“Selia qendrore” e kompanisë ku u transferuan 2 milionë euro rezulton të jetë thjesht një shtëpi

Oct 22, 2020 | 23:45
SHPËRNDAJE

Një adresë biznesi ku një ditë më parë u transferuan më shumë se 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës, rezulton të jetë shtëpi.

shtepi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim për të dyshuarin kryesor që ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në një kompani private. Radio Evropa e Lirë ka vizituar shtëpinë në fshatin Llapushnik, rreth 30 kilometra larg nga Prishtina, ku kompania ka dhënë adresën kur është regjistruar si biznes.

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se e ka arrestuar të dyshuarin L.G kurse dy persona të tjerë, që janë pronar të kompanisë private ku u transferuan paratë, gjenden në arrati.

Siç njofton Gjykata, i pandehuri me iniciale L.G dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykata tha se mori vendim për ta dërguar në paraburgim, nga frika se i njëjti mund të arratiset apo edhe të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë apo bashkëpjesëmarrës të tjerë.

I arrestuari është L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Më herët gjatë ditës është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të arrestuarit. Avoakti i L.G, Veton Rrecaj tha se Prokuroria nuk paraqiti “asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura