Serbia dhe stabiliteti i Europës Juglindore

May 28, 2020 | 9:52
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI dritan hoti

Trashëgimia perandorake në Europë në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore ndryshon për nga fizionomia me fazën përmbyllëse të dominimit perandorak në Europën Juglindore. Në rast se perandoritë europiane të shekullit kishin shtypur jo rrallëherë në të shkuarën me dorë të hekurt, duke provokuar mizori dhe drama te popujt apo kombësitë e kontrolluara prej tyre, ato u tërhoqën nga zotërimet e tyre pas Luftës së Dytë Botërore në një mënyrë të organizuar, duke lënë pas realitete gjeopolitike të rregullta të mishëruara në formacionet përkatëse shtetërore. Etapa përmbyllëse perandorake e Europës Juglindore përkon ekskluzivisht me gjysmën e dytë të shekullit XIX, si dhe dy dekadat e para të shekullit XX. Në Ballkan, ndryshe nga rasti i perandorive koloniale europiane, të cilat me tërheqjen e tyre lanë pothuajse në shumicën e rasteve shtete-kombe në një rend të sistemuar, por me problematika të ndryshme, perandoria otomane nuk u tërhoq me dëshirën e saj në një moment të caktuar, por prania e saj po tkurrej nëpërmjet luftërave kombëtare dhe pas çdo konflikti përvijohej shfaqja e një shteti-komb të ri në juglindje të Europës. Për më tepër, shtetet kryesore ballkanike, të saposhkëputura nga tutela turke, elaboruan doktrinat përkatëse kombëtare me një sfond nga e shkuara historike. Serbia, po ashtu si Greqia pak vite përpara saj, nxori në pah në një etapë të parë platformën e Serbisë së Madhe (Nacertania) dhe mandej, në një fazë të mëvonshme u bë shumë aktive në promovimin e projektit politik të bashkimit të sllavëve të jugut si një skemë të rëndësishme e ndërlidhur me gjeopolitikën e Europës Juglindore, e cila peshonte jo pak në balancat dhe lojërat e dominimit në kontinentin e vjetër. Jo më kot, me largpamësinë e një takticieni të spikatur, shtetari austriak, Klement von Metternich, menjëherë pas përfundimit të revolucionit grek iu shpreh një ditë princit Eugen të Savojës: “Nëse Serbia nuk do të ishte austriake, atëherë do të ishte e preferueshme që ajo të qëndrojë turke”.

Serbia përgjatë ekzistencës së saj ka qenë po aq sa promotore e bashkimit të sllavëve të jugut, sa edhe nxitësja kryesore e brendshme e shkatërrimit të këtij Unioni. Kjo ngjau dy herë përgjatë historisë së Jugosllavisë në vitet ’20-’30, me prirjet e saj për dominim të brendshëm përkundrejt popullsive e republikave konstituive të këtij shteti artificial federativ, si dhe pas viteve ’90 me një turr shumë agresiv ushtarak synonte të shkëpuste shpejt dhe brutalisht hapësira, sipas saj të banuara nga serbët, që në të vërtetë ishte përpjekja për konkretizimin e një Serbie të Madhe në epokën moderne. Kjo për më tepër stimuloi efektin e kundërt, atë të zhvendosjes së saj në kufijtë e saj tradicionalë. Një problematikë madhore, por shumë domethënëse shtrohet dhe asociohet drejtpërdrejt me sjelljen politike, si dhe qëndrimin aktual të Serbisë në kontekstin e ri gjeopolitik e strategjik të Europës Juglindore, i cili është po aq tradicional, pra që u përngjan deri-diku praktikave të ndërhyrjes dhe lojës gjeopolitike ndërmjet fuqive europiane në Ballkan ndërmjet dekadave të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, me tendencat e reja të botës aktuale, në të cilën përfshihen aktorë të rinj e të vjetër ndërkombëtarë, të tillë si SHBA-ja, Kina apo një Turqi në pozita ndryshe nga ato të shekullit të XIX, si dhe Rusia me skemat e saj klasike, njëkohësisht me instrumentet e reja ndikuese aktualisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, siç janë Cyber-teknologjia apo mekanizma të tjerë që ofron epoka dixhitale. Përgjatë historisë së saj, politika e jashtme e Serbisë motivohej nga qëndrime e perceptime kombëtare, të cilat reflektonin elementin fetar ortodoks, i cili frymëzon gjithashtu përmbajtjen etnike, pra atë sllave, prej ku formatohej një mendësi kombëtare. Në premisat aktuale, kur fuqitë e mëdha ndërkombëtare kërkojnë imponimin e realiteteve të reja gjeopolitike apo integruese në përputhshmëri me skemat e tyre përkatëse të politikës së jashtme, orientimi gjeopolitik i Serbisë bëhet sërish domethënës për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Nga vullneti i saj varet jo pak zgjidhja, nëpërmjet një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën, normalizimi marrëdhënieve të saj me botën shqiptare, që përbën edhe një komponent thelbësor të këtij stabiliteti.

Meqenëse pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe e elitës politike drejtuese serbe vazhdojnë të ndihen të penalizuara nga Perëndimi, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato vazhdojnë të kultivojnë një marrëdhënie speciale me Rusinë. Në një dokument të bërë publik disa muaj më parë, mbi strategjinë kombëtare të Serbisë përmendet koncepti i neutralitetit të saj përkundrejt fuqive të mëdha, të përqendruara në Ballkan. Mirëpo, armatosja progresive e saj nga Rusia me sistemin kundërajror Pantir S1, atë S-400, si dhe sistemin e avionëve Mig29 nga Bjellorusia, të cilat provokuan edhe kërcënimet për sanksione nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës, duke shtuar edhe aderimin e saj në vjeshtën e shkuar në Nur Sulltan të Azerbajxhanit në Unionin Euroaziatik, duket sikur e shpërligjin konceptin e “neutralitetit”, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po projektojnë që nëpërmjet përfshirjes së tërësisë së vendeve të rajonit në NATO, për të garantuar kështu një stabilitet në Europën Juglindore, mbështetur mbi disa standarde dhe mekanizma imponuese që dikton aderimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe vende si Gjermania, e cila integrimin e tërësisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian e konsideron si një proces, i cili u jep një zgjidhje pretendimeve kombëtare.

Largimi i Serbisë nga koncepti i “neutralitetit”, pra pozicionimi në politikën e saj të jashtme dhe paralelisht përzgjedhja e aleancave kushtëzohen si vijon: ndryshimet e qëndrimeve në politikën e jashtme lindin kryesisht, pra realizohen nga aktorë të brendshëm. Në rastin e Serbisë, ndryshimi i mendësisë, perceptimeve politike të shoqërisë serbe, shkurt, emancipimi politik si faktori i parë i ndryshimit të politikës së jashtme, tingëllon si një proces i ngadalti dhe i vështirë. Turmat, shoqëritë, përgjatë historisë priren më shumë nga konservatorizmi. Faktori i dytë që ndërlidhet me rolin transformues të elitave politike apo një pjesë të tyre, tentativa të ngjashme me rastin e Serbisë, do të pengoheshin apo kërcënoheshin nga qëndrimet e brendshme populiste si në të shkuarën historike. Këto reagime do të prireshin të manipuloheshin edhe më shumë nga Rusia, e cila nga ana e saj nuk do të toleronte shkëputjen nga influenca e të vetmit aleat të sigurt të saj në Europën Juglindore. Vazhdimi i qëndrimeve të dyzuara në politikën e saj të jashtme, që në thelb nënkupton vazhdimin e traditës së saj, pra ruajtjen e aleancës specifike, historike me Rusinë, si dhe përforcimin e prezencës kineze atje, do t’i inkurajonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shihnin ende Serbinë si pengesën kryesore të skemës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore. E parë në këtë këndvështrim dhe duke mbajtur parasysh “modus operandi”, si dhe synimet gjeopolitike kryesisht të Rusisë dhe të Kinës në rajon, Serbia nuk do të ishte vetëm hallka e munguar për stabilitetin e Ballkanit, por një vatër ku projektohen skema apo operacione që favorizojnë pikërisht destabilitetin në rajon. Këto tendenca do të ushqenin për efekt mbrojtës edhe rikonsiderimet kombëtariste të fqinjëve të saj rrethues. Në rrethana të veçanta, të mbështetura nga fuqi të mëdha, lëvizje të tilla mund të peshoheshin nisur nga një perspektivë realiste, si të favorshme për skemat e fuqive në fjalë në Europën Juglindore. Për nga qëndrimet aktuale gjeopolitike të Serbisë do të kondicionohen në njëfarë mënyre ekuilibrat aq të rëndësishëm për stabilitetin në Ballkan, por më shumë do të kushtëzohej vetë e ardhmja politike e Serbisë, e thënë ndryshe, kuptimi i historisë së saj.

* Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura