Sekuestrohet për herë të dytë ish-hotel “Vollga”, pronar i saj rezulton Shullazi. Si u shit objekti në vitin 1994 dhe dhurimi i tij gjashtë vite më parë

| 12:52
SHPËRNDAJE
 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të sekuestrojë ish-hotelin luksoz në qendër të qytetit të Durrësit, “Vollgën”.

Kjo godinë, e gjendur mes konflikteve shumëvjeçare lidhur me pronësinë e saj, tashmë është e rrethuar nga shiritat e sekuestros.

hotel vollga sekuestro2

Vitet e fundit, pronari i ish-Vollgës rezulton se është Emiljano Shullazi. Ishte Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, që kërkoi muajin e kaluar sekuestrimin e 749.6 m2 truall dhe 1129.39 m2 ndërtesë nga ish-hotel “Vollga”.

Në lidhje me këtë pronë, Shullazi është dënuar me 14 vjet burg për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Në bazë të hetimeve të bëra nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Shullazi rezultoi të ishte pronar i ish-hotel “Vollgës” përmes dy aktdhurimeve të dyshimta të bëra në vitin 2014 që çuan në gjykimin e çështjes dhe dënimin e Shullazit.

I lakmuar për shkak të vendndodhjes së tij në qytetin bregdetar të Durrësit, ish-hotel “Vollga” iu ble ish-pronares Alie Fortuzi në vitin 1994, përmes përfaqësuesit të pronares, Agim Sula, nga kompania arabe “Saudi Brothers Commercial Company”, një nga më të njohurat në Lindjen e Mesme, për 800 mijë dollarë.

KALVARI I GJYQEVE PËR ISH-“VOLLGËN”

Procesi i gjyqeve për këtë objekt të ngritur në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit është mbyllur me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

Kompania arabe e pati blerë objektin për 800 mijë dollarë 16 vite më parë përmes përfaqësuesit të pronares, Agim Sula.

Në vitin 2003, Zamir Hasa, përmes gjyqësorit, pretendon se është pronë e nënës së tij, Alie Fortuzit, që e kishte birësuar.

Pronarja e objektit, 5 vjet pas shitjes së tij te kompania arabe, ndahet nga jeta. Në vitin 2014, kompania arabe ia shet një pjesë të godinës familjes Kodra, që vetëm pak kohë më pas ia dhuron Emiljano Shullazit.

Edhe pjesa e mbetur e objektit i dhurohet Shullazit nga kompania arabe, duke ngritur dyshimet që u përforcuan dhe nga dëshmia e administratorit të kompanisë arabe, Ylvi Beqja.

Ish-hoteli u vendos nën sekuestro, por Gjykata nuk i gjeti me vend akuzat e Prokurorisë, duke e lënë të lirë objektin e sekuestruar në kuadër të ligjit “Antimafia”.

Ky është sekuestrimi i dytë i objektit, ndërkohë që çështja vijon të mbetet objekt hetimesh dhe gjykimesh.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.