Selami Simsek padit Drejtorinë e Azilit: Mos më dëboni në Turqi, më rrezikohet jeta. Pranoni kërkesën për…

Oct 29, 2020 | 13:34
SHPËRNDAJE

Shtetasi turk, Selami Simsek, nuk pranon masën e vendosur nga Gjykata e Tiranës për ekstradimin e tij në Turqi, ndërsa po bën të gjithë përpjekjet për të ndaluar autoritetet shqiptare për ta dëbuar.

Selami Simsek

Simsek ka depozituar në Gjykatë një padi nëpërmjet avokatit të tij Elton Hyseni. Mësohet se Simsek ka paditur Drejtorinë e Azilit në Ministrinë e Brendshme, ndërsa ka kërkuar pezullimin e procedurës për depërtimin e tij në shtetin turk.

Në kërkesën e tij, shtetasi turk, i cilësuar nga autoritetet turke si “gylenist”, ka kërkuar që të shfuqizohet vendimi i Drejtorisë së Azilit si dhe përfitimin e azilit politik, që u dha më datë 2 korrik. Drejtoria e Azilit dhe Shtetësisë argumentoi në vendimin e saj se Simsek nuk përmbush kriteret si azilkërkues. Selami Simsek po mbahet prej 9 marsit në Qendrën e Mbyllur në Karreç dhe këmbëngul para autoriteteve shqiptare të shfuqizohet vendimi që i refuzon azilit dhe të pranohet kërkesa e tij, pasi jeta e tij është në rrezik nëse dëbohet drejt Turqisë.

EKSTRADIMI

Mbështetësi i lëvizjes “Gylen” ka ankimuar vendimin nëpërmjet të cilit i është refuzuar kërkesa për azil politik në vendin tonë, përderisa drejtoria e Azilit dhe Shtetësisë argumenton se ai nuk përmbush kriteret si azilkërkues. Më herët, nëpërmjet një dokumenti drejtuar Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, pranë Ministrisë së Brendshme, mësuesi turk kërkon pezullimin e vendimit, duke mos lejuar asnjë veprim për dëbim nga territori i vendit tonë.

Simsek thotë në kërkesë se vendimi për refuzimin e azilit nuk i është komunikuar në rrugë zyrtare dhe këtë e konsideron shkelje të rëndë të të drejtave të tij, pasi argumenton se në këtë mënyrë po i mohohet e drejta për ta goditur në rrugë gjyqësore për sa kohë e konsideron të padrejtë. Ai thotë se për vendimin ka marrë dijeni përmes mediave, edhe pse ligji e detyron Drejtorinë e Azilit dhe Shtetësisë t’ia komunikojë brenda 5 ditëve nga data e nxjerrjes së tij.

Simsek kundërshton edhe argumentet e përdorur në vendim, ku thuhet se “në pretendimet e ngritura nga azilkërkuesi nuk vërehet asnjë element persekutimi, apo cenimi serioz të bërë nga shteti turk ndaj tij apo familjes”. Shtetasi turk e kundërshton këtë fakt dhe akuzon autoritetet përgjegjëse shqiptare se nuk ka bërë asnjë hetim për të vërtetuar të dhënat e treguara në kërkesën për azil, ku Simsek thotë se ka dyshime të forta se jeta e tij është në rrezik, pasi xhaxhai është dënuar në Turqi si mbështetës i lëvizjes “Gylen”.

“Shteti shqiptar nuk ka hetuar nëse Selami Simsek është i kërkuar nga Turqia si pjesëtar i lëvizjes ‘gyleniste’, nëse ka ndonjë procedim të hapur ndaj tij për këtë fakt”, është shprehur Simsek. Ndërkohë, edhe avokati këmbëngul se çdo veprim ndaj Simsek duhet të pezullohet përderisa procesi penal ndaj tij nuk ka përfunduar. Turku është dënuar nga Shkalla e Parë për falsifikim dokumentesh, pasi tentoi të kalonte kufirin nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Rinas, me një vizë kanadeze të falsifikuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura