Intervista/ Cilat janë sëmundjet më të shpeshta që hasen pas 50-ve

Apr 16, 2017 | 7:30
SHPËRNDAJE

Sëmundje të zemrës, hipertension, diabet dhe depresion janë disa prej komplikacioneve që nisin të shfaqen pas të pesëdhjetave. Sipas ekspertit për sëmundjet kronike në Institutin e Shëndetit Publik, Alban Ylli, pragu për shfaqjen e këtyre sëmundjeve është ulur ndjeshëm, duke mos kursyer as moshat e reja.

Në intervistën dhënë për gazetën Panorama, Ylli ngre si shqetësim edhe mosmenaxhimin si duhet të hipertensionit në vendin tonë. “Në 25 vitet e fundit, vendi ynë ka dështuar në mbajtjen nën kontroll të hipertensionit. Ka pak individë që e dinë dhe një pjesë e tyre nënvlerësojnë apo neglizhojnë trajtimin e tij te specialisti”.

hqdefault
Alban Ylli

Cilat janë disa prej sëmundjeve kronike që shfaqen kryesisht pas të 50- ave?

Vitet e fundit, jetëgjatësia mesatare në vendin tonë është rritur. Por ka një problem, ajo që quhet tkurrja e sëmundshmërisë, në popullatën shqiptare fillon vonë. Kjo do të thotë se jetëgjatësia është rritur, por cilësia e jetës nuk është përmirësuar. Sëmundjet nisin të shfaqen shumë herët dhe janë të përhapura në masë. Konstatohet po ashtu se një pjesë e popullsisë ka më shumë probleme me shëndetin në raport me moshatarët e tyre në vendet e tjera. Për t’u ndalur te pyetja juaj, në vetvete moshimi është një problem tejet kompleks, ka elemente sociale, shëndetësore dhe ekonomike, shumë prej të cilave fillojnë në mosha më të reja. Pra, ajo që ne shohim sot te mosha e tretë nuk është gjë tjetër veçse refleksion i një jete të bërë më përpara.

A ka të dhëna, apo studime mbi gjendjen shëndetë-sore të kësaj grupmoshe?

Për moshën e tretë nuk mungojnë statistikat. Problemi qëndron në faktin se për vite me radhë, kjo kategori është mënjanuar pasi në fokus të çdo politike qeveritare kanë qenë moshat e reja dhe fëmijët. Për ta konkretizuar, studimet më të mëdha janë realizuar në 2002 dhe 2009. Ky fotografim i shëndetit dhe gjendjes së përgjithshme të popullatës është bërë për moshën 15-49 vjeç. Pra, për ato që quhen mosha riprodhuese, pra mosha të reja. Për të moshuarit ndërkohë nuk dimë se çfarë ndodh.

Pse ka ardhur kjo?

Është fenomen i përgjithshëm i lidhur kryesisht me traditën dhe demografinë. Sistemi shëndetësor ka qenë i orientuar kryesisht ndaj fëmijëve, duke qenë se përbënin edhe një pjesë të konsiderueshme në popullatë. Vetëm vitet e fundit mjekët po vënë re armatën e madhe të të moshuarve të sëmurë. Aktualisht 50-vjeçarët përbëjnë pjesën dërrmuese të shoqërisë. Pra, ndryshon shoqëria edhe sistemi shëndetësor fillon të adaptohet.

Kthehemi te komplikacionet që shfaqen pas të 50- ave…

Pa diskutim problem kryesor janë sëmundjet kronike, por edhe ky është një term shumë i përgjithshëm. Grupi i sëmundjeve, të cilat hasen më shpesh, janë sëmundjet kardiovaskulare, kryesisht sëmundjet ishemike të zemrës, ishemike të trurit, por edhe ndonjë problem, i cili është më masivi dhe ndonjëherë konsiderohet si faktor risku.

I referohem këtu hipertensionit, pasi është fenomeni më i shpeshtë në këto grupmosha. Ai kontribuon në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare nga pikëpamja e peshës që ka. Ka disa raporte që tregojnë se ai menaxhohet jo mirë në Shqipëri. Në 25 vitet e fundit, vendi ynë ka dështuar në mbajtjen nën kontroll të hipertensionit. Ka pak individë që e dinë dhe një pjesë e tyre nënvlerësojnë apo neglizhojnë trajtimin e tij te specialisti.

Po ashtu vëmë re se një tjetër problem shëndetësor është depresioni, apo thënë ndryshe neurozat e ankthit dhe të depresionit, të cilat janë shfaqje e konfliktit ndërmjet ëndrrave, dëshirave dhe mundësive. Nga pikëpamja e shpeshtisë, të përhapura janë edhe sëmundjet tumorale. Probleme të tjera të shpeshta që vërehen në vendin tonë janë edhe diabeti, sepse është faktor risku për sëmundje të tjera, siç janë sëmundjet e zemrës, syve, veshkave dhe ka nevojë të trajtohet si i tillë.

Shpesh sëmundjet e shëndetit mendor ngatërrohen me demencën, si bëhet diferenca. Pra kur kemi të bëjmë me njërën apo tjetrën sëmundje?

Një mjek i patrajnuar e ka të vështirë ta bëjë menjëherë diferencën, por një mjek specialist arrin ta dallojë si njërën, ashtu edhe tjetrën. Demenca është një problem tjetër, më serioz, dhe mund të shfaqet nganjëherë edhe me shenjat edepresionit. Një person që është i paaftë për punë, është i mbyllur, ka humbur kënaqësinë nga jeta, ka humbur shpresën, janë shenja që shfaqen, me të cilat manifestohen demenca dhe depresioni. Në jo pak raste, një demencë mund të maskojë një depresion dhe anasjelltas. Por nëse përdoren instrumentet e duhura, mund të diferencohen. Megjithëse mund të ndodhë që në fazat e para të jenë të mbivendosura. Harresa shkakton një frustrim të vazhdueshëm, një lodhje dhe zemërim me veten e tij, pasi nuk është në gjendje të orientohet në hapësirë dhe kohë, ka probleme me komunikimin dhe kjo, ka gjasë t’i shkaktojë atij/asaj depresion. Por, në përgjithësi, kur flasim për depresionin, e kemi fjalën qartazi për një problem të ndryshëm nga demenca. Ato mund të bashkëjetojnë apo të maskojnë njëra-tjetrën, por janë qartësisht të dallueshme.

Sa i takon përhapjes, çfarë mund të thuhet?

Depresioni është më i shpeshtë në raport me demencat që janë më të rralla. Përqindja e atyre që vuajnë nga demenca në vendin tonë është e ulët. Për më tepër, kjo sëmundje është më e pranishme tek ata që janë në moshë mbi 80 vjeç.

Cilat janë shenjat me të cilat manifestohet depresioni?

Kjo varet nga stadi i sëmundjes. Shenjat e depresionit janë të ndryshme, nga fazat më të hershme tek ato progresive. Mund të shmanget ky progres nëse mjekohet në kohë? Ne besojmë që po. Duhet durim, kohë, por edhe mbështetje. Por kjo është e lidhur me karakterin dhe shoqërinë. Ndaj kërkohet ndërgjegjësim më i madh.

Cili është roli që duhet të marrë familja dhe shoqëria?

Gjëja e parë është ndjenja e besimit. Një person që ndodhet në një fazë të caktuar të depresionit, e që ka vështirësi të kësaj natyre, të adaptimit emocional dhe të humorit, ka nevojë për besim dhe mbështetje. Kritika nuk ka aspak vlerë. Nëse dhurohet dashuri, do të jetë një ndihmesë e madhe për atë person që të dalë apo ta kapërcejë situatën ku ndodhet.

A ka të dhëna mbi përhapjen e depresionit në vendin tonë dhe sa prej tyre trajtohen nga mjeku?

1 në 4 të moshuar vuajnë nga depresioni. Stigma është shumë e madhe dhe shumë pak prej tyre drejtohen për trajtim te mjeku specialist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura