Sekuestro pronave të ish kreut të BSPSH, Xheka

Nov 30, 2011 | 17:15
SHPËRNDAJE
Foto Ilustruese

Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të operacionit policor “Sindikalisti” ka bërë të mundur sekuestrimin e pronave të ish kreut të Bashkimit të Sindikatave të pavarura të Shqipërisë (BSPSH), Valer Xheka.

Në njoftimin e policisë thuhet se, ditën e sotme u ekzekutua Vendimi i  Gjykatës për vendosjen e sekuestros së pronave dhe llogarive bankare të shtetasit Valer Behar Xheka, 61 vjeç, banues në Tiranë.

Njoftohet se deri në këto momente, është bërë sekuestrimi i një sasie prej rreth 278.823 USD, 98.045 Euro dhe 400.000 Lekë (të rinj).

Po ashtu janë sekuestruar 3 ndërtesa me sipërfaqe 1.800 metra katrorë dhe një sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë në Tiranë.

Mësohet se shtetasi Valer Xheka gjatë kohës që drejtonte BSPSH-në, nëpërmjet “Shpërdorimit të Detyrës”, ”Mashtrimit” dhe ”Falsifikimit të Dokumenteve”, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme ish shtypshkronjën “11 Shkurti” dhe më konkretisht; tre ndërtesa, një njëkatëshe, një dykatëshe dhe një trekatëshe me sipërfaqe 1.800 metra katrorë dhe një sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë në vendin e quajtur “Kodra e Priftit” Tiranë, të cilat ishin prona të BSPSH-së.

Sipas policisë skema ishte e tille, pronat e mësipërme shtetasi Valer Xheka, në mënyrë të kundërligjshme ua kalonte të afërmve të tij dhe më pas këta familjarë ia kalonin sërish shtetasit Valer Xheka me Certifikatë Pronësie.

Ndërkaq, Policia e Shtetit po vazhdon hetimet për dokumentimin e gjithë aktivitetit të tij kriminal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura