Senatori italian në Teatrin Kombëtar: Godina vlerë e përbashkët, s’duhet shembur

Oct 29, 2019 | 14:49
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Senatori i Italisë, Roberto Rampi, ka vizituar ditën e djeshme Teatrin Kombëtar.

I njohur me qëllimin e qeverisë shqiptare për ta shembur këtë godinë, gjatë këtyre 2 ditëve të qëndrimit në vendin tonë, duket se kauza ka ngjallur shqetësim te politikani italian, i cili siç shprehet prej agores së protestave, menjëherë ka njoftuar për situatën ministrin italian të Kulturës. Sipas tij, për fatin e këtij objekti, pjesë e trashëgimisë së përbashkët, lipsen tryeza të përbashkëta diskutimi.

“Njoftova ministrin italian të Kulturës, do propozoj që të ketë një takim e të punojmë së bashku rreth kësaj”, shprehet Rampi, anëtar i PD-së italiane, duke theksuar se çështja ka ngjallur interes edhe në Itali.

SENATORI-ITALIAN-PER-TAHIRIN.mpg_snapshot_00.20

“Të shkatërrosh trashëgiminë kulturore është një mëkat dhe ndonjëherë të ndalesh e të mendosh nuk është një shenjë dobësie, por një shenjë force. Kështu apeli im është: Le të ndalemi ta rimendojmë, ndoshta kësaj here së bashku”, thotë ai. Gjithashtu në profesion gazetar, publicist e filozof, senatori italian u shpreh dje se godina e Teatrit Kombëtar ka vlera të çmuara, ndaj nuk duhet shembur por rinovuar.

“Mendoj se godina e Teatrit Kombëtar Shqiptar është me rëndësi kulturore, artistike dhe arkitekturore. Do të ishte e drejtë që të restaurohet, të rinovohet në shenjë respekti të trashëgimisë kulturore”. Rampi, duke theksuar se çështja e Teatrit duhet biseduar edhe me Qeverinë italiane, nuk përjashton mundësinë që kjo e fundit të kontribuojë për restaurimin e godinës, e cila siç thekson ka një stil të veçantë.

“Unë kam një dashuri të madhe për Shqipërinë. Dua që Shqipëria të jetë sa më parë anëtare e Bashkimit Europian. Kam respekt për arritjet në politikën shqiptare, por duhet të mendojmë së bashku për këtë godinë.

I kam kërkuar edhe qeverisë italiane dhe veçanërisht Ministrisë së Kulturës italiane të kontribuojë për Teatrin Kombëtar shqiptar. Mendoj se duhet një projekt i ri, një projekt ndryshe, që të rinovojë Teatrin, por jo ta shembë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura