Sëmundjet e arterieve koronare, shkak për vdekshmërinë pas të 50-ve, si mund të parandalohen

Oct 27, 2019 | 9:35
SHPËRNDAJE

Bllokimi i enëve të gjakut nga pllakat aterosklerotike mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve të arterieve koronare. Si në çdo patologji tjetër, shkaktarët apo faktorët e rrezikut janë po ata, nga ku mund të veçojmë konsumimin e duhanit, stresin, mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik, pa harruar edhe sëmundjet bashkëshoqëruese, siç mund të jenë diabeti apo hipertensioni.

162020

Mjekja kardiologe, Manjola Liko, thotë se sëmundjet e arterieve koronare progresojnë me kalimin e viteve dhe është e vështirë të diagnostikohen në fazën fillestare. “Formimi i pllakës aterosklerotike mund të fillojë që në moshën e fëmijërisë dhe manifestimet klinike shfaqen në moshën adulte. Procesi zhvillohet për disa vite, deri disa dekada dhe është një progres jolinear, por me periudha, pasoja dhe evoluim të shpejtë”, thotë doktoresha. Por çfarë mund të bëjmë për të parandaluar këtë sëmundje? Ndryshimi i sjelljes me shëndetin si lënia e duhanit, alkoolit, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit dhe kontrolli i peshës janë masat paraprake, të cilat mund t’ju vijnë në ndihmë.

“Dieta e shëndetshme në drejtim të shtimit të frutave, perimeve dhe drithërave, konsumi më tepër i peshkut apo i acideve yndyrore të pangopura ul riskun për SAK. Nga ana tjetër, dieta ul sasinë e kolesterolit në gjak, ul presionin arterial dhe ul nivelin e triglicerideve, të cilët janë faktorë të rëndësishëm për SAK. Aktiviteti fizik është i rekomanduar 3-4 herë në javë. Rekomandohet po ashtu, kontrolli i faktorëve të riskut si hipertensioni, diabeti apo dislipidemive”, shton më tej mjekja kardiologe.

DR. MANJOLA LIKO

Sëmundjet e arterieve koronare(SAK) janë sëmundjet kardiake më të shpeshta dhe një nga shkaktarët kryesore të vdekshmërisë si në meshkuj edhe në femrat pas moshës 50 vjeçare. Kjo sëmundje është rezultat i bllokimit të enëve koronare nga pllakat aterosklerotike, që formohen në brendi të tyre. Këto pllaka ngushtojnë arteriet dhe ulin sasinë e gjakut që ushqen vetë zemrën. Shkaktarët ekzaktë që iniciojnë dëmtimin në brendinë e enës koronare janë të panjohur, por njihet një numër faktorësh të riskut kardiovaskular, si faktori gjenetik, duhanpirja, inaktiviteti fizik, stresi, diabeti, hipertensioni apo dislipidemitë. Formimi i pllakës aterosklerotike mund të fillojë që në moshën e fëmijërisë dhe manifestimet klinike shfaqen në moshën adulte. Procesi zhvillohet për disa, vite deri disa dekada dhe është një progres jolinear, por me periudha, pasoja dhe evoluim të shpejtë.

Kur dëmtimi në brendinë e arteries koronare ndodh, vetë organizmi inicion procese shëruese, çlirohen komponentë yndyrorë, se fillon formimi i pllakës aterosklerotike. Kjo pllakë mund të ngushtojë apo të bllokojë të gjithë enën koronare, duke reduktuar fluksin e gjakut që ushqen muskulin e zemrës. Këto dëmtime janë përgjegjëse për infarktin e miokardit, aritminë apo insuficiencën kardiake. Faktorë nxitës janë prania e sindromit metabolik, apoproteina B, fibrinogjeni, mikroalbuminuria, apo edhe hipertrigliceridemia. Ka një efekt shumëfishimi të riskut kur janë të pranishëm në organizëm njëkohësisht disa faktorë rreziku

. Për shembull, te një mashkull me hipertriglicediemi mbi 250, tension arterial diastolic mbi 90 dhe fumator rreziku për sa i përket vdekshmërisë është shumë më i lartë sesa nëse këta faktorë do të ishin të veçantë. Dhe nga ana tjetër, kontrolli i njërit prej këtyre faktorëve sjell benefite të rëndësishme në individin me shumë faktorë rreziku.

SAK manifestohet në spektrin klinik me Angina pectoris, e shoqëruar ose jo me ishemi të miokardit dhe me sindromë koronare akute, ku hyn infarkti i miokardit apo vdekja e papritur. Angina pectoris apo dhimbja e gjoksit është një sindromë klinike e manifestuar me një dhimbje retrosternale, dispne apo diskomfort në eforte fizike apo në stres. Kjo dhimbje qetësohet me përdorimin e nitrateve.

Shkaku më i shpeshtë është pllaka aterosklerotike e koronareve. Angina variant është një lloj angine i shkaktuar nga spazma e arterieve koronare pa dëmtime të tyre. Te pacientët me diabet mund të zhvillohet një ishemi e heshtur, që jep ndryshime në elektrokardiogramë, por pa asnjë shenjë klinike. Ndaj, diabetikët duhet të kryejnë kontrolle kardiake rutinë. Sindromi koronar akut shkaktohet nga ruptura e pllakës aterosklerotike.

Ky është një proces dinamik, që mund të çojë në bllokim të plotë të enës koronare, që jep infarkt akut miokardi. Në infarktin e miokardit, një regjion i muskulit të zemrës vuan nga mungesa e zgjatur e furnizimit me oksigjen, kjo gjë çon në nekrozë apo në vdekje të indit miokardial. Procesi i zhvillimit të infarktit progreson për disa orë dhe mbart një vdekshmëri të lartë. Për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes në arteriet koronare, mund të marrim një serë masash. Ndryshimi i stilit të jetesës.

Ndryshimi i sjelljes me shëndetin, si lënia e duhanit, alkoolit, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit, kontrolli i peshës. Dieta e shëndetshme në drejtim të shtimit të frutave, perimeve dhe drithërave, konsumi më tepër i peshkut apo i acideve yndyrore të pangopura ul riskun për SAK. Nga ana tjetër, dieta ul sasinë e kolesterolit në gjak, ul presionin arterial dhe ul nivelin e triglicerideve, të cilët janë faktorë të rëndësishëm për SAK. Aktiviteti fizik është i rekomanduar 3-4 herë në javë. Rekomandohet po ashtu, kontrolli i faktorëve të riskut si hipertensioni, diabeti apo dislipidemive.

Duhet theksuar se stresi është shumë i rëndësishëm në shëndetin kardiovaskular. Ai e trefishon apo e katërfishon riskun për vdekshmëri gjatë vitit të parë të infarktit të miokardit. Vlerat kufi të presionit arterial janë 120/80, sidomos në individët diabetikë. Pacientët me diabet janë dyfish deri shtatëfish më të rrezikuar për SAK. Sasia e tepërt e sheqerit në gjak dëmton endotelin e enëve koronare dhe i bën ato më vulnerabile nga formimi i pllakave apo trombeve koronare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura