbia në vitin 2019 ishte si rezultat i vendosjes së taksës 10 për qind e më pas 100 për qind nga qeveria e Kosovës. Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011-ën, janë arritur një sërë marrëveshjesh, duke filluar nga lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave deri te njohja e targave të automjeteve. Kompanitë e Kosovës jo rrallëherë kanë pasur vështirësi që të transportojnë mallrat e tyre në Serbi, për shkak se autoritetet ose nuk ua kanë njohur targat e makinave, por edhe kanë pasur probleme me njohjen e dokumentacionit të mallrave, ku figuron termi “Republika e Kosovës” si dhe vulat e lëshuara nga Kosova.

Në vitin 2019 Serbia, për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind nga qeveria e Kosovës, kishte eksportuar mallra në vlerë afërsisht 5 milionë euro, sipas Doganave të Kosovës, por para vendosjes së kësaj takse në nëntor të vitit 2018, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, në një vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit. Taksa ndaj produkteve me orgjinë nga Serbia është hequr nga qeveria e Kosovës në prill të vitit të kaluar./ Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura