Sekretari i Parë i Librazhdit: Vilson Blloshmi do pushkatohet si sabotator

Aug 30, 2011 | 11:07
SHPËRNDAJE
Vilson Blloshmi me kunatin, dale perpara se te arrestohej

Përveç dosjes operative dhe asaj gjyqësore të njohura tashmë me emërtimin “Blloshmi-Leka”, në rastin e dy poetëve të pushkatuar ka pasur edhe një të tretë në Sekretariatin e KQ të Partisë. Në morinë e dokumenteve të kësaj të fundit, të zbuluara nga “Panorama”, ka relacione e të dhëna sekrete të mbërritura në kupolën e Partisë nga organet vendore, nga krerët e Ministrisë së Brendshme, madje edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Shënimet e bëra në to nga sekretarët e KQ Hysni Kapo, Prokop Murra e  Ramiz Alia dhe porositë për t’u njohur me përmbajtjen e tyre edhe Mehmet Shehu e Adil Çarçani, tregojnë vlerësimin maksimal të lidershipit komunist për çështjen “Blloshmi-Leka”. Ndër to paraqet interes sidomos një relacioni i Feçor Shehut, me cilësinë e zëvendësministrit të Brendshëm, që mban datën 16.12.1976. Po çfarë raportonte numri dy i Sigurimit ende pa u mbyllur procesi penal ndaj dy poetëve…

“Më në fund kemi në duar një grup të rrezikshëm. Vilsoni, kreu i tij, është më i zgjuar nga të tjerët, prandaj mohon çdo gjë, se e di që e pret pushkatimi.” Në pjesën përmbyllëse të fjalimit të tij, në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit të Partisë të rrethit të Librazhdit, kreu i tij paracakton kësisoj verdiktin përfundimtar mbi fatin e të prangosurve të përfolur për veprimtari armiqësore. Të parët janë arrestuar Vilson Blloshmi e Genc Leka. Pak më vonë me çështjen e tyre janë shtuar edhe disa të tjerë për të konturuar idenë e një grupi të organizuar. Ende pa finalizuar punën e tyre, organet e Sigurimit dhe ato të “drejtësisë”, Komiteti vendor i Partisë artikulon pretencën dhe vendimin e gjykatës! Nuk është vetëm sekretari i Parë, Sotir Koçollari, i cili pak më vonë u bë presidenti i fundit i organizatës së Bashkimeve Profesionale, i cili paracakton fatin e poetit dhe të tjerëve, por gati gjithë anëtarët e forumit shprehen në një mendje. Mirëpo, për ta kanalizuar këtë çështje si të lidhur me veprimtari sabotuese, qëllimisht futen akuza të tilla, në mënyrë që në valën e madhe të dënimit të armiqve edhe në sektorin e ekonomisë të përligjeshin dështimet e regjimit tek ekzistenca e njerëzve të tillë dhe pasojave që ata gjoja kishin shkaktuar. Me qëndrime të tilla, propaganda komuniste krijonte bindje se armiku ishte kudo dhe se dënimi i këtij “grupi” do të sillte drejtësi apo sukses. Mbi këtë fabul artikuloheshin akuzat për dy poetë, për dy poetë që nuk e shihnin krijimin si plagjiaturë apo një send për t’u lavdëruar apo krenuar, si pjesa më e madhe e atyre që lëvronin për jetesë e asgjë tjetër në regjimin komunist. Qoftë edhe përmbajtja e këtij dokumenti vlen për të kuptuar se në atë regjim nuk bëhej fjalë për drejtësi, pasi vetë grupi kriminal që qeveriste me metoda terroriste, mund të merrte peng e të vriste të gjithë ata që nuk i pëlqente e kaluara e tyre, apo se nuk mund të duronte që krijimtaria mund të burojë e të shkëlqejë nga shtresat e klasave që urreheshin…
DOKUMENTI
Komiteti i Partisë i rrethit Librazhd
Mbledhja nr. 23, datë 28 prill 1977, e Sekretariatit të Komitetit të Partisë të rrethit Librazhd
Sekretariati i Komitetit të Partisë Librazhd, në mbledhjen e tij, datë 28.04.1977, mori në shqyrtim këto çështje:
-Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës…
-Marrin pjesë në pikën e parë shokët: Hysen Faqolli – kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Qani Lavdari – prokuror i rrethit, Sybi Sulçe – gjyqtar, Nevrije Fistaj – kryetare e Gjykatës së rrethit.
Mbledhjen e drejton sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, shoku Sotir Koçollari. Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së Rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës.
Shoku Sotir Koçollari: Na informoni mbi çështjen penale të sabotatorëve dhe përvetësuesve të Bërzeshtës.
Sybi Sulçe: Në këtë çështje bëjnë pjesë 8 persona, të cilët i janë dërguar gjykatës për gjykim.
I pandehuri Genci Leka, i biri i Bardho Lekës, në moshën 36 vjeç, me arsim të mesëm pedagogjik, i akuzuar për krimin e sabotimit në bashkëpunim me atë të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar nga nenet 72 e 12 dhe 73/1 të Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor e ka filluar qysh në vitin 1968, ndërsa në formën e sabotimit në ekonomi për dobësimin e pushtetit popullor e ka filluar në qershor të vitit 1973 dhe ka vazhduar deri në momentin që u arrestua, më 31.8.1976. Agjitacionin e propagandën e ka filluar në formën e bisedave të ndryshme që ka bërë kundër pushtetit popullor, në krijimet letrare, poezitë me përmbajtje armiqësore, ka mbajtur dhe mjaft libra të ndaluar në shtëpi. Bisedat armiqësore i ka bërë  me Vilson Blloshmin e me një person me banim në Lushnjë, që quhet Bilbil Cani e një person tjetër nga Cërriku, Nazmi Seitin me banim në Cërrik, si dhe me dëshmitarët Dilo Omeri dhe Emine Duka. Në bisedat armiqësore që ka zhvilluar është shprehur për trajtimin e keq që i bëhej atij e pjesëtarëve të tjerë të familjes nga Partia dhe pushteti popullor. U është kundërvënë masave për revolucionarizimin e shkollave, si dhe ka folur kundër ideologjisë së partisë…. I pandehuri Vilson Blloshmi, person me përbërje të keqe politike, kulak. Të pandehurin Bedri Blloshmi, që akuzohet për krimin e sabotimit, e ka vëlla. Siç del nga material i dosjes, është person tepër i rrezikshëm. Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim i parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore e ka filluar që në bangat e shkollës së mesme pedagogjike në vitin 1965, kur ishte nxënës dhe e vazhdoi derisa e arrestuan në vitin 1976. Veprimtarinë armiqësore e ka zhvilluar në këto forma: Ka bërë biseda me përmbajtje armiqësore me dëshmitarët Sami Hyka, Haki Bardhoshi, Fetah Blloshmi, Emine Diko dhe Afërdita Lepenica, si dhe me të pandehurit Genc Leka e Demir Blloshmi.
Shoku Alush Çekrezi: Si do të quhej grupi?
Sybi Sulçe: Nga të dhënat del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.
Shoku Sotir Koçollari: Forma e tyre e organizuar del plotësisht, pasi secili prej tyre në mënyrë të vetëdijshme ka dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojë ekonominë e kooperativës bujqësore.
Shoku Sybi Sulçe: Atëherë, 8 të pandehurit do të futen në një nen?
Merdar Hasa: Pse thua që Vilson Blloshmi nuk hyn në këtë grup? Ai hyn dhe kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve që ky ka përvetësuar.
Shoku Sotir Koçollari: Kush konsiderohet më kryesori?
Shoku Sybi Sulçe: Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë, me sa ka dosja. Prova nuk kemi për përvetësim, nuk ia vërtetojmë dot.
Shoku Sotir Koçollari: Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, madje edhe në bazë të një platforme në bindjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të Punëve të Brendshme, rritja e vigjilencës së tyre etj. Ky grup ka vepruar në mënyrë të tillë deri tani për mungesë të vigjilencës së kuadrove në kooperativë, në organizatën bazë të Partisë. Këta e kanë bërë këtë për prishjen e pushtetit popullor. Imagjinoni, do të hidhej në erë Ura e Bushtricës, ishte një dëshirë e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe ky e dëshiron këtë, nuk e realizoi vetë, por kurdisi këtë plan imagjinar. Krerët e këtij grupi them se janë Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës, të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. Këta jo vetëm i kanë mbajtur këta libra, por i kanë lexuar dhe janë frymëzuar prej tyre. Kanë pasur dhe shkrime të tyre për përmbysjen e pushtetit popullor dhe jo vepra e poezi. Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi. Ndërsa për Rexhep Sulën mund të bëhet shkallëzimi; Këta pas një burgu do të kthehen për ndërtimin e socializmit. Ky grup të konsiderohet si grup sabotatorësh. Në krye të grupit Genci e Vilsoni, sepse këta kanë nxitur të tjerët, i kanë frymëzuar. Argumente për këtë ka dhe përmbajtja e problemit është e qartë se ky është nxitës, si dhe i sjell dëm diktaturës së proletariatit. Për shkallën e dënimit ju gjykojeni vetë dhe mos u nisni se aprovohet apo jo lart, por nga krimi që ka kryer secili. Jam dakord që gjyqi të bëhet këtu, të përgatitet mirë, të ngrihet me forcë lufta e klasave, të jetë një pretencë e fortë politike ideologjike dhe e përgatitur mirë. Gjykatat të ruajnë plotësisht ngjyrën e fajit e qëllimit që kishin për minimin e pushtetit popullor. Megjithëse do e zhvillojmë këtu, masat e sigurimit nuk duhen nënvleftësuar. Problemi i implikimit të mos dalë në kaq apo aq veta. Edhe ata që do demaskohen, duhet kujdes, të ngrihen, të bëjnë autokritikë dhe të pranojnë gabimin. Në gjyq të vijnë njerëz që i shërbejnë gjyqit dhe jo kush të mundë.

Feçor Shehu: Blloshmi do të dënohet si kreu i grupit armiqësor

Në muajin qershor të 1976-s, Dega e Punëve të Brendshme Librazhd filloi çështjen penale kundër një grupi përvetësuesish të pronës socialiste në kooperativën e Bërzeshtës të atij rrethi. Nga hetimi i çështjes dhe masat e tjera operative, rezulton se kemi të bëjmë me një grup të organizuar armiqsh të Partisë e të pushtetit popullor, pjesëtarë të të cilit, në forma të ndryshme, kanë dëmtuar, shpërdoruar e përvetësuar pasurinë kooperativiste në përpjesëtime të mëdha, kanë zhvilluar agjitacion e propagandë armiqësore kundër Partisë dhe Pushtetit. Në këtë proces ndiqen penalisht 9 veta: Vilson Sami Blloshmi, Genc Bardho Leka, Rustem Shaban Dashi, Bedri Blloshmi, Demir Blloshmi, Rexhep Sula, Ferit Çota dhe Mihane Çërri. Procesi hetimor vërteton se ky grup armiqësor e keqbërësish, aktivitetin kriminal e ka filluar në vitin 1973-1974. Gjithashtu, është provuar se pjesëtarët e këtij grupi kanë propaganduar kundër sistemit kooperativist, u janë kundërvënë direktivave të Partisë në fushën e artit e kulturës, duke propaganduar artin dekadent borgjezo-revizionist. Disa prej tyre, Vilson Blloshmi e Genc Leka, kanë shfaqur edhe dëshirën për t’u arratisur në vendet borgjezo-revizioniste, mbasi “atje ka liri të plotë, sidomos në fushën e artit e të letërsisë dhe këta si njerëz me talente në këtë fushë, do të bëjnë jetë të bukur”. Gjithashtu, në mënyrë sistematike, kanë përvetësuar produkte bujqësore si grurë, misër, fasule, raki etj. në shumën 36.600 lekë. Këta armiq e keqbërës, për të arritur qëllimet e tyre, kanë përdorur disa forma e metoda.

Aranit Çela, Enverit: Poetët u ekzekutuan

“Në zbatim të vendimit Nr. 202, datë 2.7.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të dënuarit me vdekje (pushkatim) Vilson Blloshmi e Genc Leka, pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor u refuzoi kërkesat për faljen e jetës, u ekzekutuan”. Bashkë me njoftim fatal për fatin e dy poetëve nga Librazhdi, kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, informonte në fundin e gushtit ’77  krerët e KQ,  “mbi disa probleme të dala nga gjykimi i çështjes së grupit armiqësor e sabotatorë në kooperativën e Bërzeshtës”. Përfundimi i parë sipas Çelës lidhej me zbutjen e luftës së klasave, pasi Blloshmi e Leka, si dy pinjollë të familjeve me biografi të keqe, “kishin filluar të agjitonin e propagandonin kundër regjimit me shkrim e me gojë, qysh në vitin 1966”. Falë mungesës së vigjilencës, vinte në vëmendjen e eprorëve kreu i  Gjykatës së Lartë, dy të ekzekutuarit e kombinuan dhe e shtrinë veprimtarinë e tyre armiqësore edhe në fushën e sabotimeve të ekonomisë bujqësore. Duke përmendur dëmin prej 67 mijë lekësh(!), shkaktuar nga kjo “veprimtari keqbërëse”, Çela nënvizon synimet armiqësore të grupit sipas një renditjeje të pabesueshme dhe vulgare. “Qëllimi kryesor i Blloshmit dhe Lekës, si nxitësit dhe organizatorët e veprimtarisë armiqësore, shkruan në relacion kryetari i Gjykatës, ishte dobësimi i fuqisë ekonomike të kooperativës për të diskretituar sistemin tonë kooperativist”. Pikërisht për këtë, shton Çela, krerët e grupit kanë futur në rrugën e tyre sabotuese mjaft kuadro, komunistë dhe kooperativistë të thjeshtë. Një çudi më vete është konstatimi i kryegjyqtarit se Blloshmi e Leka kanë implikuar në shpërdorime gati tërë administratën e kooperativës, duke filluar nga magazinierja, kryetari i Këshillit Popullor, shefi i llogarisë, përgjegjësi i sektorit, llogaritari i parë e deri te kryetari i kooperativës, që përfundoi në vetëvrasje. Sidoqoftë, Çelës ia do rregulli i detyrës t’u përgjigjet eprorëve me logjikën e tyre. Më poshtë në relacion shkruhej: Janë afruar dhe kanë krijuar miqësi me persona me qëndrim të mirë politik e veçanërisht komunist, për të fshehur gjurmët e tyre. Kështu kanë vepruar me anëtaren e partisë Mihane Çërri, nga e cila kishin interesa, mbasi ajo ishte magaziniere e produkteve bujqësore. Duke shfrytëzuar miqësinë me të, kanë marrë grurë, misër e fasule, duke bërë dalje fiktive nga magazina, sikur kjo sasi që ata në fakt e përvetësonin, përdorej për t’u mbjellë, gjë që ka sjellë uljen e rendimentit të drithërave të bukës në këtë ekonomi. Produktet bujqësore që kanë përvetësuar, një sasi e kanë përdorur për nevojat e tyre dhe pjesërisht i kanë shitur. Disa nga këta të pandehur, siç janë: Vilson Blloshmi, Genc Leka, Bilbil Cane, Aqif Leka dhe Nergjeze Leka kanë pranuar produkte bujqësore të vjedhura. Vetë janë ruajtur për të marrë pjesë në përvetësim direkt të tyre, por kanë nxitur pjesëtarët e tjerë të grupit që të vidhnin grurë, misër e raki, duke udhëzuar si të vepronin për të maskuar veprimtarinë e tyre. Në realizimin e veprimtarisë kriminale të këtyre armiqve ka influencuar, veç të tjerave, edhe qëndrimi liberal i drejtueseve të kooperativës në drejtim të ruajtjes dhe administrimit të pronës dhe zbutjes së luftës së klasave.

vijon…

 

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura