Sejko: Përmbytjet do të ndikojnë në rritjen e GDP

Mar 6, 2015 | 0:15
SHPËRNDAJE

Gent Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në daljen e tij të parë publike pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, tha se rritja ekonomike e këtij viti do të ndikohet nga përmbytjet në jug.

Guvernatori la të kuptohet se parashikimi i institucionit që ai drejton, do të rishikohet në kahun negativ, pra në ulje. “Dëmet e shkaktuara nga përmbytja në zonën jugore të vendit kanë kërkuar një rishikim të lehtë për poshtë të parashikimeve tona për rritjen ekonomike të vitit 2015. Megjithatë, ndikimi i tyre pritet të jetë i përkohshëm dhe ekonomia projektohet të qëndrojë në një trend rritës në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike e vitit 2015 parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vitit të shkuar”, tha Sejko. Gjithsesi, kreu i Bankës së Shqipërisë u ndal edhe tek ekonomia në vitin 2014, duke theksuar se në nëntë muaj ekonomia u rrit 1.4 për qind, por pritjet për tremujorin e fundit janë pozitive dhe kjo e mbështetur nga stimuli fiskal i kësaj periudhe. EKONOMIA
Kryefjala e deklaratës së djeshme të Guvernatorit ishte “inflacioni”, i cili vlerësohet se është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë dhe kështu do të mbetet edhe në vijim, të paktën deri në afatmesëm. “Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste do të vijnë në rritje graduale dhe inflacioni do të kthehet në objektiv brenda periudhës afatmesme. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të mbetet nën objektiv për pjesën më të madhe të këtij horizonti kohor”, tha Sejko. Guvernatori do të sqaronte në një lidhje zinxhir edhe kushtet e ekonomisë dhe të papunësisë, duke shprehur se aktiviteti ekonomik gjatë 2015-s do të jetë nën potencial me një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve. “Këto kapacitete të pashfrytëzuara ilustrohen nga nivele relativisht të larta të papunësisë dhe reflektohen në presione të ulëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit”, tha kreu i BSH. Lidhur me politikën monetare, sipas Sejkos vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për ta ulur normën është transmetuar në tregjet financiare. Në mbledhjen e fundit të mbajtur dje, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit për lekun, në nivelin 2 për qind.
NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura