Selam, o Mustafa Nano!

Aug 7, 2015 | 18:52
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAgron Gjekmarkaj

Mustafa Nanon e kam mik, dhe të mirë madje. Bisedat me të janë shtruara e të paqta e jo fort të rralla. Rrufisim ndonjëherë së bashku kafe apo heqim ndonjë gotë, anipse ideologjikisht gjendemi një djall larg. Fjalë pas fjale nuk troket kurrë mërzia.

Muçi, siç njihet nga shikonjësit dhe këndonjësit, dëshiron pa kurrfarë hutimi a mëdyshje një Shqipëri europiane, në mos ateiste, së paku laike e demokratike po. E urren korrupsionin qamet, nga e djathta apo nga e majta, po kaq dallkaukllëkun dhe xhahillëkun e politikanëve shqiptarë. Sa ka mundësi e thotë fjalën e tij, ndryshe nga shumëkush që hosananë e ka qëllim dhe mjet jete.

Jo mor, jo, Muçi edhe para nja dy ditësh, në mos gaboj, bëri një shkrim të cilin aty për aty e përcaktova si një qerrata shkrim, në pamundësi të arrija në një tjetër përfundim. Kështu vendova sepse gjithë rrëfimi tejet interesant në vetvete ishte në kundërshtim me titullin. Teksti nderohej shkallë-shkallë me veset e drejtimit të Edi Ramës dhe probleme që të kallin datën të keqqeverisjes së po këtij tipit.

Konkluzioni ishte paradoksal: e thënë shqeto, Edi Ramës po i biem në qafe duke e quajtur diktator. Këto të thëna qenkëshin një mufkë, kur në fakt ai është një lider demokratik me ndonjë problem të vogël. Pavarësisht çfarë mendon Muçi, askush nuk e ka quajtur Ramën diktator nga i gjithë mileti që merret me shtyp e TV. Politika është hesap tjetër. Ajo funksionon nën parimin “në ato maje rripa-rripa, herë ma hipe e herë ta hipa”. U ka thënë diktator me shumicë dhe ia kthejnë me bollëk.

Këtë Muç Nano e ke marrë të mirëqenë për të ndërtuar një tezë, sepse së brendshmi e jo pak së jashtmi ndien frikë dhe zhgënjim dhe do t’i dalë së keqes përpara. Ka shpenzuar vite kohë për ta sjellë në pushtet me fjalë e pendë, duke kompaktësuar armatën njëmilionëshe në kalimin e shkretëtirës drejt tokës së premtuar me amshim.

Përtej asaj gjësë së pathënë që Muçi e quan mufkë, unë besoj që Rama do të donte të bëhej diktator po nuk mundet dhe kjo nuk është e njëjta gjë si të thuash Edi Rama është diktator. Por Edi bën të veten, aq sa mundet, duke thënë çdo ditë bereqaveres. Nuk i realizohet dëshira, sepse shqiptarët nuk e lënë, durojnë sa durojnë, ndoshta edhe me vjet, po një ditë i turren që aman falë i kjoshim Zotit, si Oso Kuka kur i dha flakë barotit. Po të përshtatim një fjalë të urtë italiane me shpatë i bie që “kush nga frika të godet, po nga frika e pëson”.

Kjo vetëdije Ramën e ndërdyz, jo tjetër send. Një këmbë e mban te demokracia e një tjetër te përbuzja për ligjin. Me ligjin i ndodh kështu nga mbivlerësimi që ka për veten dhe ligjet i duken rrumpallë dhe i meremeton legalisht me “colpi di maggioranza”. Ai mendon si paternalist, si një njeri që di gjithçka më mirë se të gjithë dhe i lejon vetes herë pas here t’i rrasë nga një shpullë atërore sistemit. Mbase sipas fjalës së urtë otomane “kush të rreh, të do”.

Por shumëkush prej nesh që ia terezit me analiza politike në këtë zheg, ka folur për simptoma të qarta, të cilat të mbledhura së bashku krijojnë një “diktator të vogëlith” brenda një sistemi demokratik çalë-çalë. Le të kuptohemi, aty ku nuk e pengon qartë Kushtetuta, presioni i opinionit publik dhe ai ndërkombëtar.

Të shikosh si e mbyt demokracinë e brendshme në PS në funksion të pushtetit personal, si ndërsen amanetqarët e tij kundër një zëri oponent tanimë si hudhër demokratike kundër syrit të keq të mbetur në PS, siç është Ben Blushi, a nuk është simptomë? Të rendisësh kriteret me të cilat ka zgjedhur ministrat qysh e tek, a nuk është shenjë? Cili prej tyre e lë pa frymë për nga inteligjenca dhe suksesi? Të jetë krenar Muçi me cilësinë intelektuale të kësaj qeverie? Shkrimi i tij më thotë jo e jo vetëm kaq, por revokon sundimin si cilësi të Ramës. Sundimtari i do vartësit e tillë, që t’i thyejë çdo ditë sipas egos. Pashallarët ishin sundimtarë, diktatorët e vonë gjithashtu. Kryeministrat në demokraci nuk mund të jenë të tillë. Pse gjithë Perëndimi ka probleme me Erdoganin dhe Viktor Orbanin e Hungarisë, pra edhe Turqia me Hungarinë janë shumë më demokratike se Shqipëria.

Po gjuha totalitare kundër opozitës dhe kandidatëve të saj gjatë fushatës elektorale dhe cenimi i procesit a nuk është simptomë? Krahasimi me vitin “38” nuk i kujton dikë? Fabula e tokës së djegur prapë s’i thotë gjë? Tallja me RTSH-në, institucionin kryesor publik të informimit në vend, si i tingëllon atij? Dorovitja e medias dhe ndëshkimi i saj si do t’i duket atij, bre?

Sjellja ndaj Presidentit të Republikës çfarë është? Apo pushtimi i Vilës së Dhërmiut e bën Ramën të ndihet strateg ushtarak i denjë për nderim?

S’keni parë gjë akoma -çfarë është? Ligji për arsimin e lartë çfarë emri ka? Shkatërrimi i pronës legale të tjetrit me spektakël dinamiti si quhet? Prekja e Kryeministrisë si monument kulture, sikur të ishte akçihania e shtëpisë së vet, çfarë është? “Vagina” prej së cilës do të përdhunohet Parku Kombëtar i Tiranës si mund të emërtohet?

Ca prej këtyre temave Nano i ka numëruar tek e tek, pa iu dridhur qerpiku, duke i kujtuar edhe paaftësinë në ekonomi dhe kolapsin që na

rri mbi krye si ortek, por përfundimi i vjen allasoj. Andrea Stefanit, për shembull, do t’i binte mjekra në tokë nga sikleti para se të bënte vërejtje të tilla, ndonëse çfarë thoshte për Tarifën dhe tarifat ishte e nderçme qamet.

Muçi ka folur për disa masa që kjo qeveri ka marrë në këto dy vjet. Jam dakord, por ama janë masa, disa janë të suksesshme si imazh, por vetëm kaq. Rregulli nuk duhet vendosur në kurriz të ligjit bazuar mbi selektivitetin politik.

Rregull me bollëk na pat dhënë Enveri, por jo ligje demokratike. Rama, duke i shpallur luftë sistemit demokratik për një sërë problemesh që ai ka shfaqur po i cenon rëndë fizionominë vetë sistemit. Të gjithë do të dëshironim rregull, por rregull të tuteluar nga ligji, i cili i jep kuptim demokracisë dhe jo paranojës për të kundërtën.

Titujt e Muçit shfaqen si verdikte, si fraza lapide, ku nuk ke mundësi të gjesh një dilemë a dyshim. Kështu është dhe pikë, thotë Muçi dhe të ngjan se në atë moment për ta bërë edhe më bindëse atë çka mendon, i bie tavolinës me grusht, aq sa gota e pjata kërcejnë tutje tehu si cingla.

Gjykuar nga ngjyrat neolatine të kamishave apo pantallonave, Mustafa Nano duket ekzibicionist. Në fakt nuk duket, është! I tillë jo vetëm me gjuhën e trupit dhe shenjave, por edhe të fjalëve. “Vdes” të shfaqet dhe të bëjë lajm kundërtendencë. Shumë nga militantët e djathtë e shohin me bezdi, u duket arrogant, ndërsa veteranët gjithë nderim, sidomos në rrethe, i bërlyken “po ku je, o shoku Mustafa, të paçim ke bërë shumë për kauzën tënë.” Muçi është arrogant, por arrogant i brishtë, sepse ha arsye si asnjë tjetër në atë krah.

Këtu fillon problem i tij te kalimi nga një krah në tjetrin. Mustafa Nano për disa vite e ka ditur veten të djathtë dhe në shërbim të kësaj bindjeje ka themeluar PD-në e Skraparit, për t’u larguar ndonjë vit e rikthyer për ta rimarrë prapë atë. Në mos gaboj, viti 1997 dhe në vazhdim e gjen në transhe si një luftëtar i paepur kundër së djathtës në emër të një konvertimi politik e kulturor, një e drejtë e pamohueshme e çdokujt.

Por zelli i të konvertuarve është i njohur herët. Ndodh kështu për dialektikë të gjërave, gradualisht pa e kuptuar, për të fituar kuota te komuniteti i ri ku dëshiron t’i dëgjohet fjala (këtë e kam me të lexuar). Ky është çmimi që i paguhet besimit të ri. Jo rastësisht më agresivët në shtypin shqiptar janë ata që kanë ndërruar besim. Jo domosdo këtu rri Mustafa Nano. Por, gjithsesi, me tezat e tij radikale i ka shërbyer fort opozitës së Edi Ramës në momente të një rënieje të madhe morale.

Mustafa Nano duket se nuk duron dot Sali Berishën dhe urrejtja nuk është cilësi intelektuale e admirueshme, por thellë-thellë nuk duhet të jetë kështu.

Një pjesë të peshës së tij publike e ka prej liderit të së djathtës, i cili i ka bërë nder dhe i ka dhënë status, duke i shndërruar në paradigma politike të thënat e tij, siç është rasti “I aleancës së qelbësirave”. Një aleancë vërtet fatkeqe kjo, që era i ndihet ngado nëpër atdhe. Nuk e di se nuk e kam pyetur a vazhdon të jetë Muçi krenar për këtë përkufizim?

Sali Berisha e ka kalcifikuar Muç Nanon tek armiqtë e tij politikë, ose te mbështetësit dhe dashamirët e së majtës. Le ta shfaqë këtë mirënjohje për Berishën.

Po në shkrimin dhe shkrimet e tij ai shfaq bezdi ndaj Jozefinës! Çudi pse kaq i vëngër ndaj një gruaje me sharm e aspak monotone në patetikën dhe lirizmin e saj politik. I njeh asaj për faj raportin me Sali Berishën(!) Po kur Jozefina e ka fshehur që e adhuron Sali Berishën?! Idhujtaria e saj nuk përbën lajm, ndoshta shqetësim etik po për ata që nuk adhurojnë. Eh adhurimi në demokraci është problem, e di, por tani duhet të shqetësohemi për ata që ia blatojnë atë Ramës.

Të paktën pres prej Muçit t’i njohë një vlerë Jozefinës në lumin e rrëmbyeshëm të pakënaqësive që shpreh ndaj saj, atë që nuk është hajdute, të paktën këtë, në këtë botë virane, shqiptare plot me hajdutë të kollarisur e parfumosur bilbilgjyzarë nga goja në TV që të bëjnë të ndihesh përjetësisht i paaftë dhe askushi para fëmijëve të tu.

Hajdutët dhe demagogët janë pjellë e keqe fort, e pra këtë Mustafai e di, po le t’u vërë emër edhe andej nga mengjeria.

Do të habitej Mustafai për një të përbashkët që ka pasur me Jozefinën deri vonë. Ndoshta Ai dhe Ajo ishit ndër njerëzit e kënduar të kryeqytetit që nuk e kishin lexuar At Zef Pllumin. Muçi sepse i dukej se rreth Pllumit po ndërtohej modë, ajo mbase për një pakënaqësi në dukje, e cila politikisht i ka ardhur për mbarë. Të dyve u kam rekomanduar leximin e “Rrno vetëm për me tregue”. Nano më dëgjoi e nuk u pendua. Jozefina ende s’ka gjasa t’i rëndojnë fjalët “nuk është më e bija e babës, por e Salës” që Ati i përsëriste shpesh e pa droje sepse hierarkia e tij e vlerave kishte një kut tjetër mase. Gabim e ka Jozi që i blatohet kësaj mërzie të vjetër se fjalët e tij Berisha i ka marrë si të vërteta dhe e kanë bërë më të besueshme ndaj liderit. Por edhe Jozefina ka premtuar se do ta lexojë si nder ndaj vetvetes.

Duke u kthyer përsëri tek arsyet që më detyruan t’i dërgoj një falemeshnet apo selam, siç përdoret nga anët e Mustafait… detyrohem t’i them, nëse ne të gjithë bashkë e lejojmë Edi Ramën të na qeverisë kështu sikur të ishim një republikë kopukësh, simptomat do bëhen sëmundje dhe vetë Mustafa Nano i zalisur marazi pas do vjetësh do ketë nostalgji për Sali Berishën. Krahasimi do t’i shërbejë për të vërtetën. Selam, o Mustafa!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura