“Sektorët që kanë sukses, qeveria duhet t’i mbrojë”/ Eksperti i Ekonomisë kritika për akcizën e birrës: Nuk u mendua për prodhimin vendas

Mar 24, 2023 | 16:37
SHPËRNDAJE

Eksperti i ekonomisë, Petraq Milo ka shprehur kritika ndaj akcizës së birrës duke deklaruar se jo nuk është bërë në të mirë të prodhimit vendas.

Në një intervistë për “Panorama TV”, Milo tha se sektorët që kanë sukses në vendin tonë, duhen mbrojtur nga ana e qeverisë dhe jo të bëhen politika në dëm të tyre.

Milo: Ne e kemi gjykuar që në fillim të herës që është vendosur rritja e akcizës së birrës. Ne nuk jemi ende anëtar i BE-së, akoma s’i kemi të detyrueshme direktivat e unionit. E dyta, është bërë një keqinformim, pasi në të gjithë Europën, prodhuesit e vegjël mbrohen për shkak të diversitetit. Nuk u mendua, kur u vendos kjo akcizë, për prodhuesit e birrës vendase. Unë jam në atë politikë, në atë parim që ato biznese dhe sektorë që kanë sukses, ne duhet t’i mbrojmë.

Ne duhet të zhvillojmë një model ekonomik që është i qëndrueshëm në kohë. Pse jo, prodhimi i birrës, që ka dhe punëson shumë persona, ka fuqi punëtore të konsiderueshme. Është një sektor në rritje. Përderisa e kemi në dorë këtë lloj produkti që të zëvendësojmë importin, pse mos e bëjmë.

I gjithë problemi është që a ka mundësira dhe kapacitete që të zëvendësojë me prodhimin vendas, importin. Pse mos e kemi mundësinë? Kompanitë mund të modernizojnë akoma më shumë prodhimin e tyre. Mund të rrisin sasinë e prodhimit të tyre. Edhe në rastin e prodhimit të energjisë elektrike, ka shumë mënyra. Ne mund të krijojmë brendin tonë të prodhimit, për disa produkte që janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Pse t’i dekurajojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura