Sëmundjet valvulare të zemrës te të rriturit, pse nuk duhen neglizhuar

Feb 9, 2018 | 15:18
SHPËRNDAJE

Sëmundjet valvulare të zemrës ndodhin atëherë kur valvulet e zemrës suaj nuk punojnë ashtu siç duhet. Sipas mjekut kardiokirurg Endri Harja, kur valvula ngushtohet apo bllokohet, vështirëson qarkullimin e gjakut në drejtimin normal të lëvizjes.

Kjo, në fjalorin mjekësor, quhet stenozë dhe në rastet kur valvula nuk arrin të mbyllet plotësisht, gjaku kthehet prapa, pra, në sens të kundërt me kahun e qarkullimit. Termi mjekësor në këtë rast është regurgitim ose insuficiencë. Vështirësi në frymë- marrje, dobësia trupore, lodhje e theksuar, ndonjëherë edhe humbja e koshiencës për disa sekonda janë disa nga shenjat klinike më të zakonshme.

Por, sipas doktorit, intensiteti i këtyre ankesave varet nga shpejtësia e dëmtimit. Kështu, kur dëmtimi është akut, si p.sh pas një infarkti akut të zemrës, pas një infeksioni të valvulës apo dëmtimit të pjesëve përbërëse të sistemit, atëherë ankesat bëhen më shumë prezente.

Ato manifestohen kryesisht me marrje fryme të theksuar të menjëhershme deri në edemë apo ënjtje pulmonare, forma ekstreme e pamundësisë së shkëmbimit të oksigjenit e ndonjëherë edhe humbje e jetës. Për fat të mirë, shumë çrregullime të valvuleve mund të trajtohen me ilaçe, kirurgji ose teknika të tjera mjekësore. Doktori shpjegon secilin prej praktikave që aplikohen në mënyrë që të shmangen komplikacionet, të cilat mund të jenë edhe fatale nëse trajtimi nuk bëhet në kohë.

Kardiokirurgu ENDRI HARJA

MBI FUNKSIONIMIN E ZEMRËS

Zemra funksionon si një pompë hidraulike, e cila pompon gjakun nga periferia në mushkëri, ku oksigjenohet e më pas e rishpërndan nëpër organet e njeriut. Në mënyrë konvencionale, për lehtësi studimi, zemra kategorizohet në “të djathtë” e “të majtë”, por nuk është realisht kështu. Anatomikisht, ajo ndodhet në mes të kraharorit dhe ka një rrotullim në sensin orar.

Duke funksionuar si një pompë hidraulike, është e domosdoshme që gjaku të qarkullojë nga ana “e djathtë” në “të majtë”, në sens unik, unidireksional, njëdrejtimor. Me pak fjalë, të lëvizë lirisht me sa më pak rezistencë, vetëm përpara e të mos kthehet prapa. Këtë e mundë- sojnë valvulet e zemrës, të cilat janë valvule unidireksionale (njëdrejtimore). Zemra ka katër dhoma, të cilat lidhen përmes valvuleve. Në total janë katër valvule, dy gjenden në zemrën e “djathtë” e dy në të “majtën”. Valvula trikuspide dhe ajo pulmonare janë “djathtas” dhe valvula mitrale e ajo aortike janë “majtas”.

Patologjitë e valvuleve Sëmundjet e valvuleve të zemrës ndahen në dy grupe të mëdha. Grupi i parë: të lindura (kongenitale) ose të fituara gjatë jetës. Grupi i dytë: akute ose kronike. Grupi i sëmundjeve valvulare të fituara, të cilat shfaqen te të rriturit, mund të jenë akute ose kronike përgjatë viteve. Duke qenë se janë valvula njëdrejtimore (unidireksionale), për definicion, dëmtimi i tyre mund të prekë funksionin në dy kahe. Kur valvula ngushtohet, bllokohet, vështirëson qarkullimin e gjakut në drejtimin normal të lëvizjes. Kjo, në fjalorin mjekësor, quhet stenozë e valvulës.Pacemaker-Market-2017

Në rastet kur valvula nuk arrin të mbyllet plotësisht, gjaku kthehet prapa, pra, në sens të kundërt me kahun e qarkullimit. Termi mjekësor në këtë rast është regurgitim ose insuficiencë. Më rrallë ndodh që të mbivendosen të dy dëmtimet njëkohësisht. Teorikisht, të katër valvulet janë të ekspozuara nga këto dëmtime, stenoza apo insuficienca, por më të shpesh ta janë prekjet e valvuleve “të majta”. Ankesat klinike dhe pasojat Pasojat që këto dëmtime japin në zemër janë të ndryshme, pasi mekanizmi i dëmtimit është i ndryshëm.

Gjithsesi, ankesat klinike që përjeton pacienti janë të ngjashme. Ankesat kryesore të këtyre patologjive të valvuleve të zemrës janë marrja e theksuar e frymës, dobësia trupore, lodhja e theksuar, ndonjëherë edhe humbja e koshiencës për disa sekonda. Intensiteti i këtyre ankesave apo evolucioni i tyre në kohë varet nga shpejtësia e dëmtimit, pra, nëse dëmtimi është akut apo kronik. Në rastet kur dëmtimi është akut, si p.sh. pas një infarkti akut të zemrës, pas një infeksioni të valvulës apo dëmtimit të pjesëve përbërëse të sistemit (sëmundje gjenetike të indit lidhor), atëherë ankesat janë mjaft evidente.

Ato manifestohen kryesisht me marrje fryme të theksuar, të menjëhershme, deri në edemë pulmonare, forma ekstreme e pamundësisë së shkëmbimit të oksigjenit, gjendje kolapsi kardiocirkulator e ndonjëherë edhe humbje e jetës. Trajtimi në këto raste është kirurgji emergjente, pavarësisht rrezikut të lartë operator. Pa ndërhyrje emergjente, rezultati fatal është praktikisht i pashmangshëm.

Nga ana tjetër, kur dëmtimi është gradual e i ngadaltë në kohë, d.m.th kronik, i jep kohë zemrës të përshtatet. Fatmirësisht, zemra ka mekanizma kompensatorë të shkëlqyer, por edhe ato e kanë një limit kohor. Falë kësaj përshtatjeje, pacienti ndonjëherë mund të mos ketë ankesa fare. Megjithatë, nëse lihen të patrajtuara, ato çojnë pashmangmërisht në dëmtim të fuqisë së zemrës për të pompuar gjak ose atë që quhet insuficiencë kardiake.

Metodat diagnostikuese

Në ditët e sotme mundësitë e aftësitë diagnostike kanë përparuar mjaft, qoftë në ekspertizën e mjekëve, ashtu edhe në teknologji. Mjetet kryesore në diagnostikimin e këtyre patologjive janë vizita mjekësore me stetoskop dhe ekokardiografia.

Trajtimi

Trajtimi i këtyre patologjive është një kombinim i terapisë me barna dhe ndërhyrjeve moderne kirurgjikale. Kombinimi i terapive bazohet në stadin e patologjisë valvulare, d.m.th nga shkalla e dëmtimit të valvuleve të funksionit të zemrës. Medikamentet synojnë lehtësimin e ankesave të shkaktuara nga stenoza apo insuficienca valvulare, pa trajtuar shkakun e tyre. Nga ana tjetër, ndërhyrjet moderne kardiokirurgjikale shkojnë në thelb të problemit duke trajtuar shkakun, pra, duke korrigjuar vetë dëmtimin e valvulës. Zgjidhja më e mirë e një dëmtimi mekanik është korrigjimi mekanik, pra, korrigjim kirurgjikal.

Trajtimi kirurgjikal

Opsionet e korrigjimit kirurgjikal janë praktikisht dy: riparimi ose zëvendësimi i valvulës ose valvuleve të dëmtuara. Objektivi kirurgjisë është minimizimi i ankesave (marrja e frymës, lodhja, etj) dhe parandali mi ose stopimi i dëmtimit të mëtejshëm të funksionit kardiak. Këto trajtime janë të përcaktuara nga udhërrëfyesit, që publikohen çdo katër vjet nga shoqatat kardiologjike amerikano-veriore e europiane. Për t’u theksuar është edhe roli i kardiologut e kardiokirurgut lokal në interpretimin e zbatimin rigoroz të tyre. Riparimi konsiston në ruajtjen e valvulës natyrore të pacientit, rrjedhimisht edhe rifitimit të funksionit të saj.

Ndërsa zëvendësimi nënkupton heqjen e valvulës natyrore e implantimin e një proteze artificiale biologjike apo mekanike. Protezat janë një opsion shumë i mirë sipas indikacionit, por nuk ekziston ende një protezë ideale, gjë e cila e bën atë inferiore ndaj valvulës natyrore. Për këto arsye, sot preferohet riparimi i valvuleve. Riparimi është i mundur në rastet kur valvula është insuficiente (kthen gjak mbrapsht) dhe virtualisht i pamundur kur valvula (me përjashtim të asaj pulmonare)është stenotike, e ngushtuar. Varësisht qendrës dhe eksperiencës personale të kardiokirurgut, riparimi i valvulës mitrale është gati 100% i mundur.

Riparimi i valvulës së aortës është ende në hapat e parë. Po zhvillohen teknika që sigurojnë afatgjatësi të rezultatit e që mund të jenë të realizueshme nga sa më shumë kardiokirurgë të jetë e mundur. Riparimi i valvulës trikuspide është i përcaktuar qartë, i thjeshtë e i realizueshëm nga shumë mjekë. Valvula pulmonare, praktikisht nuk operohet më, pasi vetë patologjia e saj është e tillë dhe realizohet me ndërhyrje perkutane, jo kirurgjikale.

Zëvendësimi i valvuleve po ashtu është procedurë standarde e realizueshme nga gati çdo kirurg. Lloji i protezës biologjike përcaktohet në diskutim me kardiokirurgun e kardiologun varësisht moshës së pacientit, pranisë së aritmive të ndryshme apo preferencës së pacientit. Realizimi i të gjithë këtyre ndërhyrjeve mund të arrihet me kirurgji konvencionale d.m.th me hapje të tërë dërrasës së kraharorit, me hapje të pjesshme të saj ose me hapje të vogël mes brinjëve. Metodat e reja Horizonti ri i trajtimit të sëmundjeve valvulare të zemrës është realizimi i tyre pa ndërhyrje kirurgjikale. Në vendet perëndimore. një pjesë e mirë e tyre realizohet me ndërhyrje perkutane. Ato realizohen nga një staf i dedikuar, i përbërë nga kardiokirurgë, kardiologë, anestezistë etj.

Sistemi i qarkullimit aksesohet përmes një arterieje me kalibër mesatar, zakonisht nga rrëza e kofshës ose nga maja e zemrës përmes një hapje të vogël mes brinjëve. Përmes disa telave përgatitet implantimi i protezës në rastet e zëvendësimit ose vendosja e disa kapëseve të vogla në rastet e riparimit. Aktualisht, këto procedura kanë kosto të larta dhe janë të miratuara për pacientë me rrezik të lartë për kirurgji. Gjithsesi, sapo kanë përfunduar studimet për aplikimin e këtyre metodave në pacientë me rrezik mesatar e të ulët. Rezultatet paraprake janë mjaft premtuese. E ardhmja e trajtimit të sëmundjeve valvulare të zemrës u përket këtyre metodave inovative.

  Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura