Sëmundjet e mushkërive që shfaqen pas të 40-ve, shenjat dhe trajtimi

Feb 16, 2018 | 10:34
SHPËRNDAJE

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), kanceri dhe astma mbeten sëmundjet që rrezikojnë moshën e tretë. Përmes një interviste dhënë për gazetën, shefja e pavijonit të pneumologjisë në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala ndalet në mënyrë të detajuara mbi secilën nga këto patologji.

Në çdo rast, sipas doktoreshës, armiku kryesor mbetet konsumimi i duhanit, ndaj edhe ndërprerja e tij është një ‘armë’ për të fituar betejën ndaj sëmundjes dhe komplikacioneve që ajo mund të sjellë. Një rol të rëndësishëm luan edhe diagnostikimi i hershëm, ndjekja me përpikëri e skemës së mjekimit dhe regjimi ushqimor.mjeke

Cilat janë sëmundjet e mushkërive, që prekin kryesisht moshën e tretë? Mosha e tretë është më e rriskuar nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike(SPOK). Është një patologji, e cila ka të bëjë me një vuajtje kronike të rrugëve të frymëmarrjes, e cila pasohet më tej me dëmtime të parikthyeshme të vetë indit apo mishit mushkëror. Do ta rendisja në vendin e parë këtë sëmundje për nga përhapja, për vetë faktin se ajo është e lidhur me duhanpirjen për një kohë të gjatë.

Nëse një person ka filluar të konsumojë duhan në moshën 20 vjeç, simptomat e para të sëmundjes do të nisin të shfaqen menjëherë pas të 40-ve. Me kalimin e viteve, që korrespondon me moshën e tretë, sëmundja përparon duke i invalidizuar pacientët. Ata do të jenë të varur nga terapia me oksigjen, përveç terapisë së përditshme që marrin nëpërmjet pompave.Capture

Përparimi i sëmundjes mund të parandalohet, nëse diagnostikohet në fazat e para? Ka raste kur edhe pas të 40-ve të konstatojmë pacientë që janë në stade të parikthyeshme. Por, nëse ne i diagnostikojmë në stadin e dytë, edhe rezultatet do të jenë më të mira. Një skemë korrekte mjekimi dhe ndërprerja e duhanit bëjnë që të rikuperohet një përqindje shumë e madhe e funksionit respirator, për rrjedhojë këta pacientë nuk shkojnë drejt invalidizimit.

Por duke qenë se janë duhanpirës kronikë, ata e kanë shumë të vështirë pjesën e ndërprerjes së duhanit. Duke mos hequr dorë nga ky ves, ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se po shkojnë në rrugën e parikthyeshmërisë. Stadi i III dhe stadi IV i sëmundjes konsiderohet i avancuar dhe i kthen këta pacientë në invalidë me një kosto shumë herë më të lartë për shtetin.

Përveç duhanit, a ka faktorë të tjerë që ndikojnë? Për moshën e tretë do të veçoja edhe ata pacientë të sëmurë kronikë pulmonarë, të cilët kanë punuar në rininë e tyre të hershme në miniera. Ndotja e ambientit të punës me një koncentrim shumë të lartë të pluhurave, qëndrimi për një kohë shumë të gjatë nëntokë, mosmbrojtja po ashtu, ka sjellë depozitimin e pluhurave në mushkri.

Por vendosja e pluhurit në mushkri dhe instalimi i silikozës prish procesin bazë të frymëshkëmbimit dhe këta pacientë bëhen deficitarë në presionet normale të oksigjenit në gjak, pra, kemi ulje të oksigjenit në gjak, gjë e cila korrespondon me pamjaftueshmërinë e tyre në frymëmarrje. Kjo sëmundje ka predispozitë të avancojë dhe të shkaktojë probleme me zemrën.

Pra, fillojnë dhe komprometohen edhe organet e tjera, pra, komplikacionet, siç janë pamjaftueshmëria në frymëmarrje, zemra mushkërore, sistemi periferik i tyre. Këta pacientë do të vuajnë po ashtu nga edemet.

Veç minatorëve, cilat kategori të tjera janë kontingjente risku? Kontingjent risku është çdo individ, që punon në ambiente të ndotura. Por duke qenë se po flisnim për moshën e tretë, veçoj ata, të cilët kanë punuar në minierë para viteve ’90, si edhe ata që kanë punuar në metalurgji, te të cilët është po ashtu e instaluar sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes, këta persona rrezikojnë invalidizimin.

Sa i takon mjekimit, në rastin e SPOK, cilat janë metodat që aplikohen? Këta pacientë kanë të rimbursueshme të gjitha medikamentet që marrin në shtëpi. Riakutizimet trajtohen në spital, nuk është e rimbursueshme vetëm oksigjeno-terapia, për të cilën ne po luftojmë që ta përfshijmë në skemë.

Në pjesën akute të infeksionit, kur kemi deficite të mëdha të oksigjenit në gjak, pacientët trajtohen në kushte reanimacioni. Kërkojnë patjetër trajtim me antibiotikë, mjekim me corticoterapi, mjekim me aerozoloterapi, gjë të cilën e zëvendëson në shtëpi me trajtimin me pompa dhe mund të shkojë deri në ventilimet mekanike joinavazive dhe inavizive.

Pra joinvazive nëpërmjet aparateve që quhen sipape dhe invasive deri në frymë- marrje të drejtuar. Sot me mundësinë individuale të çdo individi ka shumë pacientë që i kanë të blera këto pajisje, ndërsa mjekimi është plotësisht i rimbursueshëm nga shteti, këtu përfshihen pompat.

Tjetër patologji, e cila haset te mosha e tretë? Përveç sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK)çfarë konstatohet te mosha e tretë është edhe kanceri pulmonar apo kanceri i mushkërive. Të riskuar edhe në këtë rast janë personat në moshën mbi 50 vjeç dhe ata që konsumojnë duhan. Por edhe ata, që vuajnë nga sëmundja e silikozës janë kontingjent risku.

Vetë prishja e strukturës së mushkërisë është provabël për një atipizëm qelizor, që lind kancerin e mushkërive. Ka shumë raste që ne hasemi me pacientë, që kanë sëmundje kronike obstruktive pulmonare dhe kancer, pasi kanë vepruar me të njëjtin organizëm, që është stresi oksidativ.

Rritja e lëndëve oksidante në gjakun e njeriut është elementi kyç, mbi të cilin lind atipizimi dhe sëmundja kronike obstruktive. Antioksidantët, të cilët janë enzimat, vitamina C, e cila sintetizohet në hepar është e pazonja për të inaktivizuar oksidentin, i cili është një element që çlirohet nga djegia e duhanit, pasi gjendet në tymin e tij. Në këtë mënyrë, edhe kanceri në këtë moshë ka si faktor risku moshën, ndotjen e ambientit dhe duhanin.bronkiti-c1200x600

Çfarë shqetësimesh paraqesin pacientët e prekur nga kanceri në mushkëri? Në rastet kur kemi të bëjmë me një duhanpirës do të kishte rëndim të kollës, rritje të frekuencës së saj, e cila mund të shoqërohet edhe me gëlbazë me gjak. Në një SPOK që ka pasur simptomat: kollë dhe vështirësi në frymëmarrje nuk duhet të neglizhohet rritja e gravitetit të tyre, pasi është një sinjal që kërkon një diagnostikim më të imtësishëm në drejtim të kësaj patologjie.

Por, duhet thënë që ka pasur raste kur diagnostikimi është bërë në mënyrë të rastësishme dhe të papritur. Ka ndodhur që janë shtruar në spital për një infeksion dytësor dhe në rutinën e kryerjes së ekzaminimeve janë diagnostikuar me tumor. Përgjithësisht, nisur edhe nga përvoja juaj, a diagnostikohet në kohë kjo sëmundje? Vitet e fundit, në kushtet e një informacioni të pakufishëm, vërehet edhe një sensibilizim më i madh. Dua të vë në dukje se mjafton vetëm një ekografi e thjeshtë, e cila nuk ka as kosto për xhepat e qytetarëve për të diagnostikuar në kohë kancerin e stomakut. Një simptomë, e cila nuk ka qenë apo ka qenë dhe është rënduar nuk duhet të neglizhohet.

Në kushtet kur shifrat e duhanpirësve janë në rritje, sa prezent është risku për shtim të rasteve me kancer në mushkëri? Duhani cilësohet si shkaktar, por kanceri ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë. Për moshat e reja do të rendisja të parin faktorin gjenetik. Më pas, konsumimin e duhanit, ndotjen, punën me kimikate, pluhura apo edhe infeksione të përsëritura me cikatrica në mushkëri. Pra, janë disa shkaqe.

Një trajtim korrekt dhe në kohë, mund ta ‘mposhtë’ këtë sëmundje? Nëse sëmundja diagnostikohet në stadin e parë dhe të dytë dhe është e një tipi qelizor që intervenohet, ka jetëgjatësi të kënaqshme. Në praktikën tonë të përditshme ne kemi pasur raste pacientësh, që kanë hequr një mushkëri dhe kanë një jetëgjatësi 10-vjeçare. Kështu që, sa më i hershëm diagnostikimi, aq më të suksesshëm jemi edhe në trajtim edhe në mbijetesë. Nga ana tjetër, nëse kanceri është në stadet e avancuara, ka përfshirë edhe një organ tjetër apo struktura bazale jetësore, jemi të pashpresë për jetën e pacientit.

Kur flasim për sëmundjet e mushkërive, sa rëndësi ka regjimi ushqimor? Me rëndësi është marrja e lëndëve antioksidante. Marrja e produkteve siç është qumështi, lëngu i domates, dieta proteinike, vitamina A, C dhe E janë antioksidantë të rëndësishëm që neutralizojnë të gjitha helmet apo gazet, të cilat çlirohen qoftë nga djegia e duhanit, qoftë edhe nga puna në ambiente të ndotura. Ka shumë rëndësi dieta proteinike sepse te të sëmurët kronikë respirator ka të bëjë me rritjen e masës muskulore, e cila del jashtë kontrollit. Unë do t’u kisha këshilluar të gjithë individëve të marrin një dietë të pasur me proteina, me vitamina ku baza duhet të jetë peshku, mishi, qumështi, djathi, kosi frutat me shumicë dhe të eliminohen karbohidratet, sidomos ato artificiale. Këto të fundit janë armiku i të gjithë proceseve biologjike në organizëm. Yndyrat po ashtu, duhet të përdoren në mënyrë të kufizuar.

Astma kronike, është një tjetër patologji, çfarë duhet të dimë për të? Astma kronike është një patologjiqë mund të shfaqet edhe në moshat e hershme. Nëse nuk menaxhohet që në moshë të re, riakutizimet që bën astma nga infeksionet dytë- sore e bën një pacient të parikthyeshëm në funksionin e tij respirator. Pra, astma kronike është një sëmundje, e cila referohet hershëm nga pacientët, nuk fillon në moshën e tretë. Ajo mund të jetë shfaqur herët, është qetësuar, por ka mbetur aty për t’u rizgjuar përsëri. Mbivendosja e këtyre sëmundjeve pastaj, mund të sjellë invalidizim të të sëmurit, duke e kthyer në një pacient të varur nga mjekimi dhe oksigjeno-terapia.

Çfarë sugjerohet në këto raste? Astma është një sëmundje që ka shërimin e saj spontan dhe shërimin e saj nëpërmjet mjekimit. Mund të fillojë një episod dispneje, i cili referohet nga individi, por që është stabilizuar vetë. Por mund të kemi një episod dispneje që ka nevojë për mjekim të specializuar. Vlerësimi i një astme në stadet e hershme, kujdesi që duhet t’i kushtohet e shpë- ton nga një sëmundje kronike. Harresa, neglizhenca, rendja pas një pune që e përkeqë- son këtë situatë, mund të çojë në përkeqësim dhe rrezik për jetën.

Disa këshilla që dëshironi t’i ndani edhe me lexuesit? E para gjë që këshilloj është ndërprerja e duhanit. Dyoksidi i karbonit është shumë i rrezikshëm, pasi depërton në rrugët respiratore dhe në gjakun e këtyre pacientëve. Krijon insulte cerebrale, nxit arteriosklerozën, nxit ngushtimin e rrugëve ajrore, sjell kancer. Pra, është një zinxhir i gjatë procesesh, efektesh anësore.

Dua ta vë theksin po ashtu në masat që duhet të marrë shteti në ajrosjen e ambienteve, të cilat konsiderohen me kimikate dhe me pluhura, siç janë industria fasone dhe rrobaqepësitë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, marrja dhe aplikimi i skemës së mjekimit në mënyrë të kujdesshme sikundër ka rekomanduar mjeku, pasi ndërprerja dhe rifillimi mund të ketë kosto. Pa diskutim, rol ka edhe dieta që është shumë e rëndësishme, sidomos për një nënë shtatzënë, që do të lindë një fëmijë. Për ta pasur të shëndetshëm nga ana e mushkërive duhet të ushqehet shëndetshëm dhe s’duhet të pi cigare.

Panoram

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura