Sektori bankar sfidon pandeminë, Sejko: Po shfaq qëndrueshmëri

Sep 3, 2020 | 11:05
SHPËRNDAJE

Situata e krijuar prej pandemisë COVID19 duket se nuk ka afektuar një ndër sektorët më të rëndësishëm, sikundër mund të cilësohet sektori bankar.Sejko-678x450

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend.

“Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën, si dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, sa kohë pandemia mbetet ende një rrezik eminent, do të vijojë të mbizotërojë edhe pasiguria për zhvillimet ekonomike. Pozitiv mund të konsiderohet fakti që pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë ka bërë me dije se zotëron kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar sfidat që mund të shtrohen në muajt në vijim.

“Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e pranishme dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballuar me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar”.

Këto qëndrime u mbajtën pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në të cilin u vendos edhe miratimi i Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2020.

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve, me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Dje u miratuan po ashtu edhe disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe “Për disa ndryshime në rregulloren ‘Për mbikëqyrjen e konsoliduar’”. “Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” vijnë si rezultat i rishikimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, me qëllim harmonizimin e vazhdueshëm të tij me acquis të BE-së dhe dokumentet e Komitetit të Bazelit mbi regjimin e ekspozimeve të mëdha, por duke konsideruar edhe veçoritë dhe zhvillimet e tregut bankar shqiptar.

Gjithashtu, ato përfshijnë dhe disa kërkesa të reja raportuese dhe monitoruese për bankat, të cilat janë reflektuar edhe në ndryshimet e rregullores ‘Për mbikëqyrjen e konsoliduar’, për të siguruar konsistencë në raportimin e ekspozimeve të mëdha nga bankat, si në baza individuale, edhe të konsoliduara”, theksohet më tej në njoftimin e bankës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura