Sekretet e Luftës dhe tepsia e komunistëve

Nov 23, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

lesi ediEDI LESI

Te “Sekretet e Luftës”, mënyra si erdhi dhe publiciteti që iu bë këtij libri, duke e kthyer në ngjarje të këtij nëntori, konkurrojnë fort dy elementë që s’janë aspak në shemri me njëri-tjetrin. Nga një anë janë faktet tronditëse, dokumentet dhe varianti britanik për luftën në Shqipëri, nga ana tjetër vetë autori.

Erald Kapri mund të ishte një nga ata 30-vjeçarët që vijnë vërdallë kafeneve në Tiranë, që rrojnë për të kapur një vend pune, të kenë një “Benz” të viteve 2000, të vishen bukur e dehen fundjavave, të gjuajnë e flirtojnë, apo të bëjnë ca palestër për t’u dukur mirë në Jalë. Eraldi nuk është sigurisht nga ky takëm, dhe as me gjysmën e halleve të mbyllura nga babai me pushtet, biznes e para.

Ai është bërë vetë, e ka përballuar Tiranën, që të thyen hundët me arrogancë, hile e pabesi, vetëm me punë dhe ambicie nga ato që herët janë dukur fluturakë, por kanë ardhur duke nxënë rrugës. I pari nga familja e tij që mbaroi një shkollë të lartë, pasi gjatë komunizmit ishin të papreferuar, dhe një djalë që kërkoi shumë deri sa fitoi bursën britanike Chevening, çka është zanafilla e librit. Kur i thanë nga Ambasada je fitues, Eraldi kishte një gëzim si ai fëmija që i kanë blerë një avion lodër dhe e ndau këtë ngjarje në disa tavolina të bollshme me shokë dhe miq.

Në Londër, Kapri mësoi sekretet e luftës, gjë që kërkonte jo pak disiplinë e asketizëm, mbyllur në arkivin e madh ku është historia e krejt botës, po në një kthinë dergjet dhe ajo e Shqipërisë. Dokumentet britanike të sjella me vërtetësi e ftohtësi në libër, tregojnë një të vërtetë që është mbajtur e mbyllur për shumë dekada. Tregojnë në thelb se komunistët nuk kishin prioritet luftën dhe çlirimin e vendit nga italianët dhe nazistët, por më së pari kapjen e pushtetit dhe projektimin e atij sistemi gjakatar që i hodhi themelet pikërisht në vitet kur partizanët, siç janë përpjekur të tregojnë, po linin gjasme kockat nëpër male.

Komunistët, siç del nga arkiva britanike, donin të lanin hesapet me rivalët e tyre fillimisht, me ballistët dhe legalistët, e pak u interesonin pushtuesit. E thotë gjenerali anglez Dejvis; ata nuk pranuan, që ai të raportonte në BBC se ballistët dhe legalistët ishin gati të bashkoheshin në një front për të luftuar. Komunistët nuk donin, ose, nëse përdorim terminologjinë e sotme, i donin jashtë tepsisë. Te “Sekretet e luftës” merr vesh edhe një herë se betejat e mëdha dhe përgjakjen heroike, komunistët e kanë bërë vetëm në sheshet e xhirimit të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Ky libër hedh dritë mbi atë errësirë të gjatë të mbajtur me çdo kusht nga komunistët, pra lufta me gjermanët, siç ka ndodhur në shumë vende të Lindjes, pasi ai ishte i vetmi burim i legjitimitetit të tyre, teksa ishin delegjitimuar copë e thërrime që në krye e më tej për dekada, me sistemin e tyre të dështuar ekonomik, dhe shtypjen çnjerëzore ndaj qytetarëve e mohimin e të gjitha lirive.

Libri “Sekretet e Luftës” i Erald Kaprit vjen në fakt shumë vonë në tregun tonë të debatit, 27 vite pas hapjes së Shqipërisë, 27 vite pas mundësisë për të njohur dokumentet dhe të vërtetat e mohuara rreth ngjarjeve të viteve ‘40-‘44. Megjithatë, një kontribut i çmuar, një punë e siziftë shumëvjeçare, duke qëmtuar mijëra dokumente e foto, një produkt i vështirë me shumë kosto, po që çdokush mund ta ketë me vetëm 10 mijë lekë të vjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura