Sekretarja e Shtetit në Britani pret Xhafajn: Jemi të entuziazmuar nga ‘forca e ligjit’

Feb 21, 2018 | 20:45
SHPËRNDAJE

Ministri Xhafaj takoi Sekretaren e Shtetit për Çështjet e Brendshme dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë britanike

Ministri i Brendshëm Xhafaj po zhvillon një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, ku u takua me zyrtarët më të lartë të çështjeve të brendshme dhe sigurisë, me të cilët bisedoi për çështje me interes të përbashkët.

4c8e6fbe-8456-403c-8d7c-0aa603d1f9ac

Në fokus të bisedimeve me Sekretaren e Shtetit për Çështjet e Brendshme znj.Amber Rudd ishin çështjet e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të qënieve njerëzore dhe bashkëpunimit më të zgjeruar mes organizatave policore të dy vendeve.

Ministri Xhafaj bëri një panoramë të luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe azilkërkimit, si dhe prezantoi detaje kyçe rreth Planit të Veprimit – Operacionit “Forca e Ligjit”.

Sekretarja Rudd u shpreh se ishte informuar për atë që po bën pala shqiptare me Operacionin “Forca e Ligjit”.

Ajo nënvizoi se ishte e entuziazmuar nga rezultatet e deritanishme të operacionit dhe qasja e qeverisë shqiptare rreth këtij fenomeni është i njëjtë me atë çka bëhet në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vijim, znj.Rudd shprehu besim dhe vlerësim për vizionin, lidershipin dhe prioritetet ambicioze të Ministrisë së Brendshme, duke shtuar se duhet thelluar bashkëpunimi mes dy vendet me qëllim që t’u japim qytetarëve dhe familjeve tona më shumë rend dhe siguri.

Ministri Xhafaj i prezantoi Sekretares Rudd një dokument pune me 10 pika, ku prezantohet një axhendë bashkëpunimi, e cila përmban një sërë fushash dhe veprimesh konkrete midis dy vendeve. Në themel të saj është bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, hetime të përbashkëta të veprimtarive dhe aseteve kriminale, pastrimit të parave, azil kërkimit, kryerjen e analizave të përbashkëta, si dhe një koordinim më efikas midis Task Forcës së ngritur në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit, në Mbretërinë e Bashkuar.

Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, Ministri shprehu nevojën për shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit mes dy vendeve.

Sekretarja Rudd e mirëpriti dhe vlerësoi axhendën ambicioze të prezantuar nga ministri Xhafaj dhe premtoi të punojë me stafin e saj për kthimin e tij në një plan veprimi me masa konkrete, me qëllim që të arrihen rezultate të prekshme për të dy vendet.

Ajo pohoi se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e nisur për të luajtur një rol të rëndësishëm në Ballkan në luftën kundër krimit të organizuar, që bëhet përherë e më i sofistikuar dhe i kalon kufijtë e shteteve.

Ministri Xhafaj vlerësoi me nota shumë pozitive bashkëpunimin dhe partneritetin midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke nënvizuar se është momenti që ai të kalojë në një faze të re, i orientuar drejt rezultateve me qëllim që Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar të kenë një sukses konkret të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar.

Z.Xhafaj parashtroi gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes Britanike për Akademinë e Sigurisë dhe Laboratorin e Kriminalistikës.

Në takimin e zhvilluar tek Agjencia Kombëtare, palët diskutuan për operacione konkrete të përbashkëta për krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave, si dhe mbështetjen që kjo Agjenci do të japë për çështjen e Vetting-ut rritjen e kapaciteteve teknike e logjistike të Policisë shqiptare.

Në takimin me ministrin britanik për Sigurinë z.Ben Wallace, u ra dakord për një axhendë pune, në interes të përpjekjeve për veprime të bashkërenduara në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri britanik do të jetë shumë shpejt në Tiranë për të konkretizuar këto veprime.

Një tjetër takim me shumë interes, ishte ai me ministrin britanik për Europën dhe Amerikën, Sir Alan Duncan. Ministri Xhafaj dhe ministri Sir Alan Duncan ranë dakord për të krijuar një model bashkëpunimi në rajon, në kuadrin e Samitit të Londrës për çështjet e sigurisë në Ballkan që mbahet në Londër në korrik 2018.

Në këtë vizitë në Britani, ministri Xhafaj shoqërohet nga një delegacion i gjerë i përbërë nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura