Serbët frikësohen se xhihadistët shqiptarë do luftojnë për Shqipërinë e Madhe nëse bie Damasku

Jul 2, 2015 | 18:38
SHPËRNDAJE

Eksperti serb i sigurisë, Pedrag Ceranic ka paralajmëruar për mediat serbe se siguria e Ballkanit varet nga qëndresa e kryeqytetit sirian, Damask.

Eksperti serb i sigurisë, Predrag Ceranic

Nëse Damasku, sipas tij, bie në dorën e xhihadistëve të Shtetit Islamik, atëherë shqiptarët xhihadistë që luftojnë në Siri do të kthehen në Ballkan të luftojnë për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Nëse bie Damasku, do të ketë një lëvizje nga disa vende islamike që do të kërkojnë njohjen e Shtetit Islamik, duke përmendur këtu Turqinë”, thotë Ceranic.

“Gjithashtu, shqiptarët që luftojnë atje, do të kthehen në Shqipëri të luftojnë për Shqipërinë e Madhe. Ka një plan të “Al-Kaedas” që të lobojë për njohjen e Shtetit Islamik dhe kjo është e rrezikshme”, vijon ai më tej.

Ceranic shpreh shqetësim se prioriteti i radhës i xhihadistëve shqiptarë do të jetë krijimi i Shqipërisë së Madhe në dëm të Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

“Prioriteti i tyre është që të krijojnë Shqipërinë e Madhe në dëm të Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Mali i Zi do të kursehet, për shkak të marrëveshjes me NATO-n. Ne duhet t’i frikësohemi një kalifati të ri në Transkaukazi”, vijon ai më tej.

Artikulli në “InSerbia”

Ceranic paralajmëroi se në vjeshtë priten sulme terroriste në të gjithë Ballkanin. Ai bën thirrje për të gjitha vendet e Ballkanit që të koordinohen mes tyre për të mbrojtur sigurinë.

“Terrorizmi sot është në funksion të konflikteve politike dhe gjeopolitike”, thotë Ceranic, duke aluduar se Shteti Islamik dhe Shqipëria e Madhe janë dy “anije” të ndërlidhura dhe janë krijuar si koncepte nga boshllëqet mes SHBA-ve dhe BE-së, nga njëra anë dhe Iranit e Rusisë nga ana tjetër. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura