Sekuestrohen regjistrat e “Kurum”, 863 mijë eurot s’janë tërhequr nga banka

Nov 10, 2017 | 20:40
SHPËRNDAJE

Një ditë pasi dosjen “Sota” ia bashkëngjiti asaj të “Habilajve” dhe të “Tahirit”, Prokuroria e Krimeve të Rënda vazhdon të kërkojë me insistim burimin e 863 mijë eurove që iu sekuestruan Orest Sotës mbrëmjen e 1 nëntorit në automjetin tip “Range Rover” që ai drejtonte.

prokuroria

Kështu, ditën e djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar regjistrat e shitblerjeve të kompanisë “Kurum”, për të parë nëse biznesmeni i arrestuar ka qenë ndonjëherë klient i kësaj kompanie.
Organi i akuzës nuk është plotësisht i bindur as me dëshmitë e përfaqësuesve të “Kurum”, të cilët kanë thënë se çdo pagesë e marrin përmes bankës në vlerën që lejon ligji.
Tashmë, “libri” i shitblerjeve të “Kurum” mendohet se do të japë informacione të vlefshme për hetuesit si për të konfirmuar ose jo dëshminë e biznesmenit Orest Sota, i cili në Prokurorinë e Elbasanit pati thënë se paratë i kishte për të blerë një sasi të konsiderueshme metali në kompaninë “Kurum”, në Elbasan.
Hetuesit kërkojnë të gjejnë nëse ka marrëdhënie financiare mes Sotës dhe kompanisë “Kurum”, qoftë detyrime financiare, transaksione apo çdo lloj lidhjeje tjetër tregtare. Vetë përfaqësuesit e kompanisë “Kurum” kanë thënë para organit të akuzës se ata nuk kryejnë pagesa apo marrje parash kesh në dorë mbi vlerën e 1500 lekëve të rinj.
Administratorja e kësaj firme ka shkuar më tej, duke thënë se nuk kishte dijeni se biznesmeni 25-vjeçar do të kryente ndonjë transaksion me një vlerë aq të madhe monetare, qoftë përmes bankës, apo qoftë edhe kesh në dorë. Dosja e Orest Sotës i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi ajo e Elbasanit shpalli moskompetencë dy ditë më parë.
Deri më tani nuk rezulton që paratë e gjetura në makinë të jenë tërhequr nga ndonjë bankë, pasi atyre u mungojnë shiritat me logon e ndonjë banke. Megjithatë, lidhur me këtë mundësi, prokurorët kanë nisur menjëherë veprimet. Hapi i parë i tyre ishte bashkëngjitja e dosjes krahas asaj të Tahirit dhe Habilajve.
Ka dyshime në organin e akuzës se çështjet janë të lidhura bashkë, pasi në automjetin tip “Range Rover”, që drejtonte Orest Sota në momentin kur u ndalua nga Policia e Elbasanit, u gjetën tri patenta, dy prej të cilave ishin të ish-ministrit të Brendshëm, tashmë nën hetim, Saimir Tahiri, dhe njëra e bashkëshortes së tij. Por edhe për këtë episod biznesmeni ka pasur një shpjegim.
Ai ka thënë në Prokurori se patentat u harruan nga shoferi i ish-ministrit Tahiri në mjetin e tij. Ai ka shpjeguar se me të ka një lidhje miqësie dhe shpeshherë udhë- tojnë bashkë. Megjithatë, Krimet e Rënda nuk janë të bindura me këto versione.
Për këtë arsye, ata pritet që të marrin në pyetje edhe shoferin e ish-ministrit Tahiri, për të dhënë detaje lidhur me çështjen. Çështja e gjetjes së patentave të ish-ministrit Tahiri në mjetin e biznesmenit shihet nga ana e opozitës si “pastrim i elementëve të veprës penale”.
Ajo akuzon ish-ministrin dhe qeverinë se po kërkon të shkatërrojë provat. Vetë biznesmeni ka fituar më parë një tender për rikonstruksionin e Komisariatit nr. 6 në Tiranë, dhe kjo për opozitën tregon lidhjet e biznesmenit me ish-ministrin Tahiri.
ERALD DELIU/PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura