Sekuestrohet audiopërgjimi i plotë Biba-Bianku, ish kreu i KQZ do thirret…

Sep 1, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar ditën e djeshme audio-përgjimin e plotë të një bisede telefonike mes nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar të Strasburgut, Ledi Bianku. biba

Oficerë të Policisë Gjyqësore kanë marrë të plotë materialin dhe do ta analizojnë për të dalë në një përfundim në lidhje me veprën penale, për të cilën është regjistruar edhe procedim penal. Kujtojmë se para disa ditësh, kjo Prokurori, pas verifikimeve, ka regjistruar procedim penal për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, pas publikimit të audio-përgjimit mes Bibës dhe gjyqtarit Bianku.

Sipas opozitës, Biba i ka bërë presion Biankut për çështjet e pronave në Shqipëri që ankimohen në Strasburg, por një gjë e tillë është mohuar nga nënkryetari i KQZ-së, i cili u është përgjigjur akuzave të opozitës dy herë.

“Akuzat ndaj meje janë të papranueshme. Zoti Bianku më ka pyetur në një bisedë të hapur e miqësore për karrierën time, i kam thënë se kemi ardhur për këtë gjë, i kam thënë me kërkesë të zotit Agaçi për këtë kërkesën që do t’i bëhet Gjykatës për të shtyrë afatet për paratë që shteti shqiptar duhej t’u jepte pronarëve. Mjafton të dalë biseda e plotë dhe e pacensuruar dhe do të kuptohet se është një bisedë mes dy miqsh. Jam i habitur që opozita bën politikë me këtë çështje. Opozita të gjejë të plotë audio-përgjimin dhe të dalë e vërteta”, ka thënë Biba në një nga reagimet e tij për mediat. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës ka vendosur që ta thërrasë për ta marrë në pyetje nënkryetarin e KQZ-së.

“Panorama” mëson se Biba do të thirret javën që vjen në organin e akuzës për të dhënë shpjegime në lidhje me bisedën me gjyqtarin Bianku. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e ka konsideruar si skandal të përmasave europiane audio-përgjimin dhe ka kërkuar që Biba të përgjigjet penalisht për veprimet e tij.

“Audio-regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ-së dhe kandidat i Edi Ramës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e sheh dhe e projekton Edi Rama drejtësinë e re. Pasi ka vënë nën kontroll gjykatat dhe Prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Regjistrimi audio i publikuar në media tregon qartë se si Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, shantazhon gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Edi Ramën në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë”, pati thënë ai në një reagim.

Përgjimi 

Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun?

– I thashë…(ndërprerje)

-Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne, ti e ke më afër.

-Agaçi më tha… hajde të pimë një kafe… ky muhabet të mërkurë, të enjte… Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja.

-Të lutem tha, t’i lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori. (Ndërprerje)…

Sot është Niko Peleshi këtu në Strasburg, ka takim me kryetarin e GJEDNJ-së. (Ndërprerje)

Denar Biba: – Ma paguan ata biletën dhe unë po bëj një lloj detyre…

(Ndërprerje) Denar Biba i drejtohet Ledi Biankut:

– A të ndalon më ky tren në stacion? Të mbetesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë…(ndërpritet)

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura