Sekuestrimi i dytë i pronave dhe të drejtat e njeriut

Jun 23, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

BUJAR NISHANInishani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB. “Ky organizëm hipokrit që i shërben vetëm vetes, i kthen të drejtat e njeriut në një tallje”, deklaroi e dërguara e Uashingtonit në Kombet e Bashkuara, Nicky Haley. SHBA-të kanë denoncuar në vijimësi burokracinë shterpë, keqpërdorimin e fondeve, spekulimet politike nga lobime korruptive, hipokrizinë dhe double standard-in e këtyre mekanizmave të OKB-së, të themeluar në fakt, për të ruajtur të pacenuara parimet dhe barazinë e çdo standardi të përcaktuar si një e drejtë e çdo qenieje humane, pavarësisht gjinisë, nacionalitetit, racës, ngjyrës, besimit e veçorive të tjera që mund të ketë një human.

Për fat të keq, të gjithë pa përjashtim jemi dëshmitarë që këto parime e standarde gjatë rrugëtimit të shoqërisë janë cenuar, tjetërsuar e dhunuar, në shumë raste, në shumë vende, në shumë fusha, në forma të ndryshme. Por, bashkudhëtare me këto dhunime ka qenë edhe hipokrizia e standardet e shumëfishta të këtyre mekanizmave, të ngritura, të paguara dhe pranuara për drejtësi, por të keqpërdorura. Në çdo shtet të globit do të gjenden raste dhe shembuj të shumtë dhe të ndryshëm të keqpërdorimit të këtij mekanizmi botëror, por ne shqiptarëve na duhet t’u referohemi eksperiencave dhe shembujve tanë. Për fat të keq, ato janë të shumta, por do të rendisja 2-3 prej tyre. Imazhi dhe besimi i këtij mekanizmi u trondit fort që në ditët e para të daljes së shqiptarëve në dritën e lirisë, kur për herë të parë pas një kalvari terrori diktatorial gjysmëshekullor mundën të krijoheshin edhe në Shqipëri mekanizmat e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Paradoksalisht me mundësimin e krijimit të tyre, kontrolli, drejtimi, përfaqësimi iu dha po të njëjtëve persona, që për 50 vite kishin qenë zemra, truri, zëri, shpata e kazma e mekanizmit diktatorial. Qindra miliona financime u sponsorizuan po për këta njerëz, po për të mbajtur gjallë ideologjitë e tyre, trashëgiminë e dhunës dhe mohimit të lirisë dhe aspak vendosjen, edukimin dhe mbrojtjen e një kulture të re të drejtave dhe lirive themelore. Ky model tashmë është i kalçifikuar mbi sistemin shoqëror në Shqipëri! Problemi më madhor dhe shembulli “par excellence” i këtij kontraversi të madh midis parimeve, detyrimeve, përgjegjësive të këtij Këshilli dhe Shqipërisë është çështja e pronave private të sekuestruara, konfiskuara dhe shfrytëzuara për gjysmëshekulli nga regjimi diktatorial komunist. Me rikthimin në pushtet të ish-stalinistëve shqiptarë në 2013-ën, u hartua dhe implementua një platformë e re e ndalimit të rikthimit dhe kompensimit të pronave private te pronari legjitim.

Asnjë reagim nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së për këtë politikë marksiste të rikthyer në Shqipëri, ndaj pronës! Qeveria e ish-stalinistëve shqiptarë i kërkon zyrtarisht Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg të ndalojë dhe bllokojë shqyrtimin e çështjeve të htetasve shqiptarë mbi të drejtat e pronës. Mesa duket lobimet e forta korruptive arritën të ndikojnë edhe mbi këtë mekanizëm të shpresës së shqiptarëve për të drejtat fondamentale të tyre. Gjykata Europiane ka bllokuar prej dy vitesh të gjitha rastet, madje dhe të shqyrtuara, nga kjo gjykatë! Kjo i inkurajoi edhe më shumë ishstalinistët shqiptarë në pushtet, që hodhën hapin tjetër të madh duke hartuar e miratuar një ligj të ri mbi pronën private, i cili e rikonfiskon përsëri pronën e individit. Tashmë, jo me dhunën e Sigurimit të Shtetit, siç bënë 70 vite më pare, por përmes gjyqtarëve të korruptuar dhe shantazhuar të Gjykatës Kushtetuese, të cilët arritën deri të falsifikojnë tekstin e ligjit në komunikimin dhe konsultën me Komisionin e Venecias!!

Tashmë jo në interes të “Bllokut Komunist”, por në dhurata ndaj oligarkëve që blejnë votat për pushtetin shërbëtor. Asnjë indikacion, asnjë denoncim, asnjë reagim, asnjë masë e ndërmarrë nga Këshilli i famshëm i të Drejtave të Njeriut të OKB-së për këtë rast shqiptar, që në fakt është sa unikal aq dhe sinjifikativ në kontekstin e lirive dhe drejtave themelore në aspektin global. Shqiptarët e kuptojnë fare mirë hipokrizinë e shfaqjeve dhe retorikës boshe, por të sjelljes “double standard” të këtij mekanizmi në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut. Ndaj, serioziteti dhe angazhimi për rikthimin e vlerave nga administrata Trump, edhe në këtë rast ka lindur një shpresë te të gjithë ata njerëz anekënd botës, të cilët besojnë te parimet, vlerat dhe angazhimet reale dhe të vërteta për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Tek ata që nuk pranojnë të mashtrohen nga hipokrizia e buzëqeshjeve false dhe nuk pajtohen me burokracitë korruptive të “double standard”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura